Aktualitet10 Korrik 2019, 14:14

Shqiptarët në Serbi “peng të marrëdhënieve të këqija Beograd-Prishtinë”

Shkruar nga Pamfleti
Shqiptarët në Serbi “peng të marrëdhënieve

Shqiptarët në Serbi “peng të marrëdhënieve të këqija Beograd-Prishtinë”

Shkruan Maja Zivanovic

Fatmir Hasani nga Partia për Veprim Demokratik paralajmëroi se njerëzit nga rajoni i Luginës së Preshevës, e cila ka një popullsi shumicë shqiptare, ende përballen me probleme të vjetra të cilat po përkeqësohen nga përkeqësimi i marrëdhënieve dhe tensioneve të përditshme midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Ne jetojmë me sytë të mbyllur për shkak të gjithçkaje që është thënë dhe botuar. Dhe nuk dimë asgjë për të ardhmen,” tha Hasani për BIRN në një intervistë të realizuar nëpërmjet emailit.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi propozoi kohët e fundit një rezolutë që sugjeron që tre komunat jugore serbe – Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – duhet të bëhen pjesë e Kosovës. Ideja menjëherë nxiti një debat të ri midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Aq sa të drejta kanë serbët në Kosovë, në përpjesëtim me nurmin e banorëve, duhet t’u jepen edhe shqiptarëve që jetojnë në luginë,” tha Nait Hasani nga Partia Demokratike e Kosovës e Thaçit në seancën parlamentare të Kosovës më 2 korrik. Duhet të mbahet ende një votim përfundimtar për rezolutën.

Zyrtarët serbë e dënuan këtë nismë.

Hasani, i cili është përfaqësuesi i vetëm i pakicës etnike shqiptare në parlamentin serb, tha se gjithçka që ndodh midis Beogradit dhe Prishtinës ka një ndikim në njerëzit që jetojnë në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

“Ne u bëmë pengje të marrëdhënieve të këqija midis Beogradit dhe Prishtinës,” tha ai.

Kjo rezulton në intolerancë dhe paragjykim, shtoi ai.

“Dhe nuk ka asnjë vullnet që problemet tona të zgjidhen,” tha ai.

Hasani shpesh përdor pozitën e tij si deputet për të paralajmëruar autoritetet shtetërore për problemet e shqiptarëve etnikë në Serbi. Më 27 qershor, ai gjithashtu filloi krijimin e grupit të parë të miqësisë parlamentare me Shqipërinë, me qëllim lidhje më të mira midis parlamentit serb dhe atij shqiptar.

Edhe pse komuniteti etnik shqiptar e bojkotoi censusin serb në vitin 2011, kështu që numri i saktë i shqiptarëve në Serbi nuk mund të përcaktohet zyrtarisht, Hasani tha se disa vlerësime sugjerojnë se ka rreth 70,000, që përfaqëson rreth një për qind të popullsisë.

Gjatë një seance parlamentare në qershor, ai tha se shqiptarët në të tri komunat në Serbinë jugore kanë pasur të njëjtat kërkesa që nga viti 1990, kur ata patën më në fund deputetët e tyre të parë në parlament.

Hasani paralajmëroi se diplomat e tyre, të marra në universitetet në Kosovë, nuk janë njohur ende dhe se ata kanë 20 vjet që presin të kenë tekste shkollore fillore në gjuhën e tyre.

“Disa të drejta që i kishim gjatë sundimit të Titos dhe Sllobodan Millosheviçit tani nuk i kemi më,” tha ai për BIRN.

Ai vuri në dukje se një problem tjetër është se autoritetet shtetërore mbyllën gjykatën dhe prokurorinë themelore në Preshevë, ndërsa Bujanoci ka vetëm një njësi të prokurorisë themelore nga qyteti jugor i Vranjës.

“Ne nuk jemi të integruar në institucionet shtetërore. Për disa dekada, qeveria nuk ka investuar në zhvillimin ekonomik të Luginës së Preshevës. Në të gjitha këto komuna, papunësia është rreth 60 për qind,” shpjegoi Hasani.

Në dhjetor 2000, autoritetet shtetërore krijuan Organin Koordinues për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjen – një organ ekzekutiv me qendër në Beograd me zyra në të tri komunat.

“Roli i zyrës është të zbatojë politikën e presidencës së Organit Koordinues dhe të qeverisë së Republikës së Serbisë, me qëllim zhvillimin politik, social dhe ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës,” thotë faqja zyrtare e tij.

Në një nga daljet e tij më të fundit publike, Zoran Stankoviç, kreu i Organit Koordinues, hodhi poshtë nismën e Thaçit për Luginën e Preshevës.

“E kam thënë një milionë herë se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë pjesë e Serbisë dhe se kjo do të vazhdojë të mbetet kështu,” tha Stankoviç më 1 korrik, njoftoi agjencia e lajmeve Tanjug.

“Lugina e Preshevës duhet të diskutohet në Bruksel”

Drafti i dokumentit të propozuar nga Thaçi bëri thirrje që të respektohet “vullneti politik i shqiptarëve në Luginën e Preshevës për bashkim me Kosovën, i shprehur në referendumin e vitit 1992 dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin”.

“Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë kërkesa që ndihmojnë stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe kontribuojnë në vendosjen e paqes afatgjatë në rajon,” shtoi ai.

Në një referendum lokal në Luginën e Preshevës në vitin 1992, një shumicë votuan për autonomi territoriale dhe të drejtën për t’u bashkuar me Kosovën. Vota nuk u njoh si e vlefshme nga Beogradi apo nga komuniteti ndërkombëtar.

Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishte një forcë guerile e shqiptarëve etnikë që kërkonin të bashkonin Serbinë jugore me Kosovën në fund të viteve 1990, por u çarmatosën në vitin 2001 pas një marrëveshjeje paqësore të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht.

Hasani argumentoi se çështja e Luginës së Preshevës duhet të zgjidhet si pjesë e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

“Ajo duhet të vihet në agjendën e ekipit negociator midis Beogradit dhe Prishtinës,” tha ai.

Ai vuri në dukje se shqiptarët etnikë në Serbi nuk kanë të njëjtin përfaqësim politik si serbët etnikë në Kosovë.

“Serbët kanë tre ministri në qeverinë e Kosovës dhe përfaqësues në të gjitha nivelet e gjyqësorit, policisë dhe institucioneve shtetërore,” tha ai.

I pyetur se çfarë sheh si zgjidhje për mosmarrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës, Hasani u përgjigj: “Secili me të vetët.”

“Serbët nga veriu i Kosovës duan të jenë pjesë e Serbisë, ndërsa ne duam që vullneti i popullit nga referendumi 1992 të zbatohet,” shpjegoi ai.

Megjithatë, shtoi ai, “ne nuk duam të dalim kundër vullnetit të komunitetit ndërkombëtar”.

Ideja e një shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë ka shkaktuar reagime të përziera ndërkombëtare.

Këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit Donald Trump, John Bolton, tha se SHBA-ja nuk do ta pengonte një marrëveshjeje të tillë, por kancelarja gjermane Angela Merkel e kundërshtoi idenë./BIRN

Maja Zivanovic

Maja Zivanovic është gazetare e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Serbi.

Forum Fatmir Hasani Maja Zivanovic marrëdhëniet e këqija Beograd-Prishtinë shqiptarët në Serbi