Kosova17 Dhjetor 2022, 11:29

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Shiu e moti i keq që mbizotëroi të premten në mbrëmje në Kosovë, nuk i ka penguar serbët e veriut të vazhdojnë protestën e tyre me anë te barrikadave në rrugët nacionale që dërgojnë për Bërnjak e Jarinjë.

Tash e tetë ditë protesta e tyre duke i bllokuar rrugët, po vazhdon pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.

Se serbët lokalë të veriut e kanë kaluar natën në barrikada pavarësisht motit të keq të shoqëruar me borë herë pas here, ka raportuar media serbe “Kosovo-Online”.

Postblloqet janë vendosur në Rudar, Srbovc, Sllatinë dhe Leshko, në rrugën kryesore Prishtinë – Rashkë, e në Varagë ku është vendosur një barrikadë nga drejtimi që të çon nga Mitrovica Jugore në Ribariq.

Të premten KFOR-i konfirmoi për Pamfletin se ka pranuar kërkesën e Qeverisë së Serbisë për kthimin e deri në 1000 pjesëtarëve të forcave serbe në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ky mision i NATO-s në Kosovë bëri me dije se aktualisht është duke e shqyrtuar atë.

KFOR-i po ashtu ka deklaruar se po monitoron me kujdes situatën në veri të Kosovës.

“Që nga tetori, ne kemi rritur praninë tonë, duke përfshirë trupa shtesë dhe patrullime në veri të Kosovës këtë javë. Ne presim që të gjithë aktorët të bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga demonstrimet provokuese të forcës, në mënyrë që të garantohet siguria dhe siguria e të gjitha komunitetet”, thuhet në një deklaratë të KFOR-it.

Prishtine Barrikadat në veri të Kosovës KFOR veriu i Kosovës

Kosova