Kosova23 Dhjetor 2022, 10:19

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Sllovenia po planifikon të rrisë numrin e ushtarëve të vendosur në misionin e KFOR-it në Kosovë.

Kështu bëri të ditur të premten ministri slloven i Mbrojtjes, Marjan Sharec, i cili vizitoi trupat dhe bisedoi me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.

Ai e ka cilësuar situatën si të vështirë pa praninë e KFOR-it.

“Situata në Kosovë do të ishte shumë e vështirë pa praninë e KFOR-it, dhe Ministria ka shqyrtuar mundësitë e rritjes së pjesëmarrjes së Sllovenisë në mision”, tha ai, raportoi STA.

Ai nuk bëri të ditur numrin e trupave që do të shtohen, duke thënë se është e vështirë të flitet për shifra të sakta.

“Pesë për qind e trupave aktive sllovene aktualisht janë të vendosura jashtë vendit, duke përfshirë 91 në Kosovë”, ka thënë ai.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se prania sllovene do të përforcohet pjesërisht nga ekspertë civilë dhe me vendosjen e një helikopteri ushtarak në gatishmëri për Kosovë.

Sharec tha se nuk është sekret se Rusia ka interesa në Ballkanin Perëndimor dhe se sigurisht që shfrytëzon çdo vakum të krijuar nga mungesa e Evropës dhe NATO-s.

Prishtine KFOR Sllovenia veriu i Kosovës

Kosova