Sport30 Nëntor 2023, 16:04

“Vit ëndrrash, nuk shkojmë në Gjermani si turistë”, Arbnor Muja: Pas kualifikimit në Europian, Silvinjo na kërkoi të kalojmë grupin

Shkruar nga Pamfleti

“Vit ëndrrash, nuk shkojmë në Gjermani si

Arbnor Muja ka vetëm tre muaj që është bërë pjesë e Kombëtares shqiptare, por me natyrën e tij karizmatike dhe protagonist pas çdo ndeshjeje duke festuar me nota patriotike, është bërë shumë i dashur për tifozët dhe duket sikur është prej shumë kohësh pjesë e Shqipërisë.

Anësori i cili luan me Antverpin në Belgjikë, në një intervistë për “Telegrafi”-n, zbulon atë që Silvinjo u ka thënë pas kualifikimit. Sipas tij, Shqipëria nuk do të shkojë si turiste në Gjermani, por do të synojë të kalojë grupin. Muja, tregon edhe prapaskenat e transferimit te skuadra belge dhe si Mark Overmars e pyeti pas ndeshjes, deri te lotët e gëzimit që ngatërruan shokët e skuadrës që mendonin se Arbnori po qante për eliminimin që Drita pësoi në Ligën e Konferencës.

Arbnor, dy ndeshjet e fundit ishin barazime, por që mjaftuan për të kaluar zyrtarisht në Kampionatin Europian. Më shumë ka qenë festë?

Pas lojës së parë me Moldavinë, më shumë ka qenë festë se sa futboll. Sidomos në ndeshjen e dytë. Është aftësi e madhe të arrish aty dhe jam krenar që jam pjesë e kësaj Kombëtareje dhe që kemi gëzuar gjithë shqiptarët kudo që janë. Jam ndjerë shumë mirë në kohën e grumbullimeve edhe shpresoj që pas kualifikimit, të vazhdojmë edhe në grupe.

Më 2016 ju keni qenë i vogël në moshë, por pas 7-vitesh e mendonit se do të ishit pjesë e Kombëtares, që do të kualifikohej për në Europian?

Me thënë të drejtën nuk e kam menduar një gjë të tillë, sepse kam qenë i ri, vetëm tifoz, një djalë që ka jetuar në Mitrovicë dhe ka luajtur futboll për qejf që i vogël. Ka qenë kënaqësi që kemi ndjekur Shqipërinë në “EURO 2016” dhe jo një kombëtare tjetër. Tani jam pjesë e saj dhe kjo është një ëndërr që po e jetoj. Nuk e kisha menduar.

Sa keni besuar realisht që Shqipëria do të kualifikohej, pasi në letër ka qenë tepër e vështirë?

Duke marrë parasysh se në ndeshjet e qershorit Shqipëria mori 6 pikë, shanset u rritën shumë. Pastaj edhe me ndeshjet e shtatorit, ku unë u bëra pjesë e ekipit, barazimi në Çeki dhe fitorja me Poloninë, aty mundësia është rritur shumë e më shumë dhe e kam ndjerë që kjo Kombëtare, nëse qendrojmë bashkë siç kemi qendruar, mund të bëjë gjëra të mëdha.

Ka qenë një vit i suksesshëm, po ashtu edhe me klubin…

Nëse do të më thoshte dikush një vit më parë se do të luaja në grupet e Ligës së Kampionëve, do t’i thoja pse tallesh me mua. Nuk e di se çfarë do t’i bëja, pasi ka qenë vërtetë e pabesueshme dhe e paimagjinueshme për mua. Të luaj në Ligën e Kampionëve ka qenë vërtetë një ëndërr që tani është bërë realitet. Qënga koha kur gara mban emrin Liga e Kampionëve, kjo është hera e parë që Antverpi futet në fazën e grupeve. Shënova dhe gol. Luajta kundër Barcelonës, një ekipi që unë jam tifoz që i vogël. Ishin emocione të papërshkrueshme, sa m’u rrëqeth mishi kur dëgjova himnin. Besoj se të gjithë futbollistët do të jenë në historinë e klubit, pasi përveç se fituam ‘tripletën’ në Belgjikë, u futëm edhe në grupe, një sukses i jashtëzakonshëm. Ndërsa shokët këtej më thonë: “Shkove ti dhe ata i fituan të gjitha” (qesh).

A e konsideroni veten me fat që nuk luan më në Kosovë, por jeni transferuar jashtë?

Kur je futbollist duhet të kesh edhe fat, sepse nëse nuk ke fat, përballesh me çdo lloj problemi, dëmtime etj. Ju e dini që Kosova nuk i ka kushtet dhe infrastrukturën njësoj me vendet e zhvilluara. Kur kam qenë te Drita kam bërë paraqitje të mira. Kalova një vit të vështirë në fillim, pasi kisha dëmtim te kyçi i këmbës dhe nuk luajta shumë. Dëmtimet po vazhdonin njëri pas tjetrit dhe erdhi një moment që u theva, nuk kisha më shpresë. E kisha të sigurt që do të bëja operacion, por një fizioterapist më ktheu në formë për dy muaj. Normale që kisha dyshime me veten në fillim, por falenderoj edhe trajner Nuhiun për besimin që më ka dhënë. Ishin ndeshjet e Europës dhe përballeshim me Antverpin pasi kaluam Inter Turkun.

Aty ndodhi transferimi?

Luajtëm ndeshjen e parë dhe aty u lëndova në minutën e 80. U kthyem në Kosovë dhe kishim një javë kohë. Klubet kanë hyrë në bisedime me njëri-tjetrin, por unë nuk dija asgjë. Nuk jam stërvitur deri të mërkurën, derisa të enjten u bëra gati. Hyra në lojë dhe luajta normal, edhe për shkak të lëndimit. Isha i mërzitur dhe duke qarë për eliminimin, derisa presidenti, Valon Murseli, më kapi për qafe dhe më tha: “Mos qaj se po transferohesh te Antverpi”. Në atë moment u shtanga dhe e pyesja nëse po bënte shaka me mua, pasi ai është një tip që bën shumë shaka. Me t‘u futur në dhomat e zhveshjes, vjen drejtori sportiv, Mark Overmars dhe më pyet nëse do të transferohem te Antverpi. Sigurisht që isha i emocionuar dhe i thashë  menjëherë se që të nesërmen mund të nisesha. Trajneri i tyre më rekomandoi të pushoja disa ditë dhe të shkoja të hënën. Ishte e enjte. Ndërsa Overmars më ka thënë se asnjeri nuk kam pyetur më përpara, por zemra po më thotë që duhet të të marr tek Antverpi, sepse je lojtari i profilit tim. Ndërsa lojtarët po mendonin se po qaja ngaqë u eliminuam, derisa u tregoi presidenti që ishin lot gëzimi.

Ku mund ta shohim Arbnor Mujën pas Antverpit, cilat janë objektivat tuaja?

Pas një viti të tillë, patjetër që duhet ta shfrytëzosh këtë moment. Unë jam duke luajtur me një ekip kampion dhe në garën më të fortë, Champions League. Për momentin jam i fokusuar aty dhe duhet të jem në një mendim me klubin, me interesat e tyre. Antverpi sërish mbetet faktori kryesor dhe nuk kam qejf që të ndryshoj shumë ekipe. Nëse ka diçka interesante që është mirë për mua dhe për klubin, do flasim.

Ku ëndërron Arbnori të luajë një ditë?

Kampionati që më tërheq dhe për të mos dalë jashtë imagjinatës është liga angleze. Së pari, edhe ajo gjermane është pak e njëjtë me atë të Belgjikës dhe aty mund të përshtatesha më shpejt. Nuk i dihet asnjëherë. Të jemi mirë me shëndet fillimisht pastaj të tjerat vijnë.

A i keni vendosur vetes një objektiv se sa gola doni të shënoni?

Dhjetë do të doja të shënoja këtë sezon. Edhe pse statistikat nuk janë gjithçka, pasi ka të bëjë edhe loja që zhvillon dhe ekipet elitare i shohin të gjitha. Por që patjetër edhe statistikat kanë rëndësi.

Si ka për të qenë Europiani me Shqipërinë?

Që tani kam marrë qindra mesazhe nga familjarët, shoqëria e njerëzit që i njoh për bileta. Gjermania do të pushtohet nga shqiptarët dhe do të jetë një kaos total, aq sa do të jenë në stadium, aq do të mbeten edhe jashtë, pasi sigurisht që numri do të jetë shumë i madh. Ne nuk do të shkojmë si turistë në Gjermani. Pasi kemi fituar grupin në fazën kualifikuese, tani synimi i të gjithëve është që të kalojmë edhe grupin në “EURO 2024”. Jemi një popull që e duam shumë futbollin.

Kë do të dëshironit në grup?

Nuk e di ç’të them. Shpresoj që grupi të jetë i favorshëm dhe të mos jetë i vështirë. Por, edhe nëse e kemi të vështirë, nuk do të jemi kalimtarë dhe do të synojmë kualifikimin. Kjo është fryma që ka krijuar trajneri Silvinjo sepse jemi në gjendje për të kaluar grupin. Është diçka pozitive që kemi synime vetëm për lart.

arbnor muja sulmuesi i kombëtares shqiptare