Sport24 Qershor 2024, 13:21

Shqipëri-Spanjë, nga diplomacia te 200 kg ushqime në aeroport; takimi i 1986-ës vendosi marrëdhëniet mes dy vendeve

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëri-Spanjë, nga diplomacia te 200 kg ushqime në aeroport;

Kombëtarja shqiptare do të përballet sot me Spanjën me shpresën për të arritur një rezultat historik, që do të përkthehej me kualifikim të kuqezinjve në fazën 1/8.

Shqipëria ia ka arritur kësaj dite që të përballet si e bararbartë me iberikët, ndonëse statistikat na lënë të pashpresë. Historia e përballje me dy kombëtareve përmban brenda histori që për kohën janë të paimagjinueshme. Kohë më parë mediat iberike sollën në vëmendje histori që nuk mund të shuhen nga memoria për të dy vendet. Më poshtë do të paraqesin disa nga pikantet mes përballje mes dy kombëtareve të pasqyruara nga mediat spanjolle.

Pikante historike Shqipëri-Spanjë

Ishte mesi i dimrit 1986 (3 dhjetor 1986), kur Shqipëria dhe Spanja përballeshin për herë të parë mes tyre në histori. Një ndeshje që përkoi edhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, me Shqipërinë komuniste që drejtohej nga Ramiz Alia. Spanja mbërrinte në Tiranë, ku në sheshin qendror të Tiranës e priste pankarta: “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë”.

Në ditë që përkonte me takimin e parë zyrtar mes dy kombëtareve, Ramiz Alia mori letrat kredenciale të Luis Kuervos, ambasadori i parë fuqiplotë i Spanjës në Shqipëri. Që nga vdekja e diktatorit të Spanjës, Franko, ambasadorët shqiptarë e kishin të ndaluar të takoheshin me kolegët e tyre spanjollë në takimet zyrtare, kur qëllonte të ishin së bashku jashtë.

Takimi i luajtur më 3 dhjetor 1986 në Shqipëri ishte shumë i veçantë. Ai përkonte me ndeshjen e parë të transmetuar jashtë vendit. Në orën 14:00 filloi një takim në të cilin Spanja vuajti shumë edhe pse në fund fitoi. “Furia e kuqe” fitoi 1-2 me golat e Arteçes dhe Hoakin, teksa Çendo shpërdoroi një 11- metërsh për spanjollët. Pas shumë problemesh, televizioni shtetëror spanjoll “TVE 2” mundi të transmetonte takimin drejtpërdrejt përmes një sinjali që doli nëpërmjet Greqisë. Kjo ishte ndeshja e parë e Shqipërisë që mund të shihej jashtë kufijve të saj.

Për gazetën spanjolle “Marca”, mjaft i çuditshëm ishte ritmi i jetës në kryeqytetin e Shqipërisë së asaj kohe. Tirana e vitit 1986 ishte një kryeqytet me një trafik shumë të kufizuar, pa makina, që dukej si një qytet ku koha kishte ndalur. Në rrugët që ishin ndërtuar për të lëvizur makinat, vendin e tyre e kishin zënë biçikletat. Ndërkohë, masat e sigurisë në hotelin ku qëndronte e grumbulluar kombëtarja spanjolle ishin ekstreme.

Së bashku me kombëtaren spanjolle që udhëtonte në Shqipëri në 1986-ën ishte dhe Huan Senjor, autor i një prej golave në fitoren 12-1 të “Furisë së Kuqe” kundër Maltës. Senjor kujton një ngjarje që ndoshta për brezin e asaj kohe në Shqipëri ishte diçka e zakontë, por aspak për spanjollët dhe vendet europiane. Atij i ra në sy fakti se shumica e tokave në vendin tonë punoheshin nga femrat! “Kujtoj rrugëtimin nga aeroporti drejt qytetit dhe ajo që më binte në sy ishte se kishte shumë njerëz që punonin nëpër ara, por e veçanta ishte se të gjitha ishin femra! Një gjë tjetër që më bëri përshtypje ishte ndryshimi i panoramës në qytet, nuk më zuri syri fëmijë, ndërkohë që njerëzit ecnin të veçuar, nuk shihja grupe”, ka kujtuar Senjor. Ai gjithashtu kujton edhe përballjen e parë mes Shqipërisë dhe Spanjës. “Ishte një ndeshje shumë e ndërlikuar për ne. Shqipëria na vuri shumë në vështirësi, teksa nga ana tjetër mbaj mend se ishte nga të paktat ndeshje që Spanja luante me fanellat e bardha”, ka komentuar ai në shtypin e kohës në Spanjë.

Spanja do të vizitonte Shqipërinë pesë vjet më vonë. Në vitin 1991 “Furia e Kuqe” do të përballej me Shqipërinë për kualifikueset e Kampionatit Europian të vitit 1992 në Suedi. Në Sevilje triumfonte Spanja 9-0 me katër gola të Emilio Butragenjos. Ndeshja e kthimit ishte planifikuar të zhvillohej më 18 dhjetor 1991. Por kjo ndeshje nuk u luajt kurrë. Me Spanjën të eliminuar dhe pa asnjë shans për të kapur biletën e europianit dhe me Shqipërinë që po rrëzonte regjimin komunist takimi ishte gati i pamundur të luhej për shkak të kushteve shumë të vështira politike dhe të sigurisë në Shqipëri. Pas shkëmbimesh shkresurinash mes federatave të të dyja vendeve, ishte Spanja ajo që kërkoi pezullimin e ndeshjes qoftë në nivel kombëtaresh A, qoftë në nivel përfaqësuesesh U-21. Visente Miera kishte bërë gati listën e lojtarëve të kombëtares spanjolle që duhej të udhëtonin në Tiranë, por ai deklaronte se udhëtimi ishte gati i pamundur. “Kam shumë frikë – deklaronte ai – Hoteli ku duhej të grumbullohej kombëtarja spanjolle ishte grabitur. Njerëzit janë të uritur dhe mund të pritej çdo gjë. Gjëja më e mirë që duhet bërë është të mos udhëtojmë, por…” shpjegonte Hezus Pareda, asokohe trajner i përfaqësueses spanjolle U-21.

Spanja me 200 KG ushqime me vete 

Me gjithçka gati për të hipur në avion, një ditë para ndeshjes mbërriti faksi nga departamenti juridik i UEFAs. “Situata në Shqipëri është e tensionuar dhe sjellja e popullsisë është e paparashikueshme. Prandaj nuk është e mundur të parashikohet se si mund të zhvillohen ngjarjet. Komiteti i UEFA-s do të vendosë nëse, kur dhe ku do të luhen përfundimisht këto ndeshje”. Në aeroportin e Madridit “Barajas / Barahas” u desh të rikuperoheshin 200 kilogramë ushqime që po merreshin.