Kosova 1 Korrik 2019, 13:40

Shtatë raste të dhunës në familje, meshkujt rrahin gratë, fëmijët, nënat e motrat

Shkruar nga Pamfleti
Shtatë raste të dhunës në familje, meshkujt rrahin

Shtatë raste të dhunës në familje, meshkujt rrahin gratë, fëmijët, nënat e motrat

Policia e Kosovës, në raportin e saj 24 orësh, ka raportuar për 7 raste të dhunës në familje në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës.

Rastet më të rënda cilësohen ato në Lipjan e Gjilan, pasi raportohet se bashkëshortët, përpos që kanë sulmuar fizikisht bashkëshortet e tyre, dhunë kanë ushtruar edhe ndaj fëmijëve të tyre, raporton Koha.net.

Në Lipjan, Policia njofton se më 30.06.2019, në orën 06:30, është arrestuar i dyshuari mashkull, shqiptar i Kosovës, i cili e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, së bashku me dy fëmijët e saj, ku si pasojë viktima ka pranuar tretman mjekësor.

“Pas intervistimit, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Në Gjilan, më 29.06.2019, në orën 23:50, Policia ka arrestuar të dyshuarin mashkull, shqiptar i Kosovës, i cili pas një konflikti verbal i ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij.

“Si pasojë e sulmit, dy viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raporton e Policisë.

Në Viti, raportohet se më 29.06.2019, në orën 22:00, është arrestuar i dyshuari mashkull, shqiptar i Kosovës, i cili pas një mosmarrëveshje verbale ka tentuar ta sulmojë bashkëshorten e tij.

“Sipas viktimës, edhe më parë nga i dyshuari kishte pasur dhunë psikike por rastin nuk e kishte raportuar në Polici. Pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, njofton PK.

Policia në Kaçanik, më 30.06.2019, në orën 21:40, ka arrestuar të dyshuarin, shqiptar të Kosovës, pasi kishte sulmuar fizikisht motrën e tij duke i shkaktuar lëndime trupore. I dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje.

Kurse në Gjakovë, më 29.06.2019, në orën 22:00, si pasojë e një mosmarrëveshje verbale rreth rrjetit social Facebook, është arrestuar i dyshuari mashkull, shqiptar i Kosovës, pasi i njëjti e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij e cila si pasojë ka pranuar tretman mjekësor.

“Pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës.

Edhe në veri të Mitrovicës, në rrugën “Car Dushani”, më 30.06.2019 në orën 15;00, viktima femër, serbe e Kosovës, raportohet të jetë sulmuar fizikisht nga djali i saj, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

“Viktima është dërguar për tretman mjekësor, pastaj është intervistuar. I dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe gjendet në arrati. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori publik”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin e saj 24 orësh.

Një rast tjetër ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku djali e kishte sulmuar fizikisht nënën e tij dhe të njëjtën e kishte mbajtur të mbyllur në banesë./Koha.net

Prishtine dhuna ne familje Policia e Kosovës Viktimat