Aktualitet 9 Tetor 2018, 13:36

Shkruar nga Pamfleti

Shërbimi sekret ka pasur informacion të plotë për të gjitha bisedat telefonike, takimet, bisedat e lira me miqtë, lënien e takimeve, bisedën e fundit dhe gjithçka tjetër të të ndjerit Sokol Olldashi deri në mbrëmjen e 20 nëntorit të vitit 2013, kur ai u nda nga jeta. Prokuroria duhet të kërkojë në SHISH dosjen e përgjimit të ish ministrit të ndarë nga jeta pesë vite më parë.

 

Ish kryeministri Sali Berisha e ka pasur me shumë pasion, deri në mani, vënien nën përgjim të kundërshtarëve të tij brenda dhe jashtë Partisë Demokratike. Dhe ashtu sikurse diktatori komunist Enver Hoxha, armën më të “dashur” të tij kishte Sigurimin e Shtetit, dhe Sali Berisha kishte Shërbimin Informativ Shqiptar SHIK, më vonë SHISH. Ish kreu i qeverisë shqiptare, e shfrytëzoi SHISH dhe pas largimit nga pushteti më 23 qershor të vitit 2013, për të vënë nën përgjim kundërshtarët e tij.

Përmes ish kreut të SHISH Visho Ajazi Lika, Berisha vuri nën përgjim në fillim kundërshtarët e brenda PD, si dhe kryeministrin Edi Rama, ish kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe pjesën më të madhe të deputetëve dhe të ministrave. Strukturat e shërbimit sekret e furnizuan ish kryeministrin me informacione në lidhje me sjelljen e deputetëve dhe të strukturave të larta të PD, por dhe me lëvizjet në qeverisje, duke i dhënë jetë në këtë mënyrë “qytetarit dixhital”. Që për sa kohë ishte Visho Ajazi Lika në krye të SHISH, kishte ndonjë të vërtetë në informacionin që përcillte. Ndërsa tani, e ka prishur “dorën”.

Dhe në veçanti Berisha vuri nën përgjimin e SHISH të gjithë strukturat e PD dhe deputetët e saj, për të pasur informacionin e duhur për qëndrimin e tyre gjatë fushatës për zgjedhjen e kryetarit të partisë, pasi vetë u dorëhoq, i detyruar nga humbja rrënuese në zgjedhje përballë Ramës. I pari që vuri nën përgjim ishte Sokol Olldashi, kandidati që garoi përballë kreut aktual Lulzim Basha, dhe që humbi pas manipulimit të votës dhe presionit të ushtruar ndaj bazës së PD, nga Berisha dhe njerëzit e tij që donin Lulin kryetar.

Ish kryeministri përmes përgjimeve të bëra nga SHISH arriti të merrte informacione të dorës së parë në lidhje me lëvizjet e kundërshtarëve të Bashës, skenareve për të fituar kreun e PD, por dhe arriti të ndërhynte në kohë për të destabilizuar situatën në favor të njeriut të mbështetur prej tij. Madje falë përgjimeve të SHISH, Berisha mundi të evidentonte të gjithë kundërshtarët e Bashës, duke filluar nga Majlinda Bregu, Astrit Patozi e deri tek Ritvan Bode dhe figura të tjera, që më pas u larguan hap pas hapi nga kupola blu.

Dhe vënia nën përgjim nga SHISH i gjithë kundërshtarëve të Bashës vijoi dhe pas zgjedhjes së kryetarit të PD, me qëllimin e vetëm për të parandaluar lëvizjet kundër brenda partisë që do t’i vështirësonin punën të zgjedhurit prej tij. Sokol Olldashi si rivali dhe kundërshtari kryesor i Bashës, u vu nën përgjim nga SHISH për llogari të Berishës, deri në momentin e ndarjes së tij nga jeta në atë aksident tragjik në rrugën e Elbasanit, i cili sërish nuk bind askënd se ishte i tillë.

Pra SHISH ka informacion të plotë për të gjitha bisedat telefonike, takimet, bisedat e lira me miqtë, lënien e takimeve dhe gjithçka tjetër të të ndjerit Sokol Olldashi deri në mbrëmjen e 20 nëntorit të vitit 2013, kur ai u nda nga jeta. Ishte nën përgjim dhe survejim të plotë Olldashi. Nuk e themi këtë fakt për të gjykuar shërbimin sekret shqiptar nëse ka bërë keq apo mirë që e ka vënë nën përgjim të vazhdueshëm të ndjerin Sokol Olldashi. I cili nuk ka qënë një person dosido, por ish ministër i Brendshëm dhe i Transporteve në qeverinë “Berisha” dhe zëri kryesor në PD.

E evidentojmë këtë fakt, thjeshtë e vetëm në funksion të zbardhjes së shkakut të ndarjes nga jeta të Sokol Olldashit, ku për shumicën e shqiptarëve dhe të PD, ai nuk ka ndërruar jetë në aksident automobilistik, por është vrarë. Shumë ekspertë kanë sjellë fakte, prova, metoda krahasimore, kanë bërë eksperimente me makina të këtij lloji në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur në përfundimin se, është gati i pamundur një aksident i tillë.

Por akoma më enigmë ka mbetur fakti se cila ka qënë telefonata e fundit e Olldashit, emri i personit që ka komunikuar me të, më kë ka pirë kafe në Elbasan, kush e thirri për të dalë në atë mot të keq dhe në orët e vona, enigma këto që gjenden të gjitha në dosjet e përgjimit të SHISH. Madje në këto dosje përgjimi, nëse zbardhen ndonjëherë, gjenden në mënyrë të detajuar të gjitha bisedat, përplasjet, debatet, takimet miqësore ose jo, komunikimet telefonike sëpaku nga muaji qershor deri në sekondën e fundit të ndarjes nga jeta më 20 nëntor 2013.

Ndaj për të qetësuar miqtë, të afërmit e tij por dhe kundërshtarët brenda PD që janë akuzuar për vrasjen e tij, si dhe për të zbardhur të vërtetën e ndarjes nga jeta të Sokol Olldashit, Prokuroria duhet të kërkojë minimalisht dosjen e përgjimit të tij nga SHISH. Eshtë në të drejtën e saj ligjore dhe kushtetuese që Prokuroria ta bëjë një gjë të tillë, pavarësisht nëse përgjimi i Olldashit ka qënë i paligjshëm, ka pasur ose jo autorizim SHISH për të realizuar një veprim të tillë./Pamfleti

 

Aktualitet Pergjime Sokol Olldashi Visho Ajazi