Showbiz25 Qershor 2019, 18:58

Shqipëria- pa art, por me “tallavarë” milionerë, jeta luksoze e bukurosheve VIP

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria- pa art, por me “tallavarë” milionerë, jeta lukzose e bukurosheve VIP

A keni dëgjuar ndonjëherë për ndonjë artist të vërtetë, brenda kufirit, që jeton mes luksit dhe pasurisë? Ndonjë shkrimtar me famë, ndonjë aktor teatri, soprano, regjisor, kantautor, ndonjë piktor që falë punës së vet ka siguruar vilën 3-katëshe, zonën rezidenciale të banimit, makinën mijëra euroshe apo bizhu me diamante e firma që kapin shifra me shumë zero? Me siguri që jo! Ne nuk dimë ndonjë të paktën. Madje ndodh krejt e kundërta. Përtej faktit që tallavaja (dhe nuk e kemi fjalën vetëm për muzikën), po e mbyt pak nga pak edhe atë art që ka mbetur, në një treg të vogël si ky i yni, arti i vërtetë mezi e nxjerr kokën mbi sipërfaqe.

Ama provoni të shëtisni sytë rreth e rrotull, të lexoni lajme apo të studioni jetën e pseudovipave shqiptarë. Do t’ju tunden para syve shifra të çuditshme shpenzimesh, pushime të shtrenjta, shtëpi luksi, bizhu të çmuara e jetë luksoze, shpenzimet e të cilave zor se i justifikojnë fitimet zyrtare të atyre që i kanë. Do t’ju parashtrojmë një panoramë të shkurtër të vetëm disa prej tyre:

Hall i madh i ka zënë shqiptarët me pushimet e Luana Vjollcës në Maldive. Ishte me këtë apo atë mashkull! Me Krenarin a me ndonjë tjetër? Ama, Maldivet nuk janë si Gjiri i Lalzit. Në suitën ku Luana me buzët e mollëzat e faqeve të fryra si dreqi, aty ku biondja u shfaq me gjithë sensualitetin e vet, duhet të paguash plot 650 euro nata për të fjetur. Nuk po i hyjmë hesapit të udhëtimeve apo jetës së luksit që Luana bën në Tiranë. Me çfarë e paguan Luana këtë luks? Me rrogën që i japin te Topi?! Me siguri që jo!


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Le të mbetemi brenda familjes, tek motra e Luanës, Marina. E martuar me një reper kosovar, Getoar Selimi, që zor se ia mban mend njeri ndonjë rrjesht refreni a kënge, edhe Marina ka shijuar bregdetin e Barbadosit keto ditë. Brigje të largëta, pushime përrallore nga ato që vetëm milionerët botëror mund t’i shijojnë. Natyrisht edhe Marina lajmin alla shqiptar e bën vetëm me linjat e saj trupore dhe kaq. Sa për info të shtuar, çiftin e ka zënë edhe një “hall” tjetër këto kohë: akoma nuk kanë përfunduar punimet në shtëpinë e tyre luksoze dhe po jetojnë “si mos me keq” në një shtëpi provizore. Po Marina dhe Geti nga e kanë burimin e këtij luksi? Nga “Procesi Sportiv” që prezantonte Marina apo nga “miliona” disqet e shitura të Getit dhe “Babastars”? Me siguri që jo!

A e patë videon e fundit “që të shkrinte së qeshuri” të Bes Kallakut ndërsa vraponte të kapte një top të së bijës. A e vutë re makinën luksoze të Besit dhe atë tjetrën ngjitur me të. A e dini se pikërisht ai aktori i humorit që deri ca vite të shkuara të falenderonte 1000 herë edhe për një pagesë 300 mijë lekëshe (të vjetër natyrisht) për aktivitete të ndryshme, tani noton në luks. Pushimet bëhen vetëm jashtë Shqipërisë, ka më shumë se një shtëpi dhe në dasmën e madhështore me Xhensila Myrtezajn, vetëm këpucët e nuses kushtonin plot 3495 Euro sepse ishin të veshura me gurë Swarovski dhe dizenjuar nga Jimmy Choo. Nga vijnë këto para? Nga klipet e Xhensilës apo rroga e Portokallisë? Në fakt ka ca thashetheme që thuhen lart e poshtë, por ne nuk do merremi me to.

Jo më larg se dy ditë të shkuara portalet u mbushën me lajmin e dhuratës së çmuar Cartier që Ermal Hoxha i bëri bashkëshortes së tij, Rezarta Shkurta, pa ndonjë sebep. Një unazë dhe byzylyk me gurë të çmuar që kushtonin plot 14 mijë euro. E pra Ermali nuk ka shumë kohë që ka dalë nga burgu dhe Rezarta përveç vizitave në familjen e burrit nuk është se ka punuar aq sa për ta justifikuar jetën e shpenguar dhe luksoze që bëjnë. Apo u kanë tepruar edhe ca para prej tregtisë së drogës në të cilën Ermali ishte i përfshirë kokë e këmbë? Apo mos ndoshta….

Ndërsa Ermal Mamaqi dhe Amarda Toska nuk kanë shumë që e kanë lënë shtëpinë tek Kodra e Diellit, shtëpi i thënçin se ishte vilë 3-katëshe, për tu vendosur në rezidencën e tyre në Rrolling Hills. Aty ku çmimet e shtëpive fillojnë me 300 mijë, euro më e thjeshta, dhe shkojnë deri në 1 milionë euro. Natyrisht shtëpia e Amit dhe Ermalit nuk është për fare e thjeshtë. E pra ky biznesi i fustaneve të nusërisë duhet të jetë i jashtëzakonshëm përserisa të sigurokërka një jetesë të tillë. Gat-gati po tundohemi edhe ne ti hyjmë këtij zanati. Por a është vërtet vetëm ky burimi i të ardhurave? Për të qenë të sinqertë ka edhe plot biznese të tjera ky vend (me vetëm 2 mlionë banorë – imagjinoni sa persona mund të martohen në vit në Tiranë dhe sa është klientela e Amit), por asnjë syresh nuk e ka një pasuri të tillë. Përkundrazi!

Dhe qershia mbi tortë (por jo i fundit, sepse lista është e gjatë), është Noizy. A e patë në një foto me Lali Erin ku njoftonte se të gjithë studentët (të pajisur me kartë studenti tashmë) do të kishin ulje të produkteve të tij? A e dini se Noizy konsiderohet si një nga artistët me të pasur në Shqipëri, madje ndoshta me i pasuri. Koleksioni i tij i makinave dhe i orëve luksoze tregon shumë për llogarinë e tij bankare. Nga burojnë gjithë këto para? “Paguhem 15 mijë euro për koncert”, ka thënë në një intervistë Noizy. Ndoshta. Po ku dreqin janë gjithë këto koncerte ku Noizy merr pjesë, paguhet si super VIP dhe i lejon vetes një luks të tillë?

 E pra këmbana bie për kë ka veshë dhe një panoramë kaq e shkurtër, kaq e padetajuar dhe pa i hyrë fare në të thella çështjes, flet më shumë se gjithçka tjetër.

Një këshillë: Mos lexoni vetëm titujt kur të ndesheni me lajme të tilla. Mos u shikoni vetëm format e trupit dhe veshjen e ditës. Mendoni pak më gjatë. Prej nga vijnë gjithë këto para? Ndoshta do të ftilloheni se në ç’realitet jetoni e se çfarë duhet bërë për ta ndryshuar atë./Pamfleti/

Showbiz jeta luksoze e bukurosheve VIP por me “tallavarë” milionerë Shqipëria- pa art