Sport21 Maj 2024, 21:31

Stiven Zhang humbet zyrtarisht pronësinë e Interit, çfarë do të ndohdë nesër me kampionët e Italisë

Shkruar nga Pamfleti

Stiven Zhang humbet zyrtarisht pronësinë e Interit, çfarë

Klubi i Interit, që nga dita e mërkurë nuk është më në pronësinë e grupit kinez “Sunning”. Afati i fundit për të shlyer borxhin ndaj fondit Oaktree ishte sot dhe me mospagesën e këtij detyrimi dhe interesave, tashmë janë amerikanët ata që marrin kontrollin e klubit zikaltër.

Interi kishte kohë deri në orën 20:00 për të shlyer borxhin që kishte marrë nga ky fond, një shifër prej 275 milionë eurosh plus interesa. Por pagesa nuk është bërë dhe Oaktree nuk ka pranuar garanci të tjera. Kështu, me mbylljen e orarit zyrtar, kinezët praktikisht humbasin çdo lloj fuqie kontrolli mbi klubin.

Gjatë ditës së nesërme pritet lajmërimi zyrtar nga Oaktree për marrjen në kontroll të klubit, duke vendosur në zbatim klauzolat e kontratave, teksa do të caktohen edhe afatet për të ndërtuar bordin e ri drejtues. Kështu, merr fund epoka kineze e Interit, e nisur në 6 qershorin e vitit 2016 dhe që mbaron më 21 maj 2024.

Stiven Zhang ka premtuar se do të luftojë në rrugë ligjore për të mbajtur kontrollin e klubit, por në Itali e bëjnë fakt të kryer ndryshimin e pronësisë nga dita e nesërme, duke i dhënë fund një cikli prej thuajse 8 vitesh, ku nën drejtimin e kinezëve, Interi fitoi 2 tituj kampion, 2 Kupa Italie dhe 2 Superkupa Italie.

Përpara tij është vetëm Masimo Morati me 16 trofe në 18 vite presidencë.

Marota do të jetë akoma më shumë në komandë për të drejtuar një merkato që do të duhet të përmirësojë akoma më shumë llogaritë dhe konkurrencën në nivele të larta të klubit.

Do të kenë përparësi rinovimet e Barelas, Inzagit dhe Lautaros, më pas do të kërkohet të grumbullohet një thesar i vogël me shitjet e lojtarëve jo të nivelit të lartë për të financuar blerjet e reja Bento dhe Gudmundson.

Megjithatë, duhet bërë kujdes edhe për ofertat që mund të vijnë për yjet e skuadrës dhe që mund të bindin drejtuesit të hapin negociatat për të sistemuar bilancin dhe për të investuar më pas në merkato.

Në program është edhe një takim me Inzagin për të programuar merkaton në bazë edhe të udhëzimeve që do të vijnë nga pronësia e re.

inter stiven zhang skuadra zikaltër