Editorial14 Qershor 2019, 18:33

“Sorra lakmitare Ilir Meta”

Shkruar nga Pamfleti
“Sorra lakmitare Ilir Meta”

Meta mund të bëjë sa herë të dojë simbolin e shqiponjës, por gjithçka po kthehet në një sorrë lakmitare! Dhe, si i thonë, korbi – korbit, nuk ia nxjerr sytë!

Shkruan Bedri Islami 

Presidenti i Shqipërisë po bëhet gati të nd;rmarrë vendimin e tij të dytë drastik: shpërndarjen e parlamentit të Shqipërisë.

me një shkresë të veçantë, zyra e tij, i ka kËrkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numrin e saktë të deputetëve, numrin e deputetëve për çdo forcë politike, për çdo qark etj.

Kjo erdhi menjëherë pasi Kuvendi votoi në një shumicë dërmuese për fillimin e proçedurës në shkarkimin e tij.

Pro largimit të tij votuan edhe deputetët e rinj, që ishin në listat e po këtyre,partive politike që tani i mallkojnë dhe i linçojnë.

Askush nuk e ka detyruar Bashën, Metën apo Kryemadhin të vendosin në fundin e listave njerëz që do i braktisnin një ditë.

Pazari duhet të ketë qenë i shtrenjtë dhe secili duket se po synon të nxjerrë harxhet e tij.

Atë stan zgjodhën, atë bulmet do të marrin?

Vendimi i mundshëm i presidentit nuk do të jetë për shkak të moslegjimitetit të parlamentit të tashëm.

Është thjeshtë akti i dytë i rrëzimit të qeverisë dhe të parlamentit përmes një akti antikushtetues, i cili, në këtë rast, duhet të miratohet edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Është akti i dhënies edhe një dorë Bashës dhe Kryemadhit për të mos qenë në listat e zeza të Departamentit të Shtetit!

Është akt për të ndërprerë urgjentisht ngritjen e strukturës speciale SPAK, e cila u tha se do të ngrihej brenda 10 ditëve dhe që do të fillonte aktivitetin e saj!

Është akt kundër krijimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të ngrihej brenda dy javëve dhe do të miratonte apo jo dekretin për rrëzimin e shefit të presidencës!

Është akt për të ndaluar zgjedhjet vendore dhe për t’i dhënë shtetit të tij atributin e plotë të një vendi që nuk di të ndërtojë shtet.
Rrënja e kësaj ideje është në veriun e Shqipërisë dhe presidenti e di këtë!

Është akt për të ndaluar të gjithë proçeset që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, për të ndaluar atë, sidomos tani që shumë prej të deleguarve të tyre në prokurori dhe në gjykata, ose janë larguar ose do të largohen së shpejti!

Është akt për të mbrojtur gjingjonët e drejtësisë dhe hallkat e tjera të mashtrimeve të mëdha?

Është akt për të delegjitimuar të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur?

Presidenti e di fare mirë se, pas shpërndarjes së parlamentit, qeveria aktuale qëndron në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pra, qeveria e ligjshme e drejtuar nga Edi Rama.

Kjo është një normë kushtetuese dhe nuk mund të zhdekretohet!

Opozita nuk do të pranojë futjen në zgjedhjet parlamentare me Edi Ramën kryeministër dhe kështu që përsëri Meta do të anullojë zgjedhjet, duke pritur një datë të re, një marrëveshje që nuk vjen, një alibi që nuk ekziston dhe vendi do të mbetet pa Parlament, me qeveri provizore, pa Gjykatë Kushtetuese, pa SPAK, pa Gjykatë të Lartë, me një president të rrëzuar nga parlamenti dhe me një opozitë që akuzohet e lidhur me fondet e fshehta të Kremlinit?

Meta mund të bëjë sa herë të dojë simbolin e shqiponjës, por gjithçka po kthehet në një sorrë lakmitare!

Dhe, si i thonë, korbi – korbit, nuk ia nxjerr sytë!

Editorial Bedri Islami Ilir Meta presidenti i Shqipërisë