Aktualitet 1 Prill 2018, 09:57

Skandal i madh me bastet sportive/ Vjedhin të gjithë, deputetë e ministra, kurse për sportin shkon shuma qesharake e fyese 0

Shkruar nga Pamfleti
Skandal i madh me bastet sportive/ Vjedhin të gjithë, deputetë e

Skandal i madh me bastet sportive/ Vjedhin të gjithë, deputetë e ministra, kurse për sportin shkon shuma qesharake e fyese 0.2% e fitimit

Bastet kanë pushtuar cdo qoshkë e pallat në Shqipëri, duke thyer cdo rregull funksionimi, duke e kthyer gjithë vendin në një vatër bixhozi dhe cfarë është e pafalshme, duke mos i dhënë asgjë sportit.

Në rregulloren e Autoritetit Mbikqyrës të Lojërave të Fatit (AMLF), jepen udhëzimet se si duhet të jenë të shtrira pikat e basteve, ku udhëzohen kompanitë që të resektojnë distancat, të derdhin tatimet mbi fitimin dhe të regjistrohen konform ligjit.

Asnjë kompani nuk i përmbush kriteret, ose më saktë nuk i zbaton ato. Edhe pse në ligj shkruhet se distanca ndërmjet dy pikave nuk duhet të jetë më e vogël se 200 metër në vijë ajrore, pikat e basteve në Shqipëri janë shpesh herë ngjitur me njëra-tjetrën, nga para e pas një pallati, madje brenda një ndërtese mund të gjesh disa pika llotoje, të cilat në sasi ua kalojnë edhe dyqaneve të bukës dhe shërbimeve të tjera të përditshme.

Në asnjë vend të botës nuk ka një katrahurë të tillë me bastet nga pikëpamja e shtrirjes së tyre. Nuk ka kurrfarë kontrolli dhe kjo ka një arsye, sepse pas pronarëve të regjistruar në QKR fshihen gjithmonë ministra, deputetë e njerëz të fuqishëm të pushtetit.

Por tmerri më i madh është se vetë autoritetet që duhet të kenë kontrollin mbi kompanitë e basteve sportive dhe jo vetëm, nuk kanë asnjë interes të respektojnë ligjin. Madje hartuesit e ligjit kanë pasur vetë interesa në këtë drejtim, përderisa kanë miratuar një nen që u lejon kompanive që të derdhin për Ministrinë e Sportit një shumë vetëm 0.2% të fitimit, shumë kjo e papërfillshme, qesharake dhe fyuese. Në të gjithë botën, fitimet më të mëdha të kompanive të basteve shkojnë për sportin, pasi e tillë është strategjia e funksionimit të tyre.

Nëpërmjet kuotave të dala nga bastet dhe kompanitë e llotove sportive në tërësi, mbahet në masë të madhe buxheti për sportin në vendet e Bashkimit Europian. Ka vende që këtë taksim e kanë deri në 40%, shifër që është normale kur bëhet fjalë për kompani që kanë fitime të mëdha. Duke iu referuar ligjit që ka kaluar në parlament në kohën kur kryetar kuvendi ishte Ilir Meta, mësohet se kompanitë derdhin po 0.2% të fitimit edhe për bashkinë përkatëse ku shtrohet pika e licensuar e llotos. Vetë Ministria e Financave, pra shteti, mban 25% të fitimit. Në total, nga kompanitë e basteve sportive, tatimet marrin vetëm 25.4% të fitimit, shumë mjaft e vogël krahasuar me 40-60% që mbajnë vendet e tjera.

Po kush i merr gjithë këto para? Sigurisht, pronarët dhe që pas tyre fshihen deputetët, ministrat, presidentë klubesh, drejtorë drejtorish si dhe një kontigjent i frikshëm i krimit, që pastron paratë nëpërmjet basteve sportive. Një rrjet i tërë mashtrimi, ku fusin miliarda në xhepat e tyre dhe japin për sportin shumën qesharake 0.2%. Për krahasim, në një skedinë 100-lekëshe, sporti në Shqipëri përfiton nga bastet vetëm 0.2 lekë, pra as edhe 1 lek të plotë. Cfarë tmerri!

“Pamfleti” do të sjellë në vazhdimësi për lexuesit infomacion mbi shkeljet e ligjit që bëhen nga kompanitë e basteve sportive dhe përfshirjen e njerëzve me pushtet në këtë skemë të madhe zhvatjeje ku shqiptarët nuk fitojnë asgjë dhe sporti aq më pak. Në vazhdim do të ndiqni cilat janë kompanitë që nuk derdhin kuotizacionet dhe si Autoriteti Mbikqyrës i Lojërave të Fatit, që varet nga Ministria e Financave, bën një sy qorr e një vesh shurdh për problematikën e krijuar, duke i bërë sportit shqiptar një dëm të pallogaritshëm. /Pamfleti Sport

Kryesore