Sport23 Maj 2024, 19:22

“Dritarja” Shqipëri thuajse e mbyllur, Nagelsman fton talentin kuqezi të stërvitet me Gjermaninë para nisjes së Europianit

Shkruar nga Pamfleti

“Dritarja” Shqipëri thuajse e mbyllur, Nagelsman fton talentin

Shanset e Shqipërisë për të bindur Barjan Grudën të veshë në të ardhmen fanelën kuqezi kanë pësuar një goditje nga vendimi i fundit i Julian Nagelsman. Trajneri i përfaqësueses gjermane, ka vendosur të grumbullojë talentin shqiptar për stërvitje me ekipin, i cili do të marrë pjesë në “EURO 2024”.

Gruda, i cili përfaqëson Gjermaninë me U-21, shihet si një lojtar me të ardhme dhe nuk është aspak çudi që lojtarin e Mainc tani e kërkojnë klube më të mëdha si Bajer Leverkusen, Borusia Dortmund, Lajpcig apo Liverpul. Djaloshi monitorohet edhe nga FSHF, që është përpjekur ta bindë të veshë fanelën kuqezi. Por ky vendim mund të bindë Grudën që të presë shansin e tij me Gjermaninë.

Ai dhe Roko Raitz do të stërviten me pjesën tjetër të skuadrës së grumbulluar para Europianit deri të premten e ardhshme.

“Disa nga lojtarët tanë të përfaqësues do të jenë në veprim në finalen e Kupës dhe të Ligës së Kampioneve, ndaj do t’i bashkohen më vonë ekipit. Në mënyrë që skuadra të stërvitet në mënyrë optimale në pjesën e parë të përgatitjeve, ne do të dëshironim t’u jepnim dy lojtarëve të rinj premtues, mundësinë që të tregojnë veten me ekipin A”, ishte komenti i Nagelsman rreth kësaj ftese, që padyshim afron edhe më shumë Grudën me përfaqësuesen gjermane.

brajan gruda sulmuesi shqiptar julian nagelsman