Petrit Çomo pjesë e grupit të Gjin Gjonit, Ilir Metës dhe Bujar Nishanit në KLD, bërthama e korrupsionit në Drejtësi, mashtroi me një apartament dhe sërish i shpëtoi shkarkimit; Xhensila Pine kërkoi të shporrej nga drejtësia, e mbajtën Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici, pritet reagimi i ONM
Ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Petrit Çomo ka arritur t’i shpëtojë shkarkimit nga detyra në shkallën e parë të Vetingut, pavarësisht pikëpyetjeve të mëdha mbi pasurinë e krijuar dhe një raporti të zi të shërbimeve sekrete për lidhje me njerëz të krimit.
Në vitin 2015, Çomo u zgjodh anëtar i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, institucion i cili është konsideruar nga SHBA-BE si çatia e korrupsionit në drejtësi. Çomo ka bashkuar votat në KLD me Bujar Nishanin, më pas me Ilir Metën dhe shokët Gjin Gjoni, Gerd Hoxha, Astrit Haxhialushi etj. Gjatë shqyrtimit të dosjes së gjyqtarit ka pasur përplasje në Komisionin e Vetingut. Kryesuesja Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici kanë qenë të mendimit që Petrit Çomo duhej të konfirmohej në detyrë, edhe pse Kolegji i Apelimit, Komisioneri Publik dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i ka dhënë disa ‘shuplaka’ Komisionit të Vetingut kur ka konfirmuar në detyrë subjekte me probleme si Donika Prela, Besnik Muçi, Xhezair Zaganjori etj.
Ndërkohë që anëtarja e trupit gjykues Xhensila Pine ka votuar kundër, duke kërkuar shkarkimin e gjyqtarit Petrit Çomo nga detyra. Çomo ka deklaruar në vitin 2017 se kishte përfituar me kontratë dhurimi të vitit 2012 një apartament me sipërfaqe 122.5 m2 në Tiranë. Por, në vitin 2003 kishte thënë se e kishte përfituar me trashëgimi nga babai.
Vëzhguesja ndërkombëtare, Mia Roessing ngriti dyshime për fiktivitet të kontratës së porosisë së apartamentit dhe për mungesë burimesh finaciare për të justifikuar banesën. Gjatë hetimit doli një dokument që nxori blof gjyqtarin. Kompania e ndërtimit kishte dërguar një shkresë në vitin 2008, me anë të së cilës i kërkonte pagesën e fundit për apartamentin në vlerën 6650 euro. Kjo do të thoshte se apartamentin e kishte blerë dhe se kishte mashtruar për dhurimin.
Sipas dosjes, Petrit Çomo nuk kishte burime të ligjshme as për një makinë tip Benz të blerë në vitin 2013, në shumën 14 mijë e 500 euro + 420 mijë lekë doganë dhe 1000 euro transport nga Gjermania. Një tjetër makinë e kishte blerë 9025 euro, por e kishte deklaruar 7800 euro. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me SHISH, kanë dërguar një raport të zi në Komisionin e Vetingut për Petrit Çomon. Sipas raportit, ka informacione se Çomo mund të ketë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe se mund të ketë ndikuar apo favorizuar për individë të caktuar. Megjithatë, Petrit Çomo i ka shpëtuar shkarkimit, kur gjyqtarë të tjerë janë larguar për 15 mijë euro. Ky vendim hedh edhe një herë dyshime të forta mbi shkallën e parë të Vetingut./Pamfleti