Shqiptari Dritan Abazoviç propozohet për zëvendëskryeministër të Malit të Zi. “Mandatari Zdravko Krivokapiç ka prezantuar përbërjen e kabinetit të qeverisë me të cilën pretendon të udhëheqë Malin e Zi”, njoftojnë mediet malazeze të premten.
Për zëvendëskryeministër ka propozuar politikanin shqiptar nga Ulqini, Dritan Abazoviç, që është lider i lëvizjes URA.
Kjo lëvizje ka 4 deputetë në Kuvend. Për ta detyruar që të tërhiqej nga formimi i qeverisë, Dritan Abazoviç është kërcënuar së bashku me familjen. Pavarësisht kësaj nuk ka ende asnjë person të arrestuar për kanosjen që i është bërë liderit të lëvizjes URA.