Seria A është futur në kolaps. Ndeshja Lacio-Torino, për javën e 25-të, parashikuar të niste në orën 18:30, në “Olimpico”, nuk është zhvilluar.
Lacio ka mbërritur në stadium, por skuadra “Granada” nuk ka udhëtuar drejt Romës, për shkak të kufizimeve të ndërmarra nga ASL, pas tetë rastet me Covid-19, të diagnostifikuara te Torino.
Liga e Serisë A kishte marrë vendimin që ndeshja të mos shtyhej. Por Torino, pasi ka shtryrë ndeshjen ndaj Sasuolës, tani nuk udhëton drejt Romës, duke e futur në kolaps kampionatin italian. Drejtori sportiv i lacialëve, Igli Tare, ka folur për këtë situate të krijuar.
“Ne kemi zbatuar rregullat, duke ardhur në stadium. Tani do të qëndrojmë këtu 45 minuta, duke pritur që arbitri të të deklarojë pamundësinë për të luajtur. Ne donim të luanim, kampionati duhet të respektohet.
Duhet t’i lëmë mënjanë interesat personale. Ne respektojmë organet kompetente. Nuk duam të hyjmë në diskutime, po bëjmë atë që është detyra jonë: të respektojmë atë që thotë Liga dhe të presim”.
Arsyet e Torinos? “Nuk më duhet të kuptoj asgjë. Duhet të respektoj rregullat e Ligës. Ka shumë pikëpamje dhe nuk më takon t’i flas këtu. Kush duhet të vendosë, do të vendosë. A na është ofruar të luajmë nesër? Jo”.
“Nuk kishim asnjë informacion deri mbrëmjen e djeshme. Ne menduam se do të luanim dhe u bëmë gati. Respektuam protokollin dhe e lamë në duart e organeve kompetente. Tani të shohim”,- ka deklaruar drejtori Tare.
Lacio, sipas rregullores pritet të marrë tre pikët në tavolinë. Ndërkohë, mediat italiane raportojnë, se Liga e Serisë A është mbledhur urgjentisht për të marrë një vendim përfundimtar për situatën e krijuar.