Sport22 Shkurt 2024, 21:36

Portieri anglez “var dorezat në gozhdë”, tërhiqet në fund të sezonit nga futbolli i luajtur

Shkruar nga Pamfleti

Portieri anglez “var dorezat në gozhdë”, tërhiqet

Portieri i mirënjohur anglez, Xho Hart ka vendosur të varë dorëzat në gozhdë në moshën 37-vjeçare. Gardiani që aktualisht është pjesë e skocezëve të Sëlltikut, ka njoftuar klubin se do të tërhiqet nga futbolli i luajtur në fund të sezonit.

Hart u rrit te Shresbur Taun, ku edhe debutoi në futbollin profesionist, para se të transferohej te Mançester Siti, ku qendroi nga viti 2006 deri në vitin 2018, ku numëron edhe më shumë ndeshje, plot 266 të tilla.

Ardhja e Pep Guardiolës te “Qytetarët”, solli edhe ‘skualifikimin’ e Xho Hart, pasi loja me këmbë nuk ishte një armë e fortë e gardianit anglez dhe për këtë arsye, trajneri katalanas vendosi ta largojë nga skuadra.

Prej verës së vitit 2021, Hart u transferua në Skoci, ku u shndërrua në titullar te Sëlltiku dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me klubin nga Gllasgou. Xho Hart numëron edhe 75 ndeshje me përfaqësuesen e Anglisë, në periudhën 2008-2017.

Me Sitin, Xho Hart fitoi 2 tituj të Premier Ligë (2011–2012, 2013–2014), një FA Cup (2010-2011), ndërsa sa i përket çmimeve individualë, Hart u shpall si portieri më i mirë i sezonit në Premier Ligë në katër raste:  2010–2011, 2011–2012, 2012–2013, 2014–2015.

xho hart portieri anglez