Sport30 Nëntor 2023, 18:17

“Ja pse nuk e dua Italinë në grup”, Duka sfidon presidentin Ceferin, shpreh edhe dëshirat: Dua Serbinë në grupet e Kampionatit Europian

Shkruar nga Pamfleti

“Ja pse nuk e dua Italinë në grup”, Duka sfidon

Kreu i FSHF-së, Armand Duka, i ftuar në News24, nuk nguroi të shpreh dëshirat e tij në lidhje me shortin e Evropianit. Duka kërkon Serbinë në grup, ndërsa nuk nguron as të sfidojë presidentin e UEFA-s, Ceferin.

-President, sipas një shorti të simuluar nga “The Sun”, goglat na vendosnin në një grup me Spanjën, Sllovakinë dhe Serbinë, do firmosje për një short të tillë?

Patjetër, me kënaqësi që sot. Nuk më duket keq. Ato janë të gjitha skuadra shumë të mira, me të cilët mund të ndodhë çdo rezultat. Ne mund të fitojmë me të gjitha, por dhe e kundërta. Ndeshjet janë të një niveli vështirësie të lartë, por kjo që ka sjellë “The Sun” nuk është një short i keq. Nuk më duket se Spanja është ekipi më i fortë i vazos së parë, gjithashtu edhe Sllovakia dhe Serbia në vazot tre dhe katër, ka ekipe edhe më të forta. Në duhet të përgatitemi vetë mirë, ne të bëjmë më të mirën tonë, ky është edhe mesazhi që kemi përcjellë në skuadër. Ta shijojnë atë që kanë arritur me punë dhe me djersën e tyre. Ta shijojnë Evropianin në mënyrën e tyre, ta luajmë ashtu siç luajtëm edhe kualifikueset, me motivim maksimal, pa droje kundër skuadrave të forta. Atje nuk do të ketë skuadra si Ishujt Faroe, të dobëta në letër, që të ketë ndjenja nënvlerësimi. Shorti që thatë ju është i mirë, por çdo short do ta mirëpresim për të bërë më të mirën, jo për të qenë thjesht pjesëmarrës, por po të lënë më shumë gjurmë se sa në vitin 2016.

“The Sun” e bëri simulimin, tani dua të bëni ju shortin, zgjidhni nga një ekip nga çdo vazo

Nga vazo e parë, Gjermania. Jo për arsye se është më e dobët nga të tjerat, sepse të 6 ekipet janë më të mirat e Evropës, mbase edhe të botës. Por Gjermaninë sepse ka një specifike të veçantë, mund të hapim Evropianin, është një promocion për Shqipërinë në përgjithësi. Nga vazo e tretë Sllovenia, e thashë, edhe në këtë vazo të 6 skuadrat janë të forta, por Slloveninë për një tendencë personale, për të pasur një derbi me presidentin e UEFA-s. Nga vazo e katërt akoma nuk e dimë kush do të kualifikohet, mbase do të ishte mirë një nga këto skuadra. Nga këto që janë kualifikuar deri më tani, Serbia më duket pak më mirë se sa dy të tjerat. Pas Serbisë, Zvicrën pasi Italinë nuk do e doja. Sepse Italia ka ditur t’i luajë turnetë finale, nuk është se toleron kollaj, aq më tepër që nuk kanë bërë një kualifikuese jo të mirë, do të jenë shumë të kujdesshëm.

-Mes Serbisë dhe Zvicrës së Xhakës dhe Shaqirit, kë do preferoje?

Si kundërshtar? Sigurisht Serbinë.

-Më bëri shumë përshtypje deklarata e presidentit të Federatës Serbe, “zot mos të na bie Shqipëria”, u shpreh…

Po ai e ka njohur forcën e Shqipërisë gjatë këtij edicioni dhe nuk dëshiron të përballet. Por e thashë, edhe nga vazo e jonë, me këdo të përballet Serbia do të jetë e vështirë, janë skuadra të forta. Nuk besoj se ka pasur të drejtë kur thotë: Zot mos të na bie Shqipëria.

Pse nuk e doni Italinë president, janë në momentin e tyre më të vështirë, janë dhe në vazon e katërt, kam përshtypjen që vetëm ju nuk e doni, se tifozët dhe pjesa më e madhe e lojtarëve e duan, fundja luajnë në Serinë A…

Jo nuk e dua sportivisht, se e vlerësojë kombëtaren italiane. Thashë, pavarësisht edicionit jo të mirë, pavarësisht se janë eliminuar nga Maqedonia e Veriut për në Botëror, por ata janë kampionët e Evropës në fuqi, kanë në përbërje lojtarë shumë të mirë. Do t’i doja nëse ata do të vinin si kokë grupi, nëse do të kualifikoheshin të parët, por jo të dytët, pasi vijnë të “plagosur”, unë nuk dua të luaj kundër një skuadre të “plagosur” që di të bëjë mirë.

A i druheni, se mund të përsëritet historia e dronit, meqënëse shprehët dëshirën për të pasur Serbinë në grup

Unë flas për marrëdhënie sportive, flas gjithnjë sportivisht. Aty janë të gjithë skuadra për t’u respektuar, me shumë histori, me nivel shumë të lartë. Pastaj për gjëra të tjera që mund të ndodhin jashtë fushe nuk mund të flas. Unë kam besim te tifozët tanë, do të jenë shembull, ashtu siç ishin edhe në Francë. Të tre paraqitjet që pati kombëtarja jonë atje, tifozët ishin një tjetër vlerësim maksimal për Shqipërinë. Ishte një benefit për mua si shqiptar, për të gjithë ne si shqiptarë ku mediat shkruanin: Shqiptarë jeni të mirëpritur në Francë. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë dhe në Gjermani. Në nuk po shkojmë në luftë në Gjermani, luftë kundër kujt, sportivisht po do të luftojmë kundër çdo kundërshtari që do të kemi.

-E ka Shqipëria një objektiv të qartë në këtë Evropian, të bësh më mirë se sa “EURO 2016” do të thotë të kalosh fazën e grupeve, është realisht e mundur?

Mundësitë i kemi. Ne kemi një skuadër të mirë. Mund ta kalojmë lehtësisht grupin, mund të bëjmë shumë më mirë se sa në vitin 2016. Kemi një skuadër më të mirë se më 2016, por kjo varet nga shorti, varet nga forma e futbollistëve në qershor të vitit 2024, varet edhe nga impenjimi i lojtarëve, por kjo është e sigurt, nuk dyshoj te kjo pjesë, edhe ata mezi e presin Evropianin, do të bëjnë maksimumin e tyre siç kanë bërë. I kemi mundësitë për të bërë më shumë se sa grupi, por futbolli nuk është shkencë ekzakte.

Së fundmi Silvinjo u shpreh se Shqipëria duhet ta bëjë traditë kualifikimin për në Evropian, tani duhet të mendojë për t’u kualifikuar në Botëror, e keni diskutuar këtë pjesë?

Gjithmonë bëhet më e vështirë. Pjesë e lojës është edhe sa të vlerësojnë, si të studiojnë. Tashmë Shqipëria është një fakt, ky është një fakt, kjo i bën rivalët që të përgatiten më mirë kundër Shqipërisë, bëhet më e vështirë kur je një skuadër e vlerësuar dhe me rezultate pozitive. Bëhet më e lehtë kur kundërshtarët të shohin me nota nënvlerësimi. Padyshim që duhet ta kemi objektiv gjithnjë prezencën në Evropian dhe Botëror. Jam shumë i bindur që nuk do t’ia arrijmë gjithmonë, por duhet ta kemi gjithmonë objektiv, por tashmë është gjithnjë e më e vështirë që të mbash këtë trend. Lituania u kualifikua në vitin 2004, por pas asaj ka humbur. Ne nuk duhet ta pësojmë këtë. Unë jam i bindur që ne nuk do të biem në këtë pikë, jam i bindur sepse e di projektin e FSHF-së, e di se si punohet, niveli i drejtorive, i kemi kombëtaret etj. Jam i bindur që ne gjithmonë do të bëjmë mirë. Padyshim që Silvinjo ka një meritë të madhe, por ne do të kemi gjithnjë një Silvinjo që do ta çojë Shqipërinë në rezultate maksimale.

-President me De Biazin keni bërë një grumbullim të gjatë, përpara Evropianit, do e bëni sërish, keni planifikuar diçka të ngjashme?

Po, do të bëjmë të njëjtën gjë, do të grumbullohemi 10-12 ditë përpara Evropianit. Nuk e kemi vendosur ende kampin ku do të grumbullohemi. I kemi dhënë stafit teknik 2-3 alternativa, një prej tyre është në Itali, një në Austri dhe një tjetër në Shqipëri. Stafi do të vendosë se ku, gjatë këtij grumbullimi do të luajmë 2-3 ndeshje miqësore, edhe këto do t’i dakrodësojmë me stafin, që të jenë ekipe që mund të jenë në funksion të rivalëve që ne do të luajmë, që të kenë një mënyrë loje të ngjashme, apo nivel me rivalët tanë. Më pas jemi të detyruar që 24 orë përpara startit të Evropianit të jemi në tokën gjermane. Për këtë kemi zgjedhur tre kampe bazë, por do ta vendosim pas ditës së shortit se ku do të qendrojmë në varësi edhe të stadiumeve ku do të luajmë.

Ka Silvinjo një kërkesë specifike për këtë pjesë?

I kemi përgatitur bashkë. Jemi ulur dy ditë pas ndeshjes së fundit, pasi festuam të gjithë si të çmendur, Silvinjo, mbase edhe unë, ekipi. Jemi ulur së bashku me stafin teknik dhe administrativ, i kemi parë të gjitha, kemi vendosur bashkë. Kriteri i parë i jonë nuk është çmimi, por kualiteti, çfarë i përshtatet stafit dhe ekipit.

-Keni rezervuar ndonjë miqësore, me kë po negocioni këtë periudhë?

Për ndeshjet e qershorit ende jo, por të marsit kemi disa skuadra që po shohim. Pas shortit do të vendosim, por kemi Turqinë, Norvegjinë, Perunë dhe disa skuadra amerikano-latine, por pas shortit do të vendosim menjëherë.

-Dua të ndalem në fund te disa individë, a do të jetë Broja në Evropian, a ke diskutuar me Silvinjon për të?

Broja është një nga futbollistët më të mirë që kemi ne, apo një nga futbollistët më të mirë të historisë, ose të themi talenti më i madh. Nuk ka pasur mundësi të kontribuojë, jo për mungesë dëshire, selektimi apo talenti, por për arsye të një dëmtimi të rëndë. Është rikthyer tashmë, por akoma nuk është rikthyer në formën e tij më të mirë. Ne urojmë që ai të rikuperohet 100%, të rikthehet të luajë për Çelsin, nëse do të qendrojë aty. Nëse do të jetë në këto kushte, unë mendoj se ai do të përzgjidhet nga trajneri. Nuk është se ka një problem nëse ftohet apo jo, padyshim që nëse do të ketë minuta do të ftohet dhe jam i bindur që na ndihmon të ftohet. Ai ka dhe një sfidë tjetër, sepse ky grup ka bërë shumë pa Brojën, apo dhe pa Kumbullën, pasi nuk është vetëm Broja. Uroj që të dy të rikuperohen, të jenë të gatshëm për Evropianin, por sfida është që të jenë një vlerë e shtuar për pjesën e grupit që ka ardhur deri këtu.

Mendoni realisht se Broja do ta ketë të vështirë të përshtatet me grupin?

Nuk është vështirësi në aspektin human, por të përshtatet sportivisht me grupin, t’i përshtatet kësaj loje që ka ndërtuar kjo skuadër në këtë edicion.

A mund të jetë Broja “arma” plus e Silvinjos në Evropian, a mund të jetë lojtari që do të bëjë diferencën?

Mund të jetë, mund të mos jetë, por ai duhet fillimisht të rikuperohet plotësisht, të fitojë minuta, por mund të jetë edhe Kumbulla, një lojtar me shumë kualitet që luan në një pozicion kyç. Ne me të vërtetë kemi qendërmbrojtës të tjerë, por në Evropian nuk luhet me 1 apo 2 qendërmbrojtës. Mund të kemi edhe ndonjë shpërthim talenti. Ne kemi talente që nuk janë aktivizuar këtë edicion. Në Evropian nuk shkohet me parashikime, kush ka qenë më i mirë, por kush është më i miri në atë moment. Trajneri përzgjedh ato që janë më të mirët në muajin maj apo qershor. Duhet të shohim deri në maj.

Keni ndodnjë frikë që Shqipëria mund të humbasë Brojën?

Nuk ka asnjë shans, nuk ka asnjë arsye. Ekipit i duhet Broja, Brojës i duhet ekipi. Ai është një talent që luan në nivele të larta, por dëshira e tij, besoj, është shumë e madhe që të luaj me ekipin Kombëtar. Kënaqësia që të jep ekipi Kombëtar është shumë e madhe, unë e shoh në sytë e lojtarëve. Futbolli i vërtetë është ai që luan me kombëtaren, futbolli që luan me ekipin është një futboll komercial.

I njëjti diskutim vlen edhe për Kumbullën, por në mbrojtje është më i lehtë ky diskutim, si rrallë herë Shqipëria ka më shumë sulmues se sa mbrojtës

Jo, përkundrazi. Nuk kemi shumë sulmues të nivelit të lartë. Sulmin e ka udhëhequr Cikalleshi, i mbështetur nga Daku. Nuk është se kemi shumë numër 9. Kemi Çunin që ka luajtur një ndeshje miqësore me Bullgarinë. Broja po, luan në atë pozicion, mund ta ndihmojë shumë ekipin. Ne golat kryesisht na i kanë bërë sulmuesit mesfushorë, si Asani, Bajrami, Asllani.

Një pyetje e fundit, se nuk mund të rrimë pa e përmendur dhe pjesën tjetër të Shqipërisë, Kosovën, mbyllën një fushatë kualifikuesesh shumë zhgënjyese, janë dhe pa trajner. A do i këshilloje homologut Ademi një alternativë, mes emrave flitet edhe De Biazi me Ilir Dajën..

Është ai që merr vendimin, është stafi teknik. Me sa di unë ka një drejtori teknike të riorganizuar së fundmi, ka ardhur dhe Samir Ujkani, i cili ka luajtur me Shqipërinë dhe Kosovësn, besoj se do ta ndihmojë. Nëse do të më pyesnin, do t’ia jepja një këshillë me shumë dëshirë, por në fund të fundit është Agim Ademi ai që duhet të vendosë. Ai nuk duhet të bëjë atë që i them unë apo dikush tjetër, ai duhet të bëjë atë që beson vetë, në fund do të marrë dhe përgjegjësinë vetë. Ai duhet t’i besojë intuitës se tij. Ilir Daja që thoni ju është një trajner që po bën mirë. De Biazi është një trajner që ka bërë historinë e kombit shqiptar, ka bërë shumë mirë me ne, është një emër shumë i mirë. Nuk e di se çfarë emrash ka Ademi në tavolinë, por duhet t’i besojë instinktit të tij.

President faleminderit

Faleminderit. Uroj të kemi një Evropian sa më të mirë, ta shijojmë të gjithë bashkë. Urojë që çunat të na dhurojnë edhe në Evropian rezultate më të mira.

armand duka presidenti i fshf