“Shfryhet” superoperacioni në Niklë, lihen të lirë dy të ndaluarit kryesorë

Superoperacioni prej katër orësh në Niklë, s’ka prodhuar rezultat.  Dy të ndaluarit kryesorë Durim Bami dhe Flamur Haka janë lënë të lirë. Nga  11 të ndaluar në Niklë,  vetëm 5 prej tyre janë arrestuar nga policia dhe po qëndrojnë në qeli. Lista fillon me Marklen Haka, të cilit policia i ka sekuestruar armë zjarri, 30 milion lekë të vjetra dhe 35 mijë euro në banesë, të cilët dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Një emër tjetër i arrestuar është Valter Bami, vëllai i Durim Bamit. Valter Bamit, në banesë i është sekuestruar një pistoletë.



Ndërsa persona të tjerë të arrestuar janë Lutfi Haka, Ylli Çangu djali i Naim Çangut dhe Skender Lezës. Ndërsa për  Durim Bamin dhe Flamur Haken ende nuk ka asnjë urdhër arresti. Hakës i është sekuestruar vetëm një automjet i blinduar.

Policia e Shtetit zbarkoi këtë mëngjes në Nikël të Krujës, në një operacion të befasishëm në fshatin e të ashuquajturit “grup i Niklës”, i përfshirë në një seri ngjarjesh kriminale në harkun kohor të 20 viteve. Objektiv i operacionit ishte fisi Haka, mes të cilëve ka pasur edhe viktima ndër vite, ndërsa të tjerë dyshohen si autorë të disa vrasjeve.

Operacioni nisi që në orën 05:00 të ditës së mërkurë. Policia ka kontrolluar disa banesa të personave që konsiderohen të rrezikshëm dhe me precedentë penalë, por me sa duket nuk ka mundur të gjejë prova për personat e ndaluar.