Kosova17 Dhjetor 2022, 12:55

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla

Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucionet e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet që t’i largojnë barrikadat e vendosura në veri të vendit.

Sveçla ka njoftuar se bashkë me partnerët ndërkombëtarë, janë duke e vlerësuar situatën për reagim adekuat.

“Një nga lokalet e Prishtinës, si shumë biznese e familje bujare, dje ka përgatitur ushqim për zyrtarët tanë policorë që po angazhohen në veri, në mbrojtje të vendit tonë. Darkën e kaluam së bashku me zyrtarët policorë në Bërnjak të cilët, si gjithë të tjerët, me moral të lartë e me përkushtim po punojnë sipas misionit të tyre në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë. Ndërsa, nga qytetarët e kësaj zone që janë bllokuar nga barrikadat tash e një javë po kërkohet me ngulm heqja e tyre dhe vazhdimi i jetesës dhe zhvillimit pa pengesa. Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai më tej ka thënë se veriu duhet të kthehet sa më shpejt në normalitet.

Të shtunën, veriu ka hyrë në ditën e tetë të protestave me anë të vendosjes së postblloqeve nga ana e serbëve, pas arrestimit të ish-pjesëtarit policor serb, Dejan Pantiç, i cili dyshohet se sulmoi zyrtarët policorë dhe ata të KQZ-së në veri.

Prishtine Barrikadat në veri veriu i Kosovës Xhelal Sveçla

Kosova