Aktualitet21 Gusht 2019, 19:41

Skema e zhvatjes së 3.7 mln eurove nga “Fondi Besa”, ish-drejtoreshës së arrestuar Albana Imami i morën peng vë

Shkruar nga Pamfleti
Skema e zhvatjes së 3.7 mln eurove nga “Fondi Besa”,

Një operacion i policisë së Tiranës i ekzekutuar ditën e sotme, i koduar “Kredia” ka vënë në pranga shtatë persona të dyshuar se kanë përfituar 2 milionë euro kredi fiktive nga fondi “Besa”, ndërkohë që 1.7 milionë euro të tjera i ka përfituar vetëm drejtoresha e filialit ku ka ndodhur gjithçka.

Pas kallëzimit të bërë nga drejtuesit e fondacionit për dhënie kredie, se një pjesë e stafit të këtij fondacioni kishin dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kishin marrë me interes shuma të mëdha valute nga persona të ndryshëm, Prokuroria nisi hetimet.

Albana Imami është drejtoresha e “Fondit Besa” dhe përgjegjësja kryesore dhe ideatorja e skemës së mashtrimit. Ajo ishte në krye të filialit të Fondaconit “Besa” ku jepeshin kredi fiktive në këmbim të përfitimit të miliona eurove.

Megjithatë, ky aktivitet i paligjshëm i krimit financiar duket se nuk ka kaluar pa kosto personale për ish-drejtoreshën. Imamit para disa ditësh i kanë marrë peng të vëllanë. Çështja dyshohet se ka patur lidhje pikërisht me aktivitetin kriminal të saj gjatë kohës kur ishte pjesë e fondacionit “Besa”. Ngjarja nuk dihet se si ka përfunduar, sepse nuk ka pasur as kallëzim në polici për këtë rast.

Por si funksionoi skema e mashtrimit që arriti të zhvaste plot 3.7 mln euro?

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasja A.I., në pozicionin e drejtoreshës së njërës nga degët e filialit të fondacionit, kishte krijuar ketë skemë mashtrimi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë të ndalur kanë lëshuar kredi në mënyre fiktive dhe klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit për kredi.

Ata paraqiteshin vetëm në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët dhe në përfundim të këtij procesi nga Drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.

Shuma e kredive që janë dhëne nga ky staf, deri tani ka shkuar në vlerën 2 000 000 euro dhe në përditësimin e saj shkon në rritje.

Nga Drejtoresha e Degës, shtetasja A. I., janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, të cilat kapin vlerën deri në 1.7 milion euro.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro.

Aktualitet