Amerikanët i kanë përmendur rrëfimin e ish sekretarit të tij në MPJ Almir Rrapi për krimet, trafiqet e korrupsionin, lobimin me para ruse, ekspertizën e FBI për videopërgjimin e të ndjerit Prifti, ryshfetin 700 mijë euro dhe pasurinë marramendëse. Prandaj Presidenti sulmon SHBA-BE, për të jusftifikuar hetimin nga SPAK, si një hakmarrje nga këta “palaço” që ‘kanë bashkëpunuar me Ramën’ dhe për punishten e kokainës në Xibrakë
Ka mjaftuar vetëm një telefonatë e zv.ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe të të dërguarit special të presidentit Trump për Ballkanin, Matthew Palmer, ku i kërkonte që zgjidhjen për konfliktin në Kushtetuese ta çonin në “Venecia”, që Ilir Meta të lëvizte nga ‘binarët’.
Telefonata iu bë dy ditë më parë, ndërkohë që dje, ka qënë ambasada e SHBA në Tiranë ajo që e ka artikuluar zyrtarisht qëndrimin e qeverisë së SHBA, duke rekomanduar dërgimin e emërimeve në Kushtetuese në Komisionin e Venecias për të marrë një opinion.
Përpos precedenteve jofavorizues të opinioneve të “Venecias” për rastin e Tunizisë, Kirgistanit e Gjeorgjisë për të njëjtën krizë, ku rekomandohej betimi në Parlament ose në vetë Gjykatën përkatëse nëse Presidenti “lajthit” dhe nuk pranon betimin, Ilir Meta ka halle të tjera.
Mësohet se gjithë problemi i Ilir Metës ka të bëjë me faktin se SPAK tashmë ka mbërritur në “dyert” e Presidencës dhe e rrezikon që ta përballë me drejtësinë e re për të gjitha zullumet që ka kryer gjatë gjithë këtyre viteve në kupolën e politikës dhe qeverisjes shqiptare.
Burime diplomatike bëjnë me dije se amerikanët i kanë përmendur Metës maskarallëqet që ka bërë duke filluar nga rrëfimi i ish sekretarit të tij në MPJ Almir Rrapi për krimet, trafiqet dhe korrupsionin, hetimin për lobimin me para ruse, ekspertizën e FBI për videopërgjimin e të ndjerit Dritan Prifti, ryshfetin 700 mijë euro e deri tek pasuria marramendëse e tij.
Duke qënë se të gjitha këto dosje janë të kopsitura me prova dhe fakte, përmendja e tyre e ka nxjerrë Ilir Metën jashtë kontrollit dhe ka vendosur të bëjë të fortin me SHBA e BE, për të justifikuar më pas vënien e tij nën hetim nga SPAK, si një hakmarrje nga këta “palaço” ndërkombëtarë që ‘kanë bashkëpunuar me Ramën’ dhe për punishten e kokainës në Xibrakë.
Megjithatë, koshient për të gjithë shkeljet ligjore dhe krimet që ka bërë, Meta e ka të parashikuar fatin e tij në këtë përballje me drejtësinë, pasi bashkë me rrezikun e dënimit me heqje lirie, mund të startojë dhe bllokimi i pasurisë së tij të pamatë brenda e jashtë vendit.
Ndaj e ka trashur gjuhën me SHBA dhe BE, ka rritur nivelin e pagesave për këdo që pranon të jetë “ushtar” i tij në këtë betejë kundër ndërkombëtarëve, si dhe rritjen e nivelit të shkeljeve të ligjit dhe Kushtetutës, në të gjitha veprimet që bën.
Një “lëvizje” e tillë ka filluar që në momentin kur vizita e bashkëshortes Monika në SHBA për të tentuar “joshjen” me para të ndonjë përfaqësuesi të qeverisë amerikane, në këmbim të shpëtimit të Metës nga drejtësia, ka dështuar me sukses të plotë./Pamfleti