Sport18 Maj 2024, 18:02

Ballkani shkruan historinë dhe bën “ligjin” në Kosovë, mposht rivalin direkt dhe shpallet kampion për të 3 vit radhazi

Shkruar nga Pamfleti

Ballkani shkruan historinë dhe bën “ligjin” në

FC Ballkani ka shkruar një faqe të re në historinë e klubit, duke fituar titullin e tretë radhazi në Superligën e Kosovës. Një arritje kjo e jashtëzakonshme që e vendos këtë skuadër në një nivel të lartë të futbollit kosovar. Kësisoj, Ballkani barazon një rekord të mbajtur deri tani nga Besa e Pejës, e cila kishte dominuar elitën e futbollit tonë në vitet 2005, 2006 dhe 2007. Trajneri Ilir Daja ka udhëhequr portokallezinjtë drejt triumfit të tretë radhazi.

Titulli u sigurua në një ndeshje mjaft interesante kundër rivalit direkt, Llapit, e cila u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Ndeshja e parafundit e këtij edicioni ishte vendimtare, dhe ishte Bernard Karrica ai që i dha fund dilemës së kampionit me golin e shënuar në minutën e 74. Ky gol i dha mundësi lojtarëve dhe tifozëve suharekas të fillojnë festën e merituar, teksa ceremonia zyrtare e dorëzimit të trofeut do të organizohet nga Federata e Futbollit e Kosovës fundjavën e ardhshme, kur Ballkani do të luajë ndeshjen e fundit të sezonit para tifozëve të vet kundër Prishtinës.

Në ndeshjet e tjera Gjilani shënoi fitore në duelin me Dritën, 2:1, Feronikeli mposhti Dukagjinin 3:2, ndërsa Prishtina dhe Malisheva realizuan fitore bindëse në përballjet kundër Fushë Kosovës (5:0), dhe Lirisë (7:4).

ballkani skuadra kosovare