Krerët e shërbimit sekret kanë qënë gjithnjë nën “hyqmin” e qeverive të radhës. Nga Gazidede e deri tek Visho Ajazi Lika e Helidon Bendo kanë shërbyer për Berishën, Nanon, Metën, Majkon dhe Ramën. Kryeministri aktual bëri ambasador në NATO kryespiunin e Berishës që e vuri nën përgjim dhe furnizoi Berishën me informacione. Maskarallëqet që ka në dorë dhe “sindromi i Stokholmit” ndikuan në këtë emërim. Drejtorë aktualë të SHISH dhanë pajisjet e përgjimit dhe prodhuan skandalin “Babale”. Dekonspiruan dhe aksione të tjera kundër krimit
Organet ligjzbatuese shqiptare kanë qënë dhe janë nën “hyqmin” e politikës shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre i kanë shërbyer pushtetit të radhës. Por nuk kanë munguar rastet e vijimit të shërbimit dhe për liderë politikë pasi kanë ikur nga pushteti. Thjeshtë dhe vetëm si falenderim për emërimin që u ka bërë dikur, duke i lënë në lojën e pushetit.
Nuk bën përjashtim as shërbimi sekret shqiptar, i cili në të gjitha herët i ka shërbyer qeverisjes së radhës. Që nga SHIK-i Gazidedes që i shërbeu me devotshmëri Sali Berishës dhe pushtetit të tij pa u tërhequr deri në rrëzimin e shtetit, dhe më vonë krerët e radhës së shërbimit sekret kanë shërbyer për liderin e radhës.
Kur kanë dalë nga “radha” ata janë shkarkuar me ceremoni, madje dhe me komision hetimi parlamentar siç ishte rasti i ish kreut të SHISH Fatos Klosi. E shkarkoi Fatos Nano me ndihmën e Berishës, vetëm pse nuk i shkoi pas “midesë” dhe mbrojti disa të vërteta, për të mbrojtur veten.
Ndërkohë që ish nënkryetari i SHIK-ut të Gazidedes, ish emigranti Visho Ajazi Lika, i emëruar nga Sali Berisha në krye të shërbimit sekret në qeverisjen e dytë të tij, vijoi t’i shërbente me devotshmëri bamirësit të tij. Madje arriti deri atje sa të vendosë nën përgjim vetë kryeministrin Edi Rama, ish kreun e Kuvendit Ilir Meta, ministrat e deri drejtorët e policisë, krerët e bashkive, prefektët dhe zyrtarët e tjerë të lartë të qeverisjes së PS.
Visho Ajazi Lika është “bashkëthemeluesi” i “qytetarit dixhital” të Berishës, pasi informacionet e gjysmë-informacionet e tij, të “vjelura” nga raportimet në SHISH të agjentëve, shërbyen si bazë për ish kryeministrin që të “përmbytë” mediat me lajme të vërteta dhe gjysmë të vërteta.
Duke qënë se Visho Ajazi Lika kishte në dorë ndonjë maskarallëk të Ramës, përgjimet e shumta kanë lënë dhe ndonjë të vërtetë të hidhur që kompromenton kryeministrin, ai e emëroi ish kreun e SHISH ambasador në NATO. Prevaloi këtu njëherësh dhe “sindromi i Stokholmit” nga i cili vuajnë shqiptarët, nga më i thjeshtë deri tek më i përbëri.
Por dhe me ikjen e Vishos nga SHISH, aty kanë mbetur drejtorët e mëdhenj, që kryetari i ri Helidon Bendo nuk i ka lëvizur. Ndoshta dhe i shërbejnë, e njohin me themel maskarallëkun. I shërbejnë të dyja palëve, më shumë Berishës kuptohet dhe Bendo nuk preket.
Nuk është rastësi që një drejtor i rëndësishëm i SHISH, me një kërkesë verbale të ish kreut të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, dha pajisjest e shërbimit sekret dhe kontribuoi fort në audio-përgjimin e rremë ndaj Geron(Agron) Xhafajt, vëllait të ish ministrit të Brendshëm.
Drejtori i drejtorisë së SHISH, R.Tuci pajisi njerëz të rëndomtë me aparaturat e përgjimit, pronë e shtetit dhe në mënyrë të kundraligjshme ua la në dizpozicion, duke shpërthyer në këtë mënyrë skandalin “Babale”. Ky drejtor është pyetur nga drejtësia për këtë çështje, deri më tani s’ka asnjë masë ndaj tij. Nëse nuk vendosin penalizim administrativ, të paktën ta dekorojnë.
E themi këtë pasi dyshohet se i njejti person ka dhënë informacione të shumta për opozitën, në vend që të raportonte tek eprorët e vet apo kryeministri e Presidenti. Bëhet fjalë për ngjarje që janë nën hetim tashmë,që kanë të bëjnë me akuzat për trafik droge, për para që vijnë me makina nga jashtë vendit. Duke dekonspiruar dhe dështuar aksionet e policisë ndaj elementëve kriminalë. Mësohet se ky drejtor SHISH-i do të jetë me statusin e dëshmitarit për t’u pyetur.
Ndaj dhe Berisha deklaron se SHISH tjetër raport i dërgon Ramës për drogën dhe krimet e tjera, tjetër Metës apo tjetër vetë atij.
Nga ana tjetër sih kryeministri thotë se informacionet i merr nga organet ligjzbatuese që merren me zbulimin e survejimin e këtyre shkeljeve ligjore dhe veprave kriminale, duke lënë për të kuptuar se “furnizohet” dhe nga SHISH. Dhe më gjysmë të vërteta, aq më mirë. Pra Berisha i lëviz një pjesë të “fijeve” në SHISH. Janë aty, s’janë hequr por shërbejnë politikisht. Duke e kthyer shërbimin sekret në një fole “grerëzash” ku shërbëtorët politikë përplasjen me njëri- tjetrin për “padronët” e tyre. Të dëmtuar janë qytetarët që paguajnë para për këtë maskaradë./Pamfleti