Sport22 Shkurt 2024, 20:49

Humbje e ëmbël për Milanin, kuqezinjtë i falen ndeshjes së parë dhe kualifikohen në çerekfinalen e Ligës së Europës

Shkruar nga Pamfleti

Humbje e ëmbël për Milanin, kuqezinjtë i falen ndeshjes

Liga e Europës zbriti në fushë këtë pasdite, duke dhuruar emocione të mëdha. Milani është kualifikuar në fazën tjetër të kompeticionit. Pas suksesit të pastër 3-0 ndaj Renes në Milano ndeshjen e parë, në Francë mjaftoi humbja 3-2 për të prerë biletën. Vendasit zhbllokuan shifrat në minutën e 11, me anë të francezit Benxhamin Burigu, duke ndezur festën në shkallët e stadiumit. Gjithsesi, kuqezinjtë reaguan shpejt dhe vendosën ekuilibrat me Joviç, pas një asisti të Teo Hernandez.

Rene e filloi mirë pjesën e dytë, teksa pretendoi penallti, pas një rrëzimi në zonë. I vetëm përballë portierit në minutën e 48, Leao gaboi, duke shpërdoruar një rast të artë. Trajneri Pioli i kishte dhënë freskinë e duhur skuadrës, duke bërë një rotacion të kuptueshëm në formacion. Simone Kjaer shkaktoi penallti në minutën e 53, 11-metërsh që u ekzekutua me mjeshtëri nga  Burigu.

Me rezultatin 2-1 në favor të Rene, sfida dhuroi spektakël, me skuadrat që bënë një lojë mjaft të hapur. Nuk vonoi shumë goli i barazimit, finalizim perfekt i një kundërsulmi nga Leao. Të besuarit e Julien Stefan rikthyen epërsinë minutën e 67 me penallti, sërish me Burigu. Pavarësisht entuziazmit të shtuar, Rene nuk ia doli dot të kompletonte misionin e (pa)mundur, duke mbyllur këtu rrugëtimin në këtë kompeticion. Vazhdon më tej Milani, një nga skuadrat pretendente të kompeticionit.

Në ndeshjet e tjera, Benfika barazoi pa gola ndaj Toulouse, por triumfi 1-2 i portugezëve në aktin e parë gëzon Di Marian me shokë.

Në Ligën e Konferencës, zhgënjen Betis. Spanjollët humbën 1-0 në ndeshjen e parë ndaj Dinamos së Zagrebit, ndërsa sonte barazimi 1-1 kualifikoi kroatët.

milan rene liga e europ