Editorial17 Gusht 2019, 19:56

Shqipëria në 28 vjet, “djep” i djallit 

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria në 28 vjet, “djep” i djallit 

Shqipëria në 28 vjet, “djep” i djallit 

Ne populli, nuk jemi në rregull nga trutë; në vend të përmbysim e boshatisim “djepin” e mafiozëve, po marrim arratinë e po boshatisim vendin

Është provuar si aksiomë, qysh kur mbi këtë tokë, u shfaq njeriu i mirë e durim-plotë dhe përpara tij, “mbiu” Shejtani djallëzor e uzurpator; sipas të cilës, një person apo komunitet, nuk duhet të besojë fjalët bukura dhe nuk mjaftohet, vetëm me aftësinë për të njohur format dhe mënyrat e mashtrimit të Shejtanit lajkatar, por paralelisht, duhet të dijë si të mbrohet, për të mos u bërë viktimë e tij.

Pikërisht, këto nuk po bëjmë prej 28 vitesh ne shqiptarët; duke e ditur, se shejtanët e politikës, vazhdojnë na mashtrojnë, uzurpojnë e masakrojnë; ndërsa ne, vazhdojmë i provojmë me rradhë e i lejojmë të na futen disa herë “në djep”, madje i përkundim të rriten, fuqizohen e të na nxijnë jetën, me djallëzitë, prapësitë dhe shejtanllëqet e tyre.

Trazicioni, vazhdim i regjimit të krye-djallit Enver Hoxha që u hoq nga “djepi”; na u servir si “demokraci” e nisi me shejtanin e tij Sali Berisha; që na helmoi dhe shkatërroi ëndrrën e shtypur “nën gurë”, për 45 vjet.

Edhe shejtani Berisha, në 5 vitet e para, na vodhi, mashtroi, denigroi, na vrau, na shpërfilli e na mohoi pronën dhe drejtësinë; gjersa e përzumë nga “djepi” me hu e me armë, duke menduar se shpëtuam.

Pas tij, me pamje të urtë, paqësore, xhentil, i dashur dhe i qeshur, u shfaq e u fut në “djep” Fatos Nano, shoqëruar me brohorima e gëzim popullor, si shpëtimtar i madh; por edhe ky na doli më shejtan, që zbukuroi, mbuloi e vazhdoi mashtrimet, hajdutëritë dhe perversitet e shejtanit Berisha.

Iku edhe ky; e në “djep” u fut shejtani Ilir Meta, që bëri aq prapësi, babëzi e shejtanllëqe, sa Nano na u duk “lule” para tij dhe e futëm përsëri në “djep”; përsëri i qeshur, i qetë, qejfli e “arapxhi”, por përsëri veproi si shejtan.

E përsëri, sikur të mos ia kishim provuar prapësitë e barbaritë, që na dogjën e na rropën shtëpi e katandi; larguam shejtanët Nano-Metaj dhe ri-futëm në “djep” shejtanin Berisha; shfaqur i urtë, i qeshur, i sjellshëm, i dashur e penduar; mirëpo harruam, se shejtanët vetëm zbukurohen e nuk pendohen; ëmbëlsojnë gjuhën, por jo shpirtin; ndërrojnë lëkurën, por jo zakonin.

E sikur të mos mjaftonte vetëm ai; pas 4 vitesh, shejtani Berisha futi në “djep” edhe shejtanin Metaj e të dy bashkë, shtuan më egërsisht djallëzitë dhe prapësitë që kishin bërë më parë; gjersa i përzumë.

Përballë shqiptarëve të tejlodhur, u shfaq “ëngjëlli” Edi Rama; i qeshur, sportiv, popullor, xhentil, modern, shakaxhi, i dashur e kavalier; me përbetimin, se do na shpëtonte përfundimisht nga shejtanët Berisha, Nano, Metaj e Basha; por u fut në një “djep” me shejtanin Ilir Meta e Lulzi Basha, dhe u puth me shejtanin Nano, duke bërë prapësitë, që as vetë shejtanit në qiell, nuk i kanë shkuar mendje.

Tashmë, Edi Rama është krye-shejtani, që ka zënë i vetëm “djepin” e Shqipërisë, i lidhur fortë brenda tij se mos e nxjerrin ose bie; ndërsa rrotull po i vijnë përsëri shejtanët e vjetër Berisha, Metaj, Basha, Kryemadhi, për t’i zënë “djepin”…/Pamfleti/

Editorial “djep” i djallit Shqipëria në 28 vjet