Sport30 Nëntor 2023, 17:15

“Kur luanim me Partizanin nuk na zinte gjumi një javë”, Agustin Kola: Derbi i ka patur të gjitha ndeshjet, po të fitojmë me gjysmë goli jemi shumë mirë

Shkruar nga Pamfleti

“Kur luanim me Partizanin nuk na zinte gjumi një javë”,

Kategoria Superiore bëhet gati për derbin e radhës e të shumëpritur mes Tiranës dhe Partizanit. Dy rivalët e përbetuar do të përballen “kokë më kokë” në ‘Air Albania’ të dielën në orën 19:00 për javën e 14 të Superiores.

Pak ditë para kësaj sfide, për klubin e Tiranës ka folur një nga legjendat që ka veshur fanelën bardheblu. Agustin Kola, një nga ish-lojtarët ikonë të Tiranës tregon me pasion dashurinë e tij të madhe për ekipin bardheblu.

Tirona është shtëpia ime, jeta ime. Flas nga shpirti dhe nga zemra. Kam qenë 11-vjeç kur kam veshur atë fanelë mbi kurrizin tim dhe atë numër kam mbajtur. Ajo fanelë çdo vit për mua peshonte 5 kg më shumë. Emocionet e mia më të mëdha nuk i kam pasur kur kam filluar sportin, por kur kam lënë futbollin. Kur hoqa atë fanelë, m’u duk sikur hoqa 2 mijë kg mbi kurriz, sepse ajo fanelë peshon shumë për ne, Tironën.

Kemi ndeshjen e derbit këtë javë. Derbi i ka pasur të gjitha ndeshjet faktikisht. Por kur luanim me Partizanin nuk na zinte gjumi një javë para. Sepse kanë qenë ekip që konkurronin për kampionat. Edhe çdo ndeshje me Partizanin, edhe me gjysmë goli ta fitojmë jemi shumë mirë.

I bëj thirrje tifozëve, sepse flas me emocione dhe shpirt. E fillova 11-vjeç dhe e lashë 38 dhe prandaj thashë se ajo fanelë peshon shumë.

I them tifozëve, ashtu si prindërit e tyre në ato kohë që na vinin në stadium, bashkë me ju që atëherë keni qenë të vegjël, t’i bashkohemi ekipit sa më pranë. Sepse bashkimi bën fuqinë. Edhe ne të marrim fëmijët tanë, t’i afrohemi Tiranës dhe t’i japim stimul për këtë ndeshje, por edhe për ndeshjet e tjera”, është shprehur Agustin Kola.

agustin kola ish-futbollisti legjendar i tiranës derbi me partizanin