Aktualitet 5 Maj 2018, 18:08

Shpëtojeni policin dëshmitar!

Shkruar nga Pamfleti
Shpëtojeni policin dëshmitar!

Shpëtojeni policin dëshmitar!

Një polic i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili ka qenë në konflikt me bandën e Habilajve në Vlorë, tanimë i ka të gjitha shanset të mos bëjë më komente politike, por të vijë të dëshmojë në Prokurori, së bashku me Saimir Tahirin, i cili është qytetar i lirë, pa imunitet.

Shkruan Mero Baze

Një polic i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili ka qenë në konflikt me bandën e Habilajve në Vlorë, tanimë i ka të gjitha shanset të mos bëjë më komente politike, por të vijë të dëshmojë në Prokurori, së bashku me Saimir Tahirin, i cili është qytetar i lirë, pa imunitet.

Në një kohë që ndaj këtij policit ka një çështje penale ende të pagjykuar dhe ai ka kërkuar strehim politik, autori që ai akuzoi se ja ka shpikur këtë çështje, nuk është më në politikë. Po ashtu, Prokuroria po mbivlerëson çdo akuzë apo fakt ndaj Tahirit, që ta gjejë diku fajtor, ndaj dhe klima e presionit ndaj tij është më e madhe se ndaj çdokujt personi nën hetim në Shqipëri në këto momente.

Edhe pse është e padrejtë, pasi është një presion politik, është e vërtetë që ndaj Saimir Tahirit ka më shumë presion për të gjetur fakte, se ndaj këtij policit të ikur në Zvicër.

Tani opozita që e ka kthyer këtë polic në yll të analizave politike konspirative, është mirë ta përdorë si polic dhe dëshmitar, dhe jo si analist politik, se për atë punë kemi Berishën. Ta sjellë në Shqipëri dhe ta çojë para drejtësisë për të dëshmuar si kundër Tahirit, ashtu dhe pro vetes, nëse ka fakte që mund të mbrohet nga akuzat.

E them këtë jo se i duhet kujt dëshmia e një të akuzuari ordiner, por për të ruajtur sadopak integritetin e kauzave të veta, pasi nga sa po thotë tani e tutje, ai është duke rrëzuar dhe ato që ka thënë.

E dëgjova sot në një intervistë në shtyp, dhe në vend të flasë për ndonjë fakt apo provë, flet se çka ndodhur këto gjashtë muaj në Shqipëri mes Tahirit e Ramës, flet për presione, konspiracione, bile dhe për lëvizje gjeopolitike. Të gjitha këto i thotë me kopmetencën që i shpik gjërat dhe Sali Berisha.

Nëse ky polici dhe “faktet” për Tahirin i ka pasur me kaq kompetencë sa këto shpikjet se çfarë ka bërë Tahiri dhe Rama këto gjashtë muaj, si janë takuar nëpër spitale e ku kanë dhënë garanci për njëri- tjetrin, atëhere marrja me të është një turp më vete. Dhe opozita duhet të vihet nën presion që i fsheh drejtësisë një kriminel, ose që keqpërdor një delirant dhe mitoman.

Delirimi si hero, edhe pse është ditë dëshmorësh, është jo produktive për një ish- polic nën akuzë për trafik. Ai është një ish- polic që vlen nëse na thotë çka ndodhur kur ka qenë polic, se çfarë ka ndodhur këto gjashtë muaj në Tiranë, ndërkohë që ai fshihet në Zvicër, atë e dimë ne që jemi këtu, jo ai.

Meqë ai dhe ish- shefi i tij janë të dy nën hetim dhe të dy të barabartë para ligjit si qytetarë, është mirë që PD ta shpëtojë këtë policin nga deliri i udhëheqësit të madh dhe të paktën t’i mbrojë integritetin si dëshmitar dhe ta sjellë para një drejtësie që është më e motivuar kundër Saimir Tahirit, se kundër tij. Moment më të mirë se për të dëmtuar Tahirin se ky tani, nuk ka. Më vonë kam frikë se koha mund t’i japë më shumë të drejtë Tahirit dhe ky polici do ta shtyjë gjithë jetën me asistencë në Zvicër, duke u kthyer nga dëshmitar, në dështimtar.

Forum Mero Baze Shpëtojeni policin dëshmitar!