Sport22 Qershor 2024, 22:50

Belgjika bën detyrën, “Djajtë” lënë pas krahëve humbjen me Sllovakinë dhe marrin fitore me ‘aromë’ kualifikimi

Shkruar nga Pamfleti

Belgjika bën detyrën, “Djajtë” lënë pas

Belgjika merr fitoren e parë në grupin E. “Djajtë” kanë mposhtur me rezultatin e pastër 2-0 Rumaninë dhe mbajnë gjallë kualifikimin për në raundin e 1/16.

Ekipi i drejtuar nga tekniku Tedesko zhbllokoi sfidën që në minutën e 2 , duke lënë pas krahëve gjithçka ndodhi në ndeshjen e parë ndaj Sllovakisë.

Një aksion perfekt i “Djajve” u finalizua nga fantazisti i mesfushës, Juri Tielemans, i cili me një goditje potente në hyrje të zonës dërgoi topin në rrjetën e kundërshtarëve.

Në minutën e 64, Lukaku u nis në kundërsulm dhe tundi rrjetën duke festuar golin. Pak çaste më vonë erdhi sinjalizimi për pozicion jashtë loje, duke i anuluar golin sulmuesit belg.

Në minutën e 79, belgët gjetën edhe golin e qetësisë. Një top i gjatë nga portieri belg mbërriti në zonën kundërshtare, ku De Bryjn ndoqi aksionin dhe dërgoi topin në rrjetë.

Grupi E është më i kalibruari nga të gjithë grupet, pasi 4 ekipet kërkojnë kualifikimin në raundin tjetër në ndeshjet e fundit.

Sfidën e ardhshme, Belgjika do ta luajë me Ukrainën, ndërsa Rumania do të përballet me Sllovakinë. Të dyja këto takime do të luhen më 26 qershor në orën 18:00.

belgjika rumania