Depozituesit individë me depozita më të mëdha se 2.5 mln lekë në fund të dhjetorit 2019, janë 95,974 dhe shuma e depozitave të tyre arriti vlerën 551.4 mld lekë çka do të thotë se 5.8% e depozituesve në sektorin bankar kanë 56.4 për qind të depozitave. Në raport me vitin 2018 ka një zgjerim të numrit të individëve që kanë depozita mbi 2.5 milionë lekë dhe rrjedhimisht edhe një rritje të vlerës që ky grup zotëron në formën e depozitave. Konkretisht për 2018-ën ishin 3.7 për qind e individëve që zotëronin 56 për qind të depozitave.
Depozitat e sigurueshme në banka dhe shoqëritë e kursim-kreditit
“Vlera e depozitave të sigurueshme në banka që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1,141 miliard lekë, çka përfaqëson 95.7 % të totalit të depozitave. Depozitat e sigurueshme të individëve zënë peshën më të madhe të depozitave të sigurueshme, konkretisht rreth 85.6% të tyre, ndërkohë që 14.4% janë depozita të sigurueshme të tregtarëve dhe shoqërive tregtare.
Depozitat e sigurueshme në lekë, në fund të dhjetorit 2019, zënë 48.5% të totalit të depozitave të sigurueshme, ndjekur nga depozitat në euro me 45%, dhe depozitat në USD 4.5%, duke ruajtur të njëjtat raporte me një vit më pare” nënvizon ASD.
Përveç depozitave në banka ASD ka detyrimin e sigurimit edhe të depozitave në shoqëritë e kursim kreditit dhe sipas raportit të 2019 totali i depozitave në këto shoqëri është 8.2 mld lekë në fund të vitit 2019, nga 6.9 mld lekë në vitin e kaluar, me një rritje vjetore të ndjeshme prej 19%. Depozitat e sigurueshme në shoqëritë e kursim-kreditit përbëjnë 98.9% të totalit, me një vlerë prej 8.1 mld lekë, në përfitim të 23,455 depozituesve.
“Në fund të vitit 2019, depozitat e sigurueshme në monedhë të huaj zënë 17.4% të totalit të depozitave të sigurueshme në shoqëritë e kursimkreditit, ndërkohë që pjesa e mbetur janë depozita në lekë. Detyrimi për kompensim i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit është 6.1 mld lekë, apo 14,482 depozitues” vlerëson raporti./ Monitor