Showbiz16 Prill 2018, 11:03

Shembja e Teatrit/ Shprehet e prekur Margarita Xhepa: Do më vinte keq, çdo kujtim i imi…

Shkruar nga Pamfleti

Shembja e Teatrit/ Shprehet e prekur Margarita Xhepa: Do më vinte keq, çdo kujtim i imi…

Çështja e preshjes o restaurimit të Teatrit Kombëtar vazhdon të jetë e hapur. Ata pak aktorë që kanë vendosur t’i shkojnë deri në fund qëllimit të tyre për të mbrojtur godinën aktuale, vijojnë mbledhjet e të hënave pasdite, sado që kanë shumë pak kolegë të tyre në mbështetje. Nga ato që janë thënë e janë shkruar, asnjë nga aktorët e dikurshëm, nga ata që kanë mbetur që nga koha e themelimit të Teatrit Popullor, nuk është dakord me shembjen e tij e rindërtimin e një të riu.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Dikush e thotë hapur, dikush nën zë, megjithatë, në çdo rast, të paktën te ata, pavarësisht rrethanave aktuale ku ndodhen apo nevojave që secili mund të ketë nga qeveria, duan që mos t’iu shemben kujtimet e një jete nëpër sy. Gjatë kësaj jave folëm me aktoren Margarita Xhepa, si një ndër përfaqësueset e para të krijimit të historisë së Teatrit Kombëtar. Megjithëse çështja e teatrit është biseda kryesore e saj me cilindo që takon gjatë ditës, dalja publike nuk është fort e thjeshtë (si për shumicën).

Arsyet i dinë ata! Margarita Xhepa, nuk e fshehu dhembjen që do ndiente, nëse shembej. “Sigurisht që mirë nuk më vjen që të prishet, sepse aty kam gjithë jetën e punën time, çdo kujtim lidhet me atë godinë, megjithatë, le të bëhet si ta gjykojnë më mirë. E rëndësishme është që ka debat, nuk është lënë në heshtje çështja e teatrit dhe më duket se tani diçka do të bëhet. Sa për punën e prishjes e rindërtimit, ne kemi shumë vite që e dëgjojmë, nuk mbahet mend, aq e vjetër është bërë kjo bisedë. Po sido që të vendosin, le të fitojë zgjidhja më e mirë!”, shprehet Xhepa për Panorama.

Margarita Xhepa i referohet rasteve të përsëritura ndër vite për shembjen e teatrit që aktorët, më shumë se ne të gjithë, i dinë më mirë. Ende nuk mund ta dimë nëse kjo është zhurma e radhës apo teatri do të prishet vërtet. Pak kohë më parë, kur diskutimet sapo kishin nisur, Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, ka thënë: Ka disa ditë që ky problem diskutohet gjatë në media. Ndaj unë nuk mund të përcjell një mendim të saktë, kur ende nuk dihet se çfarë do bëhet. Ka shumë debate, por nuk dihet thelbi. Pra, çfarë do bëhet me godinën, do prishet apo do rindërtohet? Do rikonstruktohet apo do prishet fare? Kam dëgjuar komunitetin e aktorëve, por kam dëgjuar dhe reagimin e ministres Kumbaro. Pra, ajo tha diçka tjetër. Unë them idenë time.

Së pari, teatri duhet të jetë në qendër, pasi është zemra e kulturës së një kombi, është themeli i kulturës kombëtare. Të gjithë kryeqytetet e botës teatrot i kanë në qendër. Edhe Teatri i ri Kombëtar i Maqedonisë në qendër është ndërtuar. Aty ku gëlon arti. Ka vite që diskutohet për rikonstruksionin e TK-së, madje e di shumë mirë që është hedhur si ide qysh në sistemin monist. Kanë ardhur shumë anëtarë të KD të asaj kohe, por që nuk u realizua në atë sistem. Ja, tashmë erdhi koha sot që të hidhet në diskutim.

Në këtë situatë, unë mendoj se TK i vjetër mund të shërbejë dhe si muze, ku të vendosen foto qysh nga themelimi, qysh nga vitet e para të hapjes, foto nga shfaqjet, emrat e të gjithë aktorëve që kanë luajtur në TK, që të ruhet dhe të njihet nga të rinjtë historia e tij. Ndërsa më e mira do të ishte që në atë vend, të rindërtohej një teatër modern si ai i Maqedonisë që të transmetohej historia. Nuk do isha dakord që në vend të tij të ngrihej një gradacielë, pa qenë aty TK. Jemi në debat e sipër.

Asgjë nuk është konturuar qartë se si do veprohet. Këto janë ide në ajër, për të përcjellë një mesazh miqësor. Duhet gjetur gjuha e duhur në interes të artit kombëtar, në interes të teatrit shqiptar, në interes të kujtesës së brezave, në interes së historisë dhe të ardhmes. Me kurajë dhe qytetari, me dialog dhe dëshirë të mirë, të bëhet ajo çka i nevojitet kombit dhe jo interesave të ngushta. Le të dëgjojmë të vërtetën dhe pastaj dhe të themi mendimin e pjekur”. Përtej teatrit, Margarita Xhepa është duke u përgatitur për një rol që do ta shfaq sërish për publikun, por ende nuk ka vendosur që të bëjë publike detaje nga kjo ngjarje.

codramol
smile

Showbiz