Aktualitet12 Mars 2019, 12:17

Si e dënoi Enver Hoxha ministrin e tij të Arsimit, Gjergj Kokoshi

Shkruar nga Pamfleti

Si e dënoi Enver Hoxha ministrin e tij të Arsimit, Gjergj Kokoshi

Gjergj Kokoshi i kishte të gjitha mundësitë për të bërë karrierë e të kalonte një jetë të qetë. Vetë Enver Hoxha e kishte bërë ministër Arsimi, duke e vlerësuar si një njeri të zotin e të pakompromis. Por Gjergj Kokoshi ishte një intelektual i klasit të parë. Ai nuk do të bënte asnjëherë kompromis në hir të lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Do të jepte dorëheqje nga posti i ministrit, do të dilte kundër ligjit të zgjedhjeve dhe të tjerave nismave ligjore, që ndalonin veprimtarinë e grupimeve të tjera politike. U bë nismëtar dhe drejtues i një grupi opozitar, të quajtur Bashkimi Demokratik, me shpresën se do të merrnin pjesë në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1945.

Ndërhyri pranë misioneve të huaja për shtyrjen e zgjedhjeve, por këto të fundit nuk bënë asgjë në këtë drejtim. Të gjithë firmëtarët e memorandumit të Bashkimit Demokratik, të survejuar dhe spiunuar nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, atëherë…, u arrestuan dhe u dënuan me akuzën se donin të rrëzonin me dhunë qeverinë. Gjergj Kokoshi u dënua me 30 vjet dhe vdiq në burg në moshën 57-vjeçare.

Historia e Gjergj Kokoshit dhe 8 intelektualëve të tjerë, studiues, shkencëtarë, inxhinierë, etj. jepet në faqet e librit “Kur Sigurimi merrej me shkencë”, një botim i Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me projektin PERFORM. Një grup historianësh kanë shfrytëzuar dosjet e ish-Sigurimit, duke nxjerrë në dritë përndjekjen e elitës intelektuale shqiptare. Historia e Gjergj Kokoshit është hulumtuar nga historianet Sonila Boçi dhe Enriketa Pandelejmoni, sjellë në një variant të shkurtuar nga gazetarja Fatmira Nikolli.

NGA LIBRI

Më 1943-in, kur Tirana ka ndërruar dy pushtues në 5 vite, Gjergj Kokoshi i bashkohet Frontit Nacionalçlirimtar. Është 39 vjeç. Nga Shkodra ku ka lindur, në 1904-n, ka ikur për të studiuar në Itali dhe Francë për filozofi, është doktoruar në Paris për Letërsi dhe në vitet 1930 është kthyer për t’u bërë profesor në gjimnazin shtetëror në Shkodër dhe në Tiranë. Rrethanat dhe dorëzimi i dalëngadaltë i Shqipërisë nga ndikimi italian në pushtimin fashist, por edhe kundërshtimi i politikave të mbretit, e kanë bërë antizogist. Por edhe antifashist. Aq sa më 1940-n, kur ftohet të jetë pjesë në Konferencën e Parë të Studimeve Shqiptare, që shënoi themelimin e Institutit Mbretënuer të Studimeve, refuzon për arsye shëndetësore.

Kur lufta kishte filluar, Kokoshi kishte dëshmuar afiliacion me partizanët dhe lëvizjen e drejtuar nga Partia Komuniste. Pasi kishte propaganduar idetë antifashiste dhe përhapjen e tyre te të rinjtë në shkolla, profesori kishte lënë klasat dhe ishte bërë pjesë e rezistencës së armatosur kundër pushtuesit në veri të Shqipërisë, në Dibër, duke arritur të gradohej deri kolonel.

Emri i tij fillon të bëhet i njohur pas Kongresit të Përmetit, kur nis instalimi i regjimit komunist në Shqipëri. Filozofi i diplomuar edhe për Letërsi ishte zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, strukturë e qeverisjes në atë kohë.

Historiania Enriketa Pandelejmoni, mbi studimin e së cilës bazohet ky artikull, thotë se duhet të jetë propozuar si i ngarkuar me punë për arsimin që gjatë ditëve të Kongresit në maj, pasi emri i tij gjendet në një dokument pa firmë, ndërsa zyrtarisht Kokoshi u ngarkua më 20 qershor 1944. Enver Hoxha e prezantoi me elozhe të mëdha, si pjesëmarrës i Lëvizjes “njeri që nuk ka bërë kompromise dhe kompetent me eksperiencë në fushën e arsimit”. Katër muaj më vonë, në mbledhjen e Këshillit në Berat, Kokoshi emërohet ministër i Arsimit në qeverinë provizore të drejtuar nga Hoxha.

Megjithëkëtë, siç mësohet nga Dosja Formulare e ish-deputetit Selaudin Toto, edhe gjatë luftës, Kokoshi ishte i pakënaqur nga elementët e majtë ekstremë, që ishin në pushtet. Pavarësisht situatës, ish-profesori organizon Kongresin e Arsimtarëve Antifashistë dhe përpilon platformën për arsimin. Është koha kur pikëpamja e Kokoshit për zhvillimin cilësor të arsimit përplaset me pikëpamjen e Sejfulla Malëshovës për masivizimin e arsimit. Debate mes tyre ka edhe mbi kompetencat e Ministrisë së Kulturës Popullore, si dhe mbi zërin e ulët që i është lënë arsimit në buxhetin e vitit 1945, kur më parë i ishte rezervuar 13%. Kokoshi nis ta gjejë veten jashtë rryme, teksa ata që fituan luftën po konsolidonin pushtetin. Besonte, se Lëvizja Nacionalçlirimtare nuk qe njëqind për qind e së majtës ekstreme. E dinte se në të kishte edhe të moderuar, por fakti që ata më ekstremistët morën pushtetin, nuk i pëlqente, madje, shkaktonte dëshpërim edhe te shumë të tjerë.

454578787

Pas rreth 80 ditësh ministër, përtej përplasjeve, profesori kuptoi që nuk arrinte dot të sillte në jetë vizionin e tij. Gjergj Kokoshi jep dorëheqjen më 13 janar 1945, ndërsa Malëshova është ministër Kulture e Propagande dhe më vonë, ministër Arsimi.

Vijon të jetë pjesë e Këshillit Nacionalçlirimtar, i cili në gusht 1945 quhet Fronti Demokratik, por e shpreh hapur kundërshtimin e tij ndaj ligjit të ri zgjedhor, që nuk lejonte pjesëmarrjen në zgjedhje të partive të tjera. Kjo ndodhte kur aleatët ndërkombëtarë, si SHBA e Britania kishin vënë kusht për njohjen e qeverisë, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Në zgjedhjet lokale, Partia Komuniste vuri në lista njerëzit e vet “të sprovuar në luftë, të vendosur dhe besnikë ndaj interesave të popullit”. Tashmë po merrte në duart e veta drejtimin e shtetit, duke eliminuar më parë “përfaqësuesit e reaksionit”. Gjergj Kokoshi kandidoi në zgjedh jet lokale të mbajtura në maj 1945, në Lagjen e Re në Tiranë, por nuk mundi të zgjidhej. Kishte marrë vetëm 17 vota.

Më 27-29 shtator, dy muaj para se të mbaheshin zgjedhjet qendrore të 2 dhjetorit 1945, u miratua një paketë ligjore për to. Ligji Elektoral, Ligji mbi Asamblenë Kushtetuese si dhe Ligji mbi Listat e Votuesve, kufizonin zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Fronti Demokratik që drejtohej nga komunistët nuk lejonte krijimin e grupeve të vogla politike, procesi i administrimit të votimit, nga komisionet te mbikëqyrësit, sipas historianes Sonila Boçi, ishte në duart e tyre.

Pakënaqësitë ishin të mëdha. Që kur ishin bërë diskutimet mbi hartimin e ligjit, Gjergj Kokoshi, në atë kohë ministër i Arsimit, por edhe anëtar i Këshillit të FANÇ, ishte shprehur se nuk ishte i përshtatshëm me parimet demokratike. Ai doli hapur kundra miratimit të tij, duke argumentuar se cenonte vendosjen e një rendi demokratik dhe pluralist. Vërejti se në kushtet e pasluftës, ligji nuk u mundësonte njerëzve të arsimuar dhe të kualifikuar të kontribuonin dhe nuk u jepte kohën e mjaftueshme grupimeve jashtë tyre. Ai theksonte se kjo binte ndesh me parimet e demokracisë liberale. I dorëhequr nga posti i ministrit, në mbledhjet e Këshillit ku ende ishte pjesë, Kokoshi ngulmonte të vinte në dukje dëmet e politikave të ashpra ekonomike, që, sipas tij, mund të justifikoheshin për kriminelët e luftës, por jo të merreshin masa të rrepta e rekuizim pasurie ndaj familjeve të tyre, sidomos kur personat në fjalë kishin vdekur. Ai këshillonte kujdes për tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës, sepse siç po bëhej, ishte kthyer në makth për tregtarët.

I dorëhequr dhe në kushtet kur zëri u tij nuk dëgjohej, ndërsa masat e marra kishin shkaktuar frikë kudo, Gjergj Kokoshi vendosi të rimendojë pozicionin e tij brenda Frontit dhe mundësinë e largimit. Ai e dinte se në publik flitej kundra Frontit, e dinte se s’kishte liri dhe se vendi ishte në diktaturë, ndaj e shihte veten në zgjedhje jashtë listave të tyre. Prej kohësh, duke e njohur natyrën e tij, antikomunistë të tjerë e kishin kontaktuar që të organizohej me ta, ndonëse ndjehej pezmi mbi mënyrën si po bëheshin zgjedhjet dhe frika e kandidimit jashtë Frontit.

Kishte takuar disa herë intelektualë si Shefqet Beja, Selaudin Toto, Riza Dani, Kosta Boshnjaku, Kol Kuqali, Irfan Majuni e Musine e Salim Kokalari, duke shpresuar te mbështetja amerikane për të formuar një parti klandestine, me parime të demokracive perëndimore. Ishte menduar të shtrihej ndikimi te shtresat e pakënaqura sociale dhe të prekurit nga regjimi i ri, tregtarë, pronarë, çifligarë dhe intelektualë me parime të kundërta me pushtetin popullor. Kokoshi propozon që në fillim themelimin e një opozite dhe daljen si parti më vete në zgjedhjet e 2 dhjetorit, edhe pse e kundërshtuan dhe e këshilluan që më mirë të rrinin brenda Frontit Demokratik se sa të dilnin më vete. Doemos, një organizimi politik nën presionin e kohës e një ligji elektoral që nuk u jepte hapësirë, kishte jo vetëm mendime ndryshe, por edhe përplasje.

Ishin bashkë me të grupi socialdemokrat i Musine Kokalarit, por edhe simpatizanti i monarkistëve Qenan Dibra. E gjithë kjo bëhej në kushtet e një terrori politik të nisur me gjyqet speciale e gjyqet e popullit të marsit 1945 në fillim ndaj “kriminelëve të luftës”, e më pas ndaj antikomunistëve në veri.

Megjithëse situata nuk i favorizonte organizimet politike kundër qeverisë, presioni i ndërkombëtarëve, lejimi i gazetarëve të huaj në fushatë dhe votime, u bënë nxitës që jokomunistët të dilnin me listat e veta në zgjedhje. Me vetëm dy muaj kohë, në takimet e fshehta u kuptua që do të ishte e vështirë të siguroheshin firmat e nevojshme për të shpallur kandidaturat apo grupin politik. U mblodhën vetëm 25-30 firma, krejt të pamjaftueshme. Më 17 nëntor 1945 grupi doli me emrin “Bashkimi demokratik”, si bashkim i rrymave politik, me qëllim formimin e një opozite.

Në këtë kohë Kokoshi kupton që është i nevojshëm hartimi i një programi dhe i një lutjeje, të nënshkruara prej disa “njerëzve të ndershëm me qëndrim politik korrekt”. Programi ngjante me atë të Frontit Demokratik, ndaj Kokoshi thotë se është kundra politikës së qeverisë shqiptare, që “don me bashkue Shqipërinë me Jugosllavinë”. Për të, ky bashkim ishte kundra vullnetit të popullit shqiptar, i cili “don që Shqipëria të mbetet shtet indipendent dhe sovran, na duhet ta rum një shtet të tillë, por pa Gjirokastër e pa Korçë nuk ka shtet shqiptar”. Për çështjen e Kosovës, ndryshe nga të tjerët, sugjeron të lihet mënjanë për momentin “pasi Jugosllavia na ndihmon për me rujt integritetin tokësor”. Studiuesja Enriketa Pandelejmoni shprehet se Gjergj Kokoshi kishte besim te misionet britanike dhe amerikane në Shqipëri dhe tek influenca e tyre mbi qeverinë e tyre. Me naivitet ai thotë se programi dhe lutja duhej t’i dërgoheshin qeverisë shqiptare, pasi ai kishte biseduar me gjeneralin britanik Hodgson. Logjika e drejtë e Kokoshit mbi hapat që ndërmerren para zgjedhjeve për një grupim të ri politik, bëheshin në kohën e gabuar. Ai ende nuk e kish kuptuar.

Propozimi i tij pritet me skepticizëm nga pjesëmarrësit në mbledhje. E dinin që po të informonin qeverinë për formimin e kësaj partie, rrezikonin të arrestoheshin. Por Kokoshi këmbëngulte, duke shtuar se duhej marrë parasysh edhe arrestimi në momentin që po krijonin një parti opozitare si Bashkimi Demokrat që përfshinte të pakënaqurit, monarkistët e socialdemokratët. Ishte rënë dakord që kryesia e opozitës t’i lihej Kokoshit. Drejtimi i besohej profesorit, se njihte mirë rininë në shkolla e gjimnaze e do të mund ta organizonte atë. E shihnin si personin më të përshtatshëm pasi kishte qenë në Front, kishte luftuar, kishte qenë ministër dhe ishte një personalitet i njohur për aleatët…

Më 20 nëntor u vendos që t’u dërgohej misioneve ndërkombëtare një notë mbi shtyrjen e zgjedhjeve, formën demokratike të regjimit pas tyre dhe mundësinë e kthimit të mbretit Zog në Shqipëri, nëse e vendosnin votuesit. Në një mbledhje tjetër u hartua një memorandum, ku bëhej me dije se zgjedhjet nuk mund të zhvilloheshin lirisht, sepse populli do të votonte Frontin nga frika. Memorandumi i opozitës së drejtuar nga Kokoshi përmblidhte çfarë po ndodhte në vend dhe cili qe ndryshimi që ofronin ata.

Theksohej se komunistët luftuan dhe premtuan një sistem demokratik, ndaj të rinjve nuk u shkoi në mendje se po niste ngritja e një regjimi komunist në Shqipëri. Kujtohej se Fronti nuk lejonte formimin e një partie tjetër, as shkëputjen nga Fronti. “Në të dy rastet akuzohen si sabotatorë, fashistë dhe reaksionarë. Rasti i prof. Gjergj Kokoshit, më parë ministër i Arsimit në qeverinë e Enver Hoxhës e tregon qartë këtë gjë”, nënvizonte memorandumi, duke shtuar se në nëntor 1945.

“të tria fuqitë, pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ndarja e të cilave garanton një regjim me liri politike, në fakt janë një përzierje”. Njëherësh informohej se “katër liritë (e fjalës, e fesë, e nevojës dhe e frikës) janë shkelur nën këmbë”….

Por kur ua dorëzuan dy ushtarakëve anglezë, Palmer dhe Arnott, në misionin e tyre në Tiranë, morën përgjigje se ishin shumë vonë dhe pak shpresë kishte për shtyrjen e zgjedhjeve, por sidoqoftë do t’ia dorëzonin gjeneralit Hodgson. Koloneli Palmer dhe majori Arnott, më vonë do të mohonin t’i kishin bërë premtime konkrete opozitës…

Bashkimi Demokrat hodhi idenë e një kryengritjeje kundër regjimit komunist dhe të një demonstrate para zgjedhjeve, më 29 nëntor për festën e pavarësisë. Qe përgatitur madje edhe një thirrje për popullin. Demonstrata nuk u mbajt prej frikës së survejimit. U hodhën vetëm trakte kundra pushtetit. Misionet e huaja nuk ndërhynë pranë qeverisë shqiptare për të shtyrë zgjedhjet. Zhgënjimi dhe hidhërimi qe i madh. Musine Kokalari i rrëfente në fshehtësi nipit më 1972-in se “Aleatët nuk i ndërhynë qeverisë dhe heshtën mbi një çështje, e cila, logjikisht, rezultoi si e pashmangshme për dënimin e firmosësve. Një nga një firmëtarët u arrestuan me akuzën për rrëzim të qeverisë. Pasojat për të gjithë këta njerëz janë thjesht të imagjinueshme”.

E ardhmja qe fatale për Bashkimin Demokratik, që ndërkohë ishte survejuar nga strukturat e Seksionit të Mbrojtjes Popullore (Sigurimi). Katër informatorë dhe bashkëpunëtorë të tij ishin vënë brenda opozitës. Goditja ishte e afërt. Në dhjetëditëshin e parë të 1946-s filluan arrestimet. Mes të parëve.

që arrestuan ishte dhe Gjergj Kokoshi e Musine Kokalari, por në total 37 vetë u futën në qeli. Gjyqi ndaj tyre nisi 6 muaj më vonë në Tiranë. Ishte data 17 qershor 1946. Në kinema “Nacional”, në prani të një populli të “zgjedhur” dhe gazetarëve vendas, gjykimi zgjati 15 ditë dhe u transmetua në radio, që ta dëgjonin njerëzit në çdo skaj të Shqipërisë. Ishin para Gjykatës së Lartë Ushtarake. I akuzuan se ishin mbledhur për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor, për të shkaktuar një ndërhyrje të imperialiste të jashtëm, që të kishte vetëvrasje dhe të bënin atentate kundra udhëheqësve.

Gjergj Kokoshi, që e kishte marrë parasysh edhe arrestimin, akuzohej se kishte udhëzuar e frymëzuar për të tërhequr sa më shumë elementë; akuzohej se i kishte mësuar të përpilonin nota për misionin e huaj dhe se kishte shfrytëzuar vendin, emrin dhe kredinë që i kishte dhënë Fronti për të sabotuar e përmbysur pushtetin.

Profesori, i diplomuar në Filozofi e Letërsi, ish-kolonel, ish-ministër dhe ish-kryetar opozite, vendos të mbajë një fjalë në mbrojtje të tij. Vetë fjala mungon në aktet gjyqësore, por ka mbetur deri sot fraza e tij që pohonte se “qeveria komuniste nuk përfaqësonte vullnetin e popullit”, ndaj ai i ishte bashkuar opozitës. Duke e ditur që gjyqi ishte farsë, ai vendos të mos flasë më dhe thjesht pyet se “çka ishte në ishte në kundërshtim me ligjet shtetërore në fuqi?”

Më 2 korrik 1946 u dhanë dënimet për 37 persona, prej të cilëve 8 u pushkatuan dhe të tjerët u dënuan me 2-30 vjet. Informatorët e Sigurimit u dënuan minimalisht ose u liruan si të pafajshëm.

Kokoshi dënohet me 30 vjet burg, punë të detyrueshme, humbjen e të drejtave qytetare dhe politike e konfiskimin e pasurisë. Pas gjashtë muajsh në Tiranë, dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel. Opozita që drejtoi, Bashkimi Demokratik, nuk arriti të dilte në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 dhe anëtarët e saj u arrestuan kudo. Dënimi i tij do të mbaronte në 23 janar 1976, por ai ndërroi jetë në Burgun e Burrelit më 1961-n në moshën 57-vjeçare. Vuante nga tuberkulozi dhe kushtet e këqija duhet ta kenë përshpejtuar ikjen. 18 vitet e fundit të jetës, prej kur iu bashkua Luftës, qenë një udhëtim drejt vdekjes. Gjergj Kokoshi nuk u martua dhe nuk la fëmijë. Mundi të linte vetëm shembullin se si njeriu heq dorë nga pushteti, kur sheh se a po e ha shtetin dhe liritë e qytetarëve. Mundi të vërtetonte edhe fjalët e Enver Hoxhës për të, kur e cilësonte si njeri të pakompromis./Panorama

Dossier denimi Enver Hoxha ministri Arsimit