Sport23 Maj 2024, 20:34

“EURO 2027” me Serbinë, Lorik Cana kundër Dukës: Veprim i nxituar, nuk ka ardhur momenti për një organizim të tillë

Shkruar nga Pamfleti

“EURO 2027” me Serbinë, Lorik Cana kundër Dukës:

Ish-mesfushori i kombëtares shqiptare, Lorik Cana ka dalë kundër organizimit të Europianit të 21-vjeçarëve së bashku me Serbinë në vitin 2027.

Ish-kapiteni i kombëtares, komentoi për herë të parë në “Tring Sport” debatin e fortë që ka krijuar në opinionin publik kandidatura e përbashkët e FSHF me Federatën Serbe të Futbollit për të organizuar një event të tillë kaq të rëndësishëm.

Për Canën, ky nuk është momenti i duhur, pasi së pari duhet të kalohen disa procese të normalizimit të marrëdhenieve mes dy  popujve.

Më duket e nxituar. Pa u kaluar disa procese të normalizimit të marrëdhënieve është shumë e vështirë që të ketë organizime të përbashkëta, pavarësisht qëllimeve të mira që ka Federata. Për momentin nuk më duket hapi i duhur”, u shpreh Lorik Cana për “Tring Sport”.

Lexo edhe: https://pamfleti.net/sport/shqiperia-dhe-serbia-ne-gare-per-te-pritur-euro-2027-fshf-zyrtarizon-kandi-i226540

Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo e Serbisë janë bërë bashkë dhe kanë dorëzuar në UEFA kërkesën e përbashkët për të organizuar finalet e “EURO 2027” për moshat U-21.

Ky bashkëpunim vjen për shkak se nuk plotësohen kushtet sa i përket numrit të stadiumeve që kërkohen në mënyrë  që vendi ynë të presë të gjitha ndeshjet finale të Kampionatit Europian U-21.

Lajmin e konfirmoi edhe kreu i FSHF-së, Armando Duka.

Në 2027 ne jemi vend kandidat për të organizuar Kampionatin Evropian për U-21. Duke qenë se ne nuk plotësojmë kushtet për të organizuar një kampionat vetëm në Shqipëri, pasi duhen tetë stadiume minimalisht, ne jemi bashkuar me Serbinë në një kandidaturë për të organizuar një kampionat në Shqipëri dhe Serbi. Mendoj se kjo është një lajm i mirë për futbollin shqiptar dhe për futbollin serb, për popullin shqiptar, për popullin serb. Në fund të fundit ne organizojmë dhe nëpërmjet sportit, pse jo të kemi një jetë më të mirë”, tha Duka.

Lexo edhe: https://pamfleti.net/sport/fshf-po-shet-fytyren-tkz-kunder-bashkepunimit-me-serbine-per-organizimin-e-i226554

Organizimi i këtij eventi me Serbinë nuk është pritur mirë edhe nga Tifozat Kuq e Zi, grupimi i Kombëtares.

TKZ flet për një tjetër skenar që anashkalon Kosovën. Sipas tyre Serbia ka aplikuar e vetme dhe duke qenë se nuk përmbush kushtet, FSHF i ka ardhur në ndihmë.

Në mesazhin e tyre, ultrasit e Kombëtares flasin për një anashkalim të Kosovës dhe për raportet e tensionuara mes serbëve dhe shqiptarëve. Jo pa shkak ata vënë theksin te banderolat fyese që shfaqen në stadiumet e Serbisë, teksa shprehen se FSHF po “shet fytyrën”.

Në reagimin e tyre nuk mund të mos kujtoheshin krimet e serbëve karshi shqiptarëve.

Ky projekt ambicioz do ta vendoste Shqipërinë në qendër të vëmendjes futbollistike të gjithë kontinentit, teksa më herët në Shqipëri është mbajtur edhe finalja e parë e UEFA Conference League në Tiranë në vitin 2022, si dhe është fituar e drejta për të organizuar finalet e Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17.

lorik cana ish-kapiteni i kombëtares shqiptare