Shqipëria, “bjeri i fortë, të ligut”

Shqipëria, “bjeri i fortë, të ligut”

Shkruan Frida Kalo

 

 Që një shtet dhe progresi të përshkojnë të njëjtën udhë ka nevojë per vetëdije publike të përgjithshme, mes shtetarësh e në popull, sepse njëra palë ndikon pashmangshmërisht te tjetra. Sidomos aty ku vetëdija publike është modeste, qëndron më i vagullt fakti që qytetarët zgjedhin lirshmërisht qeverinë e vet, sesa qeveria zgjedhë popullin, që ka.

Qeveria ka forcën të imponojë fytyrën dhe zërin e përfaqësuesve popullore… Dekada të tëra me rob rastësor, në vendin e momentin e duhur, po aq edhe të paduhur, që me epsh kanë shijuar e po dalin në pension me benefite politike, duke u kapërdisur majë vilash e makinash të shtrenjta, pa pasë një ditë punë në jetën e tyre.

E ku mund të gjendet një shembull kaq i qartë në mosrespektimin e pronës private e publike, me fund të lumtur si në Shqipëri?

Ministri që vodhi ditën për diell gjysmën e rrugës, spitalit, shkollës, taksave vazhdon të nderohet, kurse hallexhiu që ndoqi shembullin e tij duke zaptuar padrejtësisht copën modeste të tokës për të ndërtuar edhe ai jetën e vet, duhet të japë llogari e të paguajë për çfarë ka bërë e sidomos për çfarë s’ka bërë.

Ai është dhe do të përfaqësojë tërë të keqen në Shqipëri dhe patjetër do t’i duhet të paguajë çdo kosto të deleguar të zullumqarëve në pushtet.

Ky është rasti kur drejtësia fillon nga fundi, me qëllim që të mos bëhet kurrë drejtësi, por t’i bjerë “i forti të ligut” derisa njerëzit të ndjehen realisht të cënuar të reagojne kafshërisht për t’u mbrojtur. Tjetër është zgjimi i vetëdijes së fjetur publike, që kërkon orientimin e llogaridhënjes nga lart poshtë, me fakte jo me llafe, si edhe me shumë empati. S’mundet që dikush të përfitojë sistematikisht pa i hyrë “ferrë në këmbë” dhe dikush tjetër të flaket në rrugë si leckë.

Shteti ka mekanizma ligjore e jo ligjore të menaxhojë probleme në dukje pa peshë. Firma, që do të marre atë tenderin e rrugës, sikur vetëm fitimi, pa llogaritur fare milionat e eurove që do të hyjnë në xhepat e njërit e tjetrit, ka aq forcë e interes sa ta zgjidhë pa kaq shumë kosto sociale këtë cështje.

Një gjuhë e ngritur mbi provokim e imponim, pa mundësi negocimi, vetëm sa e rëndon problemin, gjthmonë nëse kemi të bëjmë me problem të prejardhur dhe jo të stisur. ( Sa për kuriozitet Angela Merkel, me rënjen e komunizmit në Gjermani dhe divorcimin e saj nga burri i parë, doli në rrugë pa shtëpi. Në hall e sipër gjeti një pallat të braktisur të Berlinit lindor. Hyri brenda. Pa që s’banonte askush. Vendosi të rrinte aty. Pas ca ditësh, me stil, siç e shpjegon edhe vetë duke qeshur, ndërroi edhe bravën dhe e ktheu në banesën e saj. Ku i dihet, mund edhe ta ketë privatizuar. Por kjo s’ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka që kur i ra rasti për të qeverisur e bëri me ndërgjegje të pastër e me qartësinë që askush nuk është i përjetshëm në pushtet.

Në vazhdën e kësaj po mendoja sikur të ndërronin rolet politikanët tanë me banorët e unazës, a do të bëheshin po kaq shumë dëme në Shqipëri apo ne historikisht kemi qëlluar më kampionët në zhvatje për të na qeverisur?!

Loading...

Loading...
WhatsApp Denonco tek Pamfleti