Aktualitet30 Dhjetor 2022, 08:39

Situata në veri të Kosovës, ​dy pikat kufitare Jarinë dhe Bërnjak ende të bllokuara; serbët nuk i kanë hequr barrikadat

Shkruar nga Pamfleti
Situata në veri të Kosovës, ​dy pikat kufitare Jarinë dhe

Dy pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe sot në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë ka bërë të ditur se edhe në orë e mëngjesit të së premtes dy pikat kufitare, ajo në Jarinjë dhe Bërnjak, nuk janë hapur për hyrje-dalje.

Kjo qendër njofton se në pikat tjerat kufitare nuk ka pritje të gjata, as në hyrje të Kosovës, e as në dalje.

Barrikadat janë larguar të enjten në fshatin Rudar, i cili gjendet në komunën e Zveçanit, në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.

Si u mor vendimi për heqjen e barrikadave?

Njëzet ditë thirrje për largimin e tyre “ranë në vesh të shurdhër”.

Qeveria e Kosovës po priste KFOR-in që të largonte barrikadat, e në anën tjetër ndërkombëtarët insistonin se barrikadat duhet hequr nga ata që i kanë vendosur.

Ishte ndryshimi i aktakuzës të Dejan Pantiç nga paraburgimi në arrest shtëpiak, ai që zbuti qëndrimin e serbëve në Kosovë në raport me barrikadat.

Me t’u bërë i ditur vendimi, mbrëmjen e 28 dhjetorit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç vizitoi kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, me pjesëtarë të komunitetit serb për të diskutuar mbi mundësinë e heqjes së barrikadave.

Ai doli nga takimi duke deklaruar se barrikadat do hiqeshin, mëngjesin e së enjtes.

Paraprakisht, Vuçiç theksoi se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin, prej të cilave është kërkesa për mos ndjekje penale të personave që vendosën barrikadat.

Përderisa Vuçiç e ka konsideruar fitore për Serbinë lirimin e Pantiçit në arrest shtëpiak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i habitur me këtë vendim.

Kurti ka thënë se është kurreshtar ta dijë se cili gjyqtar e la në arrest shtëpiak Pantiçin e akuzuar për terrorizëm.

“Nuk e di çështjen gjyqësore procedurale te atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinjë për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar, në qëndrim të paraburgimit, ai ka statusin e të paraburgosurit. është i pandehur për terrorizëm. Ajo qe kam dëgjuar meqenëse ishte ne greve të urisë dhe kishte probleme me zemër, do mund të dërgohej në spital, qe është e kuptueshme, a është e arsyeshme e vendos gjyqësor, mirëpo kur ke një akuze për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak jam kurreshtar të di cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon”, tha Kurti në një adresim për media.

Kryesore Barrikadat në veri të Kosovës bërnjaku jarinja veriu i Kosovës