Si do të “pastrohen” makinat e vjedhura në Shqipëri, Gjiknuri i jep privatit kontrollin fizik të automjeteve që vijnë nga jashtë.

Si do të “pastrohen” makinat e vjedhura në Shqipëri, Gjiknuri i jep privatit kontrollin fizik të automjeteve që vijnë nga jashtë.

Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor ishte një garanci që minimizonte hyrjen në Shqipëri të makinave të vjedhura në vendet e BE. Mungesë e plotë transparence në përzgjedhjen e kompanive private që do të bëjnë kontrollin fizik të automjeteve. Gjithë infrastruktura dhe logjistika vihen në dizpozicion të privatit, klientela e kryeministrit dhe ministrit marrin në dorë një nga një të gjitha pasuritë e shtetit shqiptar

Kontrolli fizik i automjeteve që hyjnë në Shqipëri nga vendet e Bashkimit Europian do të kalojë në dorë të privatit për pesë vitet e ardhshme.

Ministri i Infrastrukturës së Energjetikës Damian Gjiknuri, përmes një udhëzimi të nxjerrë në fundin e majit të këtij viti ka përcaktuar se do të jenë dy kompani private ato që do të marrin në dorë këtë shërbim ndaj qytetarëve.

Kontrolli fizik për çdo automjet që importohet dhe futet për herë të parë në Shqipëri deri më tani është realizuar nga ana Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor.

Njëherësh, sipas udhëzimit të Gjiknurit, shërbimi që kushton aktualisht 15 mijë lekë, ofrohet dhe sa herë që automjeti ndryshon pronësinë.

Referuar udhëzimit të ministrit Gjiknuri të dalë më 24 maj të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës do të vendosë për dy kompani private që do të autorizohen që për 5 vite të kryejnë kontrollin fizik të mjeteve motorike rrugore e rimorkiove. Kompanitë do të ofrojnë këtë shërbim në çdo qendër të kryerjes së kontrollit fizik, përmes dy specialistëve.

Madje sipas udhëzimit do t’u krijohen kushtet kompanive private që të marrin pa lekë mjediset ekzistuese pranë drejtorive rajonale të shërbimeve të transportit rrugor për ofrimin e shërbimit, sipas marrëveshjes që do të lidhin me DPSHTRR-në, në përputhje me ligjin.

Ndërkohë që nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor do të vijojë përdorimi i certifikatave të kontrollit fizik të lëshuara prej organizamave (kompanive) të miratuara, me fillimin e kryerjes së aktivitetit prej tyre, në përputhje me dispozitat e udhëzimit të Ministrit.

Ndërsa modeli i regjistrave fizikë dhe elektronikë i kontrollit fizik të mjeteve dhe i gjithë dokumentacioni i nevojshëm me të cilin DPSHTRR kryen kontrollin fizik, do të vihen në dizpozicion të kompanive private, brenda muajit.

Kurse certifikatat e kontrollit fizik të automjeteve do të mbajnë të njejtin formatim, përfshirë dhe numrat serialë, logon dhe të dhënat e kompanisë private.

Pra, udhëzimi është miratuar në mënyrë shumë diskrete, dhe më pas është botuar në fletoren zyrtare, duke kaluar në këtë mënyrë në dorë të privatit kontrollin fizik të automjeteve të të gjitha tonazheve që vijnë nga jashtë, një shërbim shumë i rëndësishëm që bëhej nga shteti.

Nuk ka të përcaktuar udhëzimi asnjë lloj procedure përmes të cilës janë përzgjedhur kompanitë private, të cilat do të kryejnë këtë shërbim, nëse është shkelur barazia mes subjekteve private të interesuara për këtë shërbim si dhe elementë të tjerë të transparencës.

Eshtë përcaktuar vetëm vënia në dizpozicion të kompanive të përzgjedhura me dëshirën e ministrit apo më lart tek kryeministri, gjithë infrastruktura dhe logjistika shtetërore e mëparshme.

Por më shqetësues është fakti se futet në dorën e privatëve të përzgjedhur pa ndonjë procedurë precize dhe transparente, kontrolli fizik i makinave që futen nga vendet e BE në Shqipëri.

Kjo rrit ndjeshëm “marzhin” e abuzimit dhe shkallën e rrezikshmërisë së hyrjes “pa doganë” të makinave të vjedhura në vendet e BE, të cilat pasi “certifikohen” në këto pika private shërbimi të kontrollit fizik, futen të “pastra” në tregun shqiptar të automjeteve.

Madje duke qënë se shërbimi vijon përpos kontrollit fizik dhe sa herë automjeti ndryshon pronësinë, cikli i “pastrimit” të këtyre automjeteve jashtë kontrollit të shtetit, është i plotë.

Mungesa e transparencës në miratimin e këtij udhëzimi, mënyra misterioze e përzgjedhjes së kompanive, si dhe ndjeshmëria që ekziston për futjen e makinave të vjedhura në Shqipëri, ngre hije të forta dyshimi për zbatimin e ligjshmërisë së kontrollit fizik të automjeteve.

Njëherësh tregon qartë se, klientela e kryeministrit dhe e ministrit po marrin në dorë një nga një të gjitha pasuritë e shtetit shqiptar./Pamfleti

 

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.
WhatsApp Denonco tek Pamfleti