Aktualitet 8 Maj 2019, 07:25

Si SHBA vendosi të njihte qeverinë e Enver Hoxhës në tetor 1945, Greqia vijonte të kishte pretendime territoriale

Shkruar nga Pamfleti
Si SHBA vendosi të njihte qeverinë e Enver Hoxhës në tetor

Si SHBA vendosi të njihte qeverinë e Enver Hoxhës në tetor 1945, Greqia vijonte të kishte pretendime territoriale

Amerikanët kanë treguar detaje se si në tetor 1945 vendosën që të njohin qeverinë e Enver Hoxhës. Në një letër të deklasifikuar nga DASH, tregohen se kushti kryesor që u vu ishte që të mbaheshin zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por kjo lëvizje solli reagime në Greqi, pasi Athina kishte pretendime territoriale.

Uashington, 13 tetor, 1945

Sekretari i shtetit për Ambasadorin në Bashkimin Sovjetik: Në lidhje me njohjen e qeverisë së Shqipërisë, qeveria e SHBA njofton ambasadat e saj në Britani dhe BRSS, se një mision informal amerikan ka qëndruar në Shqipëri për të vëzhguar kushtet e brendshme në lidhje me kërkesën e gjeneral Hoxha për njohje nga fuqitë aleate. Prandaj qeveria e SHBA kërkon të koordinohet me aleatët e madhej dhe sipas kushteve, të formulojë deklaratën e përbashkët për njohjen te autoritetet shqiptare. Misioni amerikan ka dhënë tashmë raportin final dhe rekomandimet e tij, dhe qeveria e SHBA kërkon të bëjë të ditur konkluzionet e saj për njohjen e qeverisë së Shqipërisë:

1. Të jepet njohja për autoritete aktuale në Shqipëri si Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë;

2. Akti i njohjes të mos kryhet derisa të nisë angazhimi i autoriteteve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira për të mundësuar që populli të zgjedhë asamblenë kushtetuese e cila do të vendosë formën e përhershme të qeverisjes dhe administratën.

Në lidhje me pikën e parë, njohja duhet të jepet pasi regjimi në Shqipëri ka mbështetjen më të madhe sesa çdo grup opozitar dhe të gjitha ata të marrë së bashku, si dhe ka dhënë prova për kryerjen e detyrave qeveritare dhe ndërkombëtare. Regjimi aktual i dalë nga aleanca pro-Aleate e rezistencës kundër pushtuesve, ka treguar iniciativë dhe energji për trajtimin e problemeve të rindërtimit dhe dëshiron me sinqeritet përmirësimin e mirëqenies së popullit shqiptar.

Pika 2 është një garanci për të ruajtur të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur formën e qeverisjes që dëshirojnë, e drejtë kjo e konfirmuar në Dokumentin e Atlantikut, Deklaratën e Krimesë si dhe nga deklaratat e ministrave të jashtëm të Britanisë, SHBA dhe BRSS në dhjetor 1942.

Zotimii qeverisë shqiptare për mbajtjen e zgjedhjeve të lira duhet të përfshijë pikat e mëposhtme:

a. zgjedhjet të kryhen në liri të plotë dhe pa kërcënime ose intimidime;

b. të gjitha grupet e individët jo-fashistë në Shqipëri të gëzojnë liri shprehjeje dhe të prezantojnë kandidatët e tyre dhe të kërkojnë mbështetjen e popullit me mjete të ligjshme e të rregullta.

c. zgjedhjet duhet të bëhen me votë të fshehtë;

d. Të ruhet liria e shtypit dhe gazetarët e huaj të lejohen të vëzhgojnë e raportojnë lirshëm mbi zgjedhjet parlamentare, si dhe punën e tij pas zgjedhjeve

Ia vlen të përmendet se Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar tashmë ka kaluar vullnetarisht ligjin elektoral me nene që duken të pranueshme nga konventat e mësipërme. Pranimi i rezultateve të zgjedhjeve në Shqipëri do të varet nga mënyra e kryerjes së tyre. Qeveria beson se njohja është veprim është i nevojshëm dhe duhet bërë pa humbur kohë pasi populli shqiptar ka vuajtur shumë dhe ka luftuar ashpër për lirinë e tyre prej 6 vjetësh. Çdo shtyrje e njohjes mund të sjellë prishje të unitetit mes tyre dhe të largojë vëmendjen e autoritetet nga çështjet e rindërtimit. Gjithashtu vazhdimi i paqartësisë aktuale për statusin e vendit mund të rrezikojë pavarësinë e tij, për të cilën përfaqësuesit e SHBA, Britanisë e BRSS janë shprehur qartë se dëshirojnë të vendoset. Nëse ka dakordësi për propozimin e mësipërm, qeveria e SHBA sugjeron që Gjen Hoxha të informohet njëkohësisht nga tre fuqitë Aleate për vendimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike sipas parimeve e procedurave të përmendura. Do të preferohej një njoftimi të jepej para 1 nëntorit për të siguruar që autoritetet të kryejnë zotimin për zgjedhjet që janë planifikuar më 2 dhjetor.

Memorandum bisede nga kreu i divizionit të çështjeve lindore

Uashington, 19 tetor 1945

Ambasadori grek erdhi me kërkesën e tij dhe i dorëzoi Acheson një memorandum pa datë ku paraqiteshin pretendimet greke për kthimin e ishullit të Sazanit në sovranitet të Greqisë, me argumentimin se ishulli nuk duhet të jetë pjesë e zgjidhjes me Italinë por të konsiderohet si pjesë e zgjidhjes së çështjes së Epirit të Veriut. Për këtë ambasadori iu referua një raporti nga Londra të publikuar nga New York Times më 23 shtator 1945, ku mes të tjerash thuhet se ishulli i Sazanit duhet t’i jepet Shqipërisë.

Londër, 23 tetor 1945

Ambasadori në Britani (Winant) për sekretarin e shtetit : Zyra e jashtme Britanike i është përgjigjur letrës së Departamentit me datë 21 tetor, si më poshtë:

“Qeveria e madhërisë së tij pranon se ka avantazhe për dhënien e hershme të njohjes për qeverinë aktuale në Shqipëri dhe pranojmë se më mirë kjo të bëhet në mënyrë të njëkohshme e të koordinuar nga përfaqësuesit britanikë, rusë e amerikanë në Tiranë. Qeveria e SHBA është në favor të kërkimit të garancive nga Gjeneral Hoxha për mbajtjen e zgjedhjeve të lira para dhënies së njohjes. Zotimet sigurisht do të jepen shpejt por qeveria e Hoxhës kontrollohet nga komunistët dhe ka shumë dyshime nëse premtimet do të zbatohen në praktikë. Në fakt edhe zgjedhjet në Shqipëri nuk pritet të jetë kurrë ‘demokratike’ në sensin që kuptohet në Britani apo SHBA. Qeveria e Madhërisë së tij e konsideron të paevitueshëm një zhvillim të tillë, prandaj dhe kërkesat e mundshme të garancive nuk duhet të formulohen në mënyrë të tillë që të nënkuptohet se ne do të reagojmë në rast të mos-plotësimit të tyre. Në lidhje me këtë ne duhet të pranojmë se do të jetë e dobishme që të marrin garancitë përkatëse nga Hoxha, sipas sugjerimeve në letrën tuaj. Unë i trembem vendimit për njohjen e Shqipërisë pasi do të pritet keq në Greqi ku mund të interpretohet se tre qeveritë tona kanë vendosur të mos mbështesin pretendimet territoriale greke kundër Shqipërisë. Prandaj ne sugjerojmë se qeveria greke duhet të informohet paraprakisht se dhënia e njohjes nuk përfshin njohjen e kufijve aktualë. Me dobi do të jetë që pika e fundit të bëhet e qartë publikisht. Do të isha i lumtur të mësoja se qeveria e SHBA është dakord me sugjerimin.

Londër, 23 tetor 1945

Jacobs bëri komentet e mëposhtme: “Pranoj sugjerimet britanike të Departamentit se zgjedhjet në Shqipëri nuk do të jenë demokratike por besojmë se të paktën do të jenë më demokratiket të mbajtura ndonjëherë në vend. Pranojmë gjithashtu se garancitë e kërkuara nuk duhet të perifrazohen me arbitraritet në rast mos-zbatimi. Në lidhje me pretendimet territoriale greke ne besojmë se përveç disa korrigjimeve të vogla të kufijve të 1939, Greqia nuk ka pretendime të vlefshme ndaj territorit aktual të Shqipërisë. Agjencitë ndërkombëtare kanë vendosur disa herë kundër pretendimeve të Greqisë dhe nuk priten ndryshime të tjera nga vendime të paanshme.

Prandaj ne nuk shohim nevojën që SHBA të jetë shumë e ndjeshme ndaj pretendimeve greke, por duhet të kujdesemi më shumë për të fituar dashamirësinë e popullit shqiptar dhe të qeverisë së tyre, duke dhënë njohjen. Nëse Departamenti beson se duhet të informojmë qeverinë greke për diçka ose të bëjmë një deklaratë publike, atëherë unë propozoj diçka të ngjashme me paragrafin e fundit të Dunn, ku thuhet se të gjitha çështjet e karakterit ndërkombëtar siç janë ato të kufijve, të jenë objekt i zgjidhjes së përgjithshme të paqes. Nëse britanikët duan të thonë më shumë për pretendimet e Greqisë, mund të bëjnë veçmas. Dunn është dakord me sa më sipër.

Athinë, 26 tetor 1945

Ambasadori në Greqi (MacVeagh) për sekretarin e shtetit: Një memorandum i ministrisë së Jashtme greke flet akuzon për persekutim të popullatës greke në jug të Shqipërisë dhe kërkon ndërhyrjen e forcave aleate në zonë. Qeveria greke i ka dërguar një letër Ministrisë së Jashtme britanike, ku detajon në një listë 109 familje, me mbi 393 persona që supozohet të jenë dëbuar në kushte mizore nga 45 fshatra në jug të vendit, në kampet e Kukësit, Krujës e Alesion dhe vende të tjera të Shqipërisë së Veriut. Letra mbyllet me një apel të fortë për ndërhyrjen e SHBA siç thotë, për çlirimin e këtyre personave dhe për “t’i dhënë fund këtij abuzimi të patolerueshëm”. Në lidhje me këtë Departamenti konsideron se masa e “provave” të mbledhura nga autoritetet greke është bërë e konsiderueshme dhe garancitë e Hoxhës apo puna e vëzhguesve në Shqipëri nuk mjaftojnë më për të refuzuar pretendimet.

Memorandum bisede nga drejtori i çështjeve lindore e afrikane

Ambasadori grek më la një memorandum ku shprehej habia për vendimin e komunikuar të njohjes së qeverisë shqiptare të Enver Hoxha dhe deklaroi gojarisht se Greqia nuk ishte rrezikuar kurrë më shumë si komb sesa tani. Ai shton se qeveria aktuale shqiptare është vetëm një vegël në duart e Titos dhe njohja e saj do të thotë forcim i rrethimit të Greqisë nga Titos dhe aleatët e tij, çka kërcënon jetën e vendit. Ai më pyeti nëse SHBA ka në plan vërtet të njohë qeverinë e Hoxhës dhe cilat janë kushtet e vendosura ndaj tyre për këtë siç mund të jenë për shembull, zgjedhjet e lira. I thashë ambasadorit se nuk isha në pozitë t’i përgjigjesha pyetjeve të tij por e dija se po merrej në konsideratë njohja e qeverisë së Shqipërisë. Ambasadori tha se do të kishte mirënjohës për çdo informacion që mund të merrte pasi qeveria greke pret me ankth lajme mbi qëndrimin amerikan mbi çështjen. [Në një memorandum të 1 nëntorit, 1945, ambasada e thoshte qartë se nuk e kuptonte këtë qëndrim miqësor të SHBA ndaj Shqipërisë, deri në pikën e njohjes së regjimit Hoxha. Greqia ishte kritike për dhunën dhe terrorizmin e ushtruar, dhe tha Hoxha se ishte një instrument i verbër i Titos. Dhënia e njohjes për Hoxhën do ta bënte atë akoma më arrogant deh ai dot vazhdonte politikat e dëmshme ndaj Greqisë. Ky favorizim gjithashtu do të shtonte indinjatën e opinionit publik në Greqi, prandaj qeveria tërhiqte vëmendjen e SHBA dhe Britanisë për shumë pasoja negative të këtij veprimi. Populli grek kishte dhënë shumë për kauzën Aleate dhe po bëhej të ndjehej se armiqtë e tij po shpërblehen më mirë, prandaj kërkonte që dhe këta faktorë të merren parasysh në çështjen e njohjes]

2 nëntor 1945

Alexander C. Kirk për sekretarin e shtetit: Komandanti i lartë aleat na ka kërkuar takim për të diskutuar vizitën e tij në Greqi, ku kaloi 5 ditë. Ai tha se marshalli Brooke, gjithashtu ka vizituar Greqinë dhe ka arritur në disa konkluzione për kushtet e atjeshme. Gjeneral Morgan tha më pas se i kishte shkruar një telegram Londrës se problemi grek ishte më i dëshpëruar se kurrë dhe se britanikët nuk mund ta përballonin vetëm. Ai tha se valuta vendase dhrami po binte përsëri dhe rehabilitimi i vendit po ecte shumë ngadalë, prandaj po kërcënohej të kapej nga ‘vala e kuqe’ e Jugosllavisë, Bullgarisë e Shqipërisë. Ai tha se kërkonte angazhim më të madh të SHBA në Greqi pasi situata ishte po aq e sikletshme sa dhe në territoret Venezia Giulia dhe nëse SHBA nuk mund të sillte trupat e saj të paktën të vendoste njësi të forcave ajrore. Ai shtoi se qeveria britanike nuk mdu të mbante më barrën financiare të Greqisë. Gjatë bisedës komandanti manifestoi shqetësim të madh për situatën dhe shtoi se do të udhëzonte Attlee ta diskutonte çështjen me President Truman gjatë vizitës së tij në Uashington./SOT

Dossier