Kërkohet vetëm 1 deputet që nuk është hajdut: Ja si verifikohet në 3 minuta! - Aktualitet
Aktualitet21 Korrik 2018, 17:28

Kërkohet vetëm 1 deputet që nuk është hajdut: Ja si verifikohet në 3 minuta!

Shkruar nga Pamfleti
Kërkohet vetëm 1 deputet që nuk është hajdut: Ja si

Kërkohet vetëm 1 deputet që nuk është hajdut: Ja si verifikohet në 3 minuta. Presim seancën e radhës. Mirë do ishte ta bëjë kryeministri…

Shkruan: Sokol Pepushaj

Disa deputetëve të tre forcave politike, u sugjeruam një qëndrim 3 minutësh në Parlament, lidhur me problemin më specifik të shoqërisë shqiptare, korrupsionin. Secili artikulon filozofira morali, por që për vete ndihet mirë e i pastër.

Hajdutë janë kundërshtarët politikë…Është kjo tashmë një përrallë me mbret e të ngjanë me fabulën banale të lavires. Atëherë, le ta bëjmë publik diskutimin që shqiptarët presin në këtë parlament dhe kërkohet vetëm 1 ligjprodhues ta lexojë në foltore:

Zotëri kolegë, zotëri hajdutë, zotëri falsifikatorë, zotëri trafikantë, zotëri kriminelë, pasi e dimë të gjithë, nga të tërë këta ka këtu, votuesit tanë, emigrantët e diaspora, por edhe ndërkombëtarët, po na fyejnë rëndë, po na fusin të tërëve në një thesë, po na quajnë jo parlamentarë, por bandë kriminelësh me 140 hajdutë.

Po, po, është e vërtëtë, të gjithë e dimë këtë nofkë, të tërë i ngarkojmë njëri-tjetrit epitete kaq të rënda, kaq të ulëta, por ka ardhur momenti ta ndajmë shapin nga sheqeri. Në rrjetet socialë, në përceptimin mbarë shqiptarë, është krijuar ideja se gjithë politika, gjithë pushteti i 28 viteve të ashtuquajtur demokraci, ka abuzuar, ka vjedhur, ka shkelur me gjithë peshën e vet të rëndë mbi liritë e të drejtat njerëzore të pupullit të thjeshtë. Na akuzojnë se ne nuk bëjmë asgjë e shtojmë pasuri përrallore, na akuzojnë se fëmijët tanë e të afërmit tanë bëjnë jetë sheikësh, duke vjedhur pikërisht popullin që na ka besuar jetën e vet e të fëmijëve të vet.

Drejtësi e qelbur nga para krimi, pushtet i qelbur nga para krimi, politikë e qelbur nga para krimi, qeveri e qelbur nga para krimi, parlament i qelbur nga para krimi; Kështu thonë ata që na paguajnë me taksat e djersën e tyre. Por sot, nga kjo foltore, pasi ngado në këtë Shqipëri dhe ngado në këtë glob na etiketojnë si lavatriçe të parave e pasurive kriminele, si laborator droge, si kapobandë mafioze, nuk mund të rri pa folur, nuk mund të pranoj se jam hajdut. Është fyerje e rëndë kolegë, nuk e duroj dot.

Pra, që sot kolegë deputetë, deklaroj se jam i gatshëm t’i nënshtrohem një hetimi të thelluar ekonomik dhe moral. Pas meje, secili që nuk është hajdut, le të votojë një platformë ligjore që na mundëson heqjen e “kleçkës” hajdut. Është shumë e thjeshtë e nuk kërkon shumë kohë.

Ky parlament  kërkoi ndihmën amerikane me një prokuror dhe 3-4 specialistë të FBI. Le të nisim të plotësojmë formularin që duhet, e ata le të sjellin dosjet që thuhet se i kanë të gatshme për ne. Kjo, në pak ditë realizohet. Nuk ka asnjëri arsye të akuzojë palët politike për njëanësi hetimore apo vëndimmarrëse. Le të bëjmë me të voglën gjë, të themi pa frikë se nuk jemi hajdutë.

Unë e deklarova: Nuk jam hajdut. Është fjala juaj tashmë, o pranojeni se jeni hajdutë, o votoni ligjin
të na hetojnë të gjithëve.Kështu nuk mund të ecet më tej…Ja pra, kaq kërkohet dhe vetëm njëri duhet ta bëjë. Të presim cili do e ketë ndërgjegjen e pastër ta bëjë këtë diskutim fiks 3 minutësh. Mirë do ishte ta bënte kryeministri.

Shqiptarët do ndiheshin të çliruar, nuk do i futnin të gjithë në një kallep, hajdutë.

Kryesore