Senati Amerikan miraton ambasadorin e ri në Tiranë, Kostelancik zëvendëson Yuri Kim - Aktualitet
Aktualitet28 Prill 2023, 17:26

Senati Amerikan miraton ambasadorin e ri në Tiranë, Kostelancik zëvendëson Yuri Kim

Shkruar nga Pamfleti
Senati Amerikan miraton ambasadorin e ri në Tiranë, Kostelancik
David Kostelancik

Ai ka shërbyer si Drejtor i Zyrës së Çështjeve Ruse, në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Gjithashtu diplomati ka qenë Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit.

David Kostelancik do të jetë ambasadori i ri i SHBA në Shqipëri. Komiteti i Jashtëm në Senatin Amerikan ka miratuar pak më parë kandidaturën e tij. Kjo do të thotë se shumë shpejt Yuri Kim do të largohet dhe detyrën do e marrë Kostelancik, një diplomat karriere.

Kostelancik është diplomat i Shërbimit të Jashtëm të Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, grada Këshilltar Ministër. Ai ka filluar të shërbejë si këshilltar për politikën e jashtme të Kryetarit të Shefit të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Mark Milley, në gusht 2021. Kostelancik më parë ka qenë Zëvendës Shef i Misionit, dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Budapest, në Hungari, ku ofroi udhëheqje dhe udhëzime politike për stafin e misionit prej më shumë se 350 personash.

Ndër të tjera Kostelancik ka qenë i emëruar në Departamentin e Shtetit Amerikanë si Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore –Qendore. Ai ka shërbyer si Drejtor i Zyrës së Çështjeve Ruse, në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Gjithashtu diplomati ka qenë Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit.

Më herët, në karrierën e tij ka shërbyer dy herë në Ambasadën e SHBA-së në Moskë. Detyra të tjera në të cilat Kostelancik është përfshirë janë Misioni i SHBA në OSBE dhe Misioni i SHBA në NATO, duke u fokusuar dhe në bashkëpunimin e sigurisë me Rusinë, Ambasadën e SHBA në Shqipëri dhe Ambasadën e SHBA në Turqi.

Ai ka shërbyer gjithashtu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke u përqendruar në marrëdhëniet e SHBA me vendet e Evropës Qendrore.

Kostelancik është diplomuar në Universitetin Northwestern në Matematikë dhe Shkenca Politike, si dhe Master nga Universiteti i Miçiganit në Studimin e Rusisë dhe të Evropës Lindore. Po ashtu ai ka përfunduar Masterin Shkencor nga Kolegji Kombëtar i Luftës në politikën e sigurisë kombëtare.

Ambasadori i ardhshëm i Shqipërisë është njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, ruse dhe asaj turke. David J. Kostelancik është baba i tre djemve të rritur. Njohja e gjuhës shqipe nga ana e Kostelancik, pritet t’i lehtësojë edhe më tepër detyrat si ambasador në Shqipëri.

Prioritetet e ambasadorit

Në fund të marsit, Kostelancik prezantoi në Senat prioritet e punës së tij. Ai e cilësoi si qëllim kryesor të Shteteve të Bashkuara, luftën ndaj korrupsionit në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke dërguar një mesazh të fortë për politikën se SHBA nuk ka për të ndërruar kurs pavarësisht ndryshimit të diplomatëve.

Ai e vuri theksin te reforma në drejtësi si një ndër prioritetet kryesore që Shqipëria të avancojë drejt rrugës Evropiane. Kostelancik shtoi gjithashtu se bazuar te eksperienca e tij 30-vjeçare dhe dëshira e madhe për të forcuar partneritetin SHBA-Shqipëri, është i duhuri për të qenë ambasadori i ri në vendin tonë.

Është një detyrë e rëndësishme dhe për shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Reforma në drejtësi do të ndihmojë Shqipërinë të ecë përpara drejt institucioneve evropiane. Unë do të forcoj partneritetin me Shqipërinë, e kam ndjekur marrëdhënien që ka krijuar stafi i Ambasadës amerikane në Tiranë për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e sulmeve kibernetike nga Irani. Ne duhet të forcojmë pra mbrojtjen ndaj këtyre sulmeve, edhe në të ardhmen. Për të mbrojtur infrastrukturën online të shërbimeve qeveritare shqiptare. Unë do ta forcoj klimën e biznesit në Shqipëri për të nxitur investimet amerikane, për të krijuar një treg transparent për investime të reja.

Shqipëria po bën progres në rrugën e integrimit euro-atlantik, nëse unë do të konfirmohem nga Senati, do të kem nderin që të ndërtoj mbi bazën e eksperiencës time 30-vjeçare, forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ju falënderoj për nominimin dhe jam i hapur për pyetjet tuaja”, tha Kostelancik.

ambasadori kim shba