Sport22 Qershor 2024, 18:07

Pse grabitësit nuk e vodhën Topin e Artë, fanellat dhe medaljet sportive të Roberto Baggios?!

Shkruar nga Pamfleti

Pse grabitësit nuk e vodhën Topin e Artë, fanellat dhe medaljet

Ka një detaj jo pa rëndësi në grabitjen e mbrëmjes së të enjtes në shtëpinë e Roberto Baggio në Altavilla Vicentina dhe që nuk u ka shpëtuar fansave dhe mbështetësve të shumtë të tij. Pse hajdutët nuk arritën të marrin Topin e Artë të fituar nga “bishtaleci”?

Ku është trofeu

Në fakt, simboli i sezonit më të mirë të Baggio-s ai 1993, ku edhe France Football dhe juria prestigjioze ishin pothuajse unanime në dhënien e trofeut, nuk ishte në banesë. Me sa duket, sipas burimeve hetimore, Topi i Artë ruhet në kasafortën e një banke të besuar dhe pikërisht për këtë, banditët nuk kanë mundur ta gjejnë.

Detajet

Më pas janë kujtimet, trofetë e një karriere vezulluese, më të çmuarit, ato me vlerën më të lartë sentimentale duke përfshirë bluzat e veshura, fanellat e kampionëve të tjerë dhe medaljet. Edhe ato nuk u rrëmbyen.

Ka dy hipoteza për bastisjen e dështuar nga kriminelët: e para është se autorët e grabitjes nuk e dinin që shtëpia ishte e Baggio-s, e dyta është se nuk i gjetën trofetë.

40 minuta terror në të cilat ish-numri 10 dhe familja e tij ishin në mëshirën e grabitësve. Pastaj ka një detaj tjetër që hetuesit po përpiqen të sqarojnë: Baggio ose një nga anëtarët e familjes së tij (në shtëpi ishin djemtë e Robertos Leonardo dhe Mattia dhe gjithashtu vjehrra e tij si dhe gruaja e tij) i kanë  pyetur banditët nëse ata ishin atje për të vjedhur reliket dhe ata nuk përgjigjeshin. E sigurt është se kriminelët plaçkitën shtëpinë, por nuk e prekën dhomën me trofetë. Me pak fjalë, grabitësit ishin përgatitur, por me siguri nuk e njihnin vilën në detaje.

40 minuta terror

Sipas policisë, banda ka hyrë në një nga dhomat ku familja po ndiqte ndeshjen Itali-Spanjë. Baggio iu afrua njërit prej grabitësve dhe e goditi me grusht në fytyrë dhe si kundërpërgjigje grabitësi e goditi në ballë me tytën e armës, duke e plagosur. Më pas kriminelët e kthyen shtëpinë përmbys, duke vjedhur ora, bizhuteri dhe para. Kur futbollisti kuptoi se grabitësit ishin larguar, ka thyer derën e dhomës ku ata ishin mbyllur dhe ka lajmëruar policinë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”