Si nuk e vazhduat gjumin edhe pak?

Si nuk e vazhduat gjumin edhe pak?

Me vite të tëra burokratët e Brukselit kanë propaganduar se «Prishtina dhe Beogradi» po negociojnë për të mirën e të dy popujve, madje është thënë se krerët politikë kanë arritur «marrëveshje historike». Tani Federica Mogherini, Johannes Hahn dhe përkrahësit e tyre bërtasin: ngutuni të gjejmë një zgjidhje për Kosovën, sepse në Parlamentin e ri Evropian do të dominojnë të djathtit dhe do të bëhet shumë më keq.

Shkruan Enver Robelli

Para disa ditësh në Tiranë u pa të vërtitej korridoreve socialdemokrati austriak Hannes Swoboda. Ishte aty edhe i pashmangshmi Wolfgang Petritsch. Të dy ishin ftuar në një konferencë për ujdisjen e raporteve serbo-shqiptare; në këtë konferencë, të organizuar nga Tanjugu i Serbisë dhe Agjencia Telegrafike e Shqipërisë, u tha se ka aq shumë potencial për bashkëpunim mes dy vendeve – Shqipërisë dhe Serbisë. U përmend sidomos turizmi. U përmend edhe Kosova, por më shumë si një temë e pakëndshme, e cila e pengon «vëllazërinë e re» serbo-shqiptare.

Wolfgang Petritsch tashmë hapur vepron si lobist i Qeverisë së Serbisë, e cila synon ndarjen e Kosovës. Ndërsa europarlamentari Hannes Swoboda ka disa qëndrime të përgjithësuara, tipike për një pjesë të socialdemokratëve evropianë, të cilët shquhen për naivitetin e tyre të pakufishëm, por edhe për cinizëm. Ishte qesharake të shihje Swobodën nëpër korridoret e Tiranës katër vjet pasi më 2014 me nënshkrimin e tij kishte propozuar që zëdhënësi i Slobodan Milosheviqit, Ivica Daçiq, dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, të merrnin çmimin “Nobel” për paqe, bashkë me Catherine Ashton, atëbotë kryediplomate e Bashkimit Evropian.

Aq seriozisht e menduan këtë punë Swoboda dhe shokët e tij majtistë, saqë i dërguan një letër Thorbjörn Jaglandit, kryetar i Komitetit të Nobelit. Swoboda citohej me këto fjalë: «Besoj se jemi dëshmitarë se tani është hapur ‘Window of Opportunity’ mes Kosovës dhe Serbisë». «Window of Opportunity» është një fjali që përdoret shpesh nga burokratët kur nuk kanë çka të thonë. Është nga ato fjalitë që i vjen duhmë e «workshopave». Kjo fjali tregon se është hapur një dritare, janë hapur disa mundësi, në rastin konkret mes Kosovës e Serbisë, dhe këtë mrekulli e paskëshin bërë të mundur dy burra të shquar (Daçiq dhe Thaçi) dhe një grua edhe më e shquar (Ashton). Swoboda tha po ashtu se konfliktet e mëhershme kanë treguar se nganjëherë duhet vetëm një «Window of Opportunity», një dritare e vogël, një shans i papërsëritshëm, për të gjetur një zgjidhje paqësore.

Katër vjet më vonë, “Nobeli” ende nuk i është ndarë as Ashtonit, as të përkëdhelurve të saj nga Beogradi dhe Prishtina, madje çfarë po shohim muajve të fundit janë vetëm disa skena bizare: njëri pas tjetrit burokratët e BE-së po kërcejnë nga ajo dritarja e famshme, nga «Window of Opportunity», sepse çfarë e kishin parë e lavdëruar dje si arritje historike të denjë për t’u shpërblyer me “Nobel”, sot është vetëm një grumbull rrënojash që kërkon zgjidhje krejt tjetër, ndryshim kufijsh, korrigjim kufijsh, ndarje e çka jo tjetër.

Pranë kësaj rrëmuje qëndron Federica Mogherini, e cila bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë i ka shoqëruar si statiste indiferente dhe me lavdërime pothuaj mekanike. Me vite të tëra burokratët e Brukselit kanë propaganduar se «Prishtina dhe Beogradi» po negociojnë për të mirën e të dy popujve, madje është thënë se krerët politikë kanë arritur «marrëveshje historike». Tani Federica Mogherini, Johannes Hahn dhe përkrahësit e tyre bërtasin: ngutuni të gjejmë një zgjidhje për Kosovën, sepse në Parlamentin e ri Evropian do të dominojnë të djathtit dhe do të bëhet shumë më keq. Çdo njeri racional, çdo vëzhgues politik është i prirë që këtyre burokratëve t’u thotë: Si nuk e vazhduat gjumin edhe pak?

Mogherini, Hahn dhe të tjerët duan të zgjidhin një problem pesë minuta para se të përfundojë mandati i këtij Parlamenti Evropian dhe të zgjidhet i riu. Kjo nguti e tyre tregon edhe njëherë mungesën e aftësisë, gatishmërisë dhe vendosmërisë shumëvjeçare të BE-së për t’i bërë presion sidomos Serbisë për të pranuar pavarësinë e Kosovës. Serbia trajtohet në Bruksel përherë me dorëza të buta dhe e shantazhon BE-në me kërcënim bosh: «Ose na pranoni në BE, ose lidhim aleancë me Rusinë».

Nuk ka një politikan evropian që thotë: «Mirë, atëherë BE-ja do të ndërpresë çdo ndihmë për Serbinë». Kërcënimi serb me aleancën me Rusinë është kërcënim pa përmbajtje, por funksionon për shkak se BE-ja nuk ka strategji për rajonin. Në dy dekadat e fundit BE-ja ka toleruar politikanët autokratë në rajon, duke shpresuar se ata e mbajnë situatën nën kontroll. Ata vërtet po e mbajnë situatën nën kontroll, por jo njerëzit: ata po ikin si nga Serbia, si nga Kosova, si nga Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, madje edhe Kroacia.

Në një ese për revistën gjermane «Der Spiegel», historiani i famshëm gjerman Heinrich August Winkler shkruan: «Republika Popullore e Kinës është duke i bërë të varura financiarisht dhe ekonomikisht një numër të madh të shteteve të Evropës së mesme lindore dhe juglindore; Rusia e Putinit po e shfrytëzon çdo rast për të futur një pykë mes shteteve të Bashkimit Evropian. Kur në Këshillin Evropian bëhet fjalë për sanksione kundër Rusisë apo për respektimin e të drejtave të njeriut në Kinë, vendimet unanime janë gjithnjë e më vështirë të arritshme ose ato merren vetëm në formë të zbehtë. Sipas Komisionit të BE-së, kjo bashkësi e shteteve (BE) pritet të zgjerohet në dekadën e ardhshme – në Ballkanin Perëndimor. Për këtë zgjerim përmenden para së gjithash arsye strategjike: kush dëshiron që të rritet ndikimi rus apo kinez në Evropën Juglindore?

Sado logjik të tingëllojë ky argumentim, me dëshirë do të donim të dinim nëse përkrahësit e zgjerimit të shpejtë në Evropën Juglindore kanë menduar se pranimi i Serbisë tradicionalisht rusofile në BE për Moskën do të mundë të ishte një perspektivë jashtëzakonisht joshëse: një aleat më i mirë i Rusisë brenda Bashkimit Evropian vështirë mund të merret me mend. A është e mundur që miqtë e zgjerimit sërish po përpiqen të bashkojnë diçka të papërputhshme – që duke e zmadhuar bashkësinë njëkohësisht të zvogëlojnë kapacitetin e veprimit në politikën e jashtme? Argumentet që vlenin qëmoti kundër anëtarësimit në BE të Turqisë pamatshëm nacionaliste vlejnë në rrethanat e tanishme edhe kundër pranimit të Serbisë po ashtu radikale nacionaliste: jo çdo rritje është fitim».

Në të vërtetë, zgjerimi i BE-së në Ballkan do të ishte fitim për BE-në, por duke luajtur rol aktiv, duke ushtruar presion dhe duke mos toleruar që një grusht politikanësh mashtrues të tërheqin për hunde krerët e BE-së./Koha.net

Loading...
error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.
WhatsApp Denonco tek Pamfleti