Aktualitet 8 Maj 2019, 08:08

Shqipëria në kërkim të viktimave të komunizmit

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria në kërkim të viktimave të komunizmit

Shqipëria në kërkim të viktimave të komunizmit

Shqipëria po gërmon në të kaluarën e saj të zymtë, në një përpjekje të re zyrtare për të identifikuar eshtrat e disa prej viktimave të ekzekutuara nga regjimi komunist. Gjatë tre dekadave të fundit, qytetarët e thjeshtë kanë luftuar vetë për të zbuluar fatin e të dashurve të tyre, duke mbledhur informacione nga dokumentet arkivore dhe gjetjen e dëshmitarëve. Në nëntor, nisi një fushatë historike me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) për të filluar identifikimin gjenetik të eshtrave të gjetura në dy zona ekzekutimesh. Gjithsej, fati i rreth 5,000 njerëzve “të zhdukur” gjatë epokës komuniste, e cila zgjati për 40 vjet deri në vitin 1991, mbetet i panjohur.

Pas vitesh gërmimesh të dokumentave, kasetave dhe pastaj shpateve të Dajtit, Jovan Plaku gjeti eshtrat e 13 njerëzve në një pyll ku ai beson se është ekzekutuar nga regjimi komunist edhe babai i tij.

Një dekadë më vonë, 45-vjeçari shpreson që më në fund të marrë një përgjigje nëse babai i tij është ndër ata që u gjetën pasi Shqipëria filloi një përpjekje të rëndësishme për të identifikuar viktimat.

Eshtrat e gjetur në malin e Dajtit janë ndër më shumë se 5,000 të ekzekutuar gjatë periudhës komuniste. Fati dhe vendndodhja e shumë prej tyre mbeten të panjohura, gati tre dekada pas rënies së komunizmit.

Viktimat ishin kundërshtarë politikë, besimtarë fetarë apo qytetarë të thjeshtë të akuzuar për “tradhti”, “spiunazh” ose “sabotim” kundër regjimit paranojak të diktatorit Enver Hoxha.

Në periudhën që nga rënia e komunizmit, Shqipëria ka hezituar ta hapë këtë kapitull të errët të historisë.

Pra, kërkimi për të zhdukurit është lënë në përpjekjet e palodhura të njerëzve të zakonshëm si Jovani.

Babai i tij Koço Plaku, inxhinier, u dënua me vdekje gjatë një gjykimi me dyer të mbyllura dy vjet pasi u arrestua në vitin 1975.

Ai ishte nëntë muajsh në atë kohë dhe nëna e tij u detyrua të ndahej për të mënjanuar internimin.

I vendosur për të lidhur pjesët e historisë së familjes së tij, Plaku më pas arriti të gjente fotografi nga gjykimi i të atit, skica të bëra gjatë procesit dhe një shirit regjistrimi prej 72 orësh të marrjes në pyetje.

Atëhere ai mësoi se babai i tij ishte dënuar për “sabotazh” dhe “spiunazh” lidhur me grepat e peshkimit që ia kishte dhënë një mik rus, një dhuratë që ngjallte dyshime pasi Tirana ndërpreu lidhjet me Moskën.

Ai intervistoi dhjetëra njerëz, madje duke dalë ballë për ballë me ekzekutuesin e babait të tij.

“Burri i vogël dhe i shëndoshë” ishte bërë një trajner i xhudos, tha Plaku. Ai tha se nuk mbante mend asgjë.

Pritja e Gjatë

Përfundimisht, Plaku identifikoi malin e Dajtit si vendin e mundshëm të vrasjes së të atit.

Së bashku me një burrë tjetër që kërkonte gjithashtu babanë e tij të zhdukur, ai kaloi disa muaj duke gërmuar në mal, para se të gjente eshtrat, disa prej të cilave ishin varrosën vetëm 60 centimetra thellë.

Eshtrat kanë qenë të vendosura në një morg për 10 vjet, në pritje për t’u identifikuar.

Më në fund, tani procesi po fillon pas nisjes në nëntor të një projekti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Plaku, së bashku me rreth 30 të tjerë, ofroi mostra të ADN-së për të parë nëse ato korrespondonin me babain e tij.

Ai shpreson që më në fund të “mbyllë këtë kapitull” të jetës së tij me një moment të qetë, një cigare dhe mundësinë për të vendosur lule në vendin ku babai i tij është qëlluar me një plumb pas shpine më 28 qershor 1977.

“Unë ende dridhen kur kujtoj momentin” kur zbulova eshtrat, thotë ai.

‘Rikthimi i Dinjitetit’

Projekti ICMP vjen disa vjet pasi dosjet e Sigurimit, u hapën për herë të parë për publikun.

Drejtoresha e arkivave Gentiana Sula, e cila vetë ka një gjysh të zhdukur, thotë se e di mirë se si e kaluara mund të shndërrohet në një obsesion për të afërmit që duan të prishin stigmën e grumbulluar mbi të dashurit e tyre nga një regjim i urryer.

“Ishte e rëndësishme për ne të rishqyrtojmë historinë, të gjejmë rrënjët tona, të mendojmë rreth identitetit tonë, cilët jemi, nga vijmë dhe më pas gjithashtu të rikthejmë dinjitetin e atyre që u quajtën ‘armiq të popullit’ nga kundështarët politikë të asaj kohe.”

Luigj Ndou, me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, gjithashtu paralajmëron se si e kaluara mund të ndjekë një vend që përpiqet ta injorojë atë.

“Kjo përpjekje nuk është për të vdekurit, është për të gjallët. Ajo ka të bëjë me kthimin e dinjitetit të të gjithë atyre që u vranë vetëm sepse mendonin ndryshe”.

Me 400,000 euro të dhëna nga donatorët ndërkombëtarë, projekti mbetet i vogël, duke u fokusuar së pari në dy vende.

Por është një hap i parë i rëndësishëm, thotë Ndou, duke shtuar se vullneti politik për të vazhduar është thelbësor.

“Partia e di”

“Përse ishte kaq e lehtë për të vrarë një person dhe ende është kaq e vështirë të gjesh trupin e tij?” pyet 63-vjeçarja Elena Sallaku, e ulur në një apartament të vogël që ajo ndan me motrën e saj binjake dhe nënën e tyre.

Familja ka kaluar një dekadë duke kërkuar përgjigje për babanë e tyre, Xhavitin.

Binjaket gjithashtu dhanë mostrat e ADN-së ekipit të kërkimeve për ekzekutimet në Dajt edhe pse dyshonin që babai i tyre ishte ndër ata që u zhvarrosën.

Një inxhinier i trajnuar në Bashkimin Sovjetik, Xhaviti u ekzekutua në verën e vitit 1977 në moshën 46 vjeçare.

Kur gruaja e tij Irina, tani 86 vjeçe, pyeti se përse u arrestua, policia i tha vetëm: “Partia e di pse.”

Me kokat e tyre të përkulura, binjaket dhe nëna e tyre duhej të përgjigjeshin me “Të Rrojë Partia”, kujton Elena.

Pas vitesh jashtë vendit, gratë u kthyen në Shqipëri në vitin 2007, me Irinën e vendosur për të gjetur eshtrat e burrit të saj dhe për t’u varrosur pranë tij.

Pas kthimit, Elena gjeti dokumente rreth babait të saj në arkivat e shtetit, ndër to një të nënshkruar nga një ish-gjyqtar i cili tani është profesor i drejtësisë.

67-vjeçari i tha AFP-së se ai nuk mban mend se ku ndodhi ekzekutimi, një detaj që nuk u përmend kurrë në dokumentet e asaj kohe.

Ai shton se ishte një gjyqtar i ri në një sistem ku “askush nuk mund të refuzonte një urdhër”.

Por ai kujton fjalët e fundit të një prej dy burrave që u ekzekutuan në praninë e tij: “Të Rrojë Partia, mos u bëni keq vajzave të mia!”./VOA

 

 

Dossier Koço Plaku Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur viktimat e komunizmit