Berisha- Meta- Rama, “trekëndëshi i barabrinjës” i mafies politike shqiptare - Dosja e zezë
Dosja e zezë25 Shkurt 2023, 09:51

Berisha- Meta- Rama, “trekëndëshi i barabrinjës” i mafies politike shqiptare

Shkruar nga Pamfleti
Berisha- Meta- Rama, “trekëndëshi i barabrinjës” i
Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama

Nga parti politike programore, i kanë tjetërsuar në parti mafioze familjare, me qëllime të njëjta dhe zullume ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve

Janë 3 grupe propagande, që çdo ditë në banakë mediatikë të ndarë në mbështetës çetash mafioze, sulmojnë e denigrojnë njëra-tjetrën, duke u vetë deklaruar “shenjtorë” para shqiptarëve.

Është Foltorja, Partia e Lirisë dhe PS, që po vetëquhen “lëvizje të reja politike” dhe hiqen si të pa përlyer, por janë “moçali” i politikës së vjetër: të bashkuar e ndarë për interesa pasurore.

Ndërkohë që PD zyrtare, është në pritje të vendimit për vulën dhe po vazhdon aktivitetin me shpallje kandidatësh për zgjedhjet lokale, në “ringun” e përleshjes së egër politike të radhës është Foltorja me Partinë e Lirisë, kundër Partisë Socialiste.

Foltoristët ish-ministra, deputetë e ish deputetë, ish-drejtorë e ish-krye bashkiakë, thonë: - Mafiozët socialiste duhen shporrur nga pushteti, sepse janë hajdutë, trafikantë, kriminelë, shkatërrues të Shqipërisë e të drejtësisë që po largojnë rininë nga vendi.

Bashkëshortët Metaj- Kryemadhi, ish-ministrat dhe drejtorët e LSI, thonë: - Banda e PS është rekord korrupsioni, shkak i varfërisë, kapjes së drejtësisë, pastrimit të parave e trafiqeve.

Pushtetarët dhe agjitatorët e PS, thonë: - Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka. Nuk kemi bërë aq sa duhet për shqiptarët, por kemi bërë më shumë se ata që vodhën Shqipërinë dhe duan të vijnë e ta vjedhin përsëri.

Skuadrat e propagandës së përditshme e të përnatshme mediatike të Foltores, Partisë së Lirisë e PS-së, janë zëri i qëllimit të Sali Berishës e Ilir Metës, për të bindur shqiptarët t’i japin pushtetin, dhe zëri i Edi Ramës për t’i bindur të mos ia heqin pushtetin.

Thënë shkurt, Saliu e Iliri janë “ujqërit” që kanë bërë batërdinë në “stan”, ndërsa Edi Rama është “ujku” që po bënë batërdinë prej 10 vitesh e nuk largohet nga stani; por Saliu e Iliri i thonë: - Boll hëngre ti, tani e kemi radhën ne”.

Shqiptarët e dinë, që beteja Berisha- Meta për pushtet, veç vjedhjeve ka edhe një motiv shumë të fortë: të dy janë nën hetim nga SPAK e drejtësia amerikane, por edhe beteja e Ramës për të mbajtur pushtetin, ka lidhje me frikën e prangave amerikane për skandalin “McGonigal”.

Edi Rama e quan Sali Berishën “anti-shqiptar, djall e kriminel”. Ilir Metën e quan “mafioz e krye hajdut”, ndërsa këta dy e quajnë Edi Ramën “mafioz, krye hajdut e anti-shqiptar”.

Në fakt, Sali Berisha, Ilir Metaj e Edi Rama nuk janë me profile ndryshe nga njeri-tjetri, por janë një “trekëndësh barabrinjës” të lidhur prej 30 vitesh në interesa e pazare; me parti mafioze e familjare; me qëllime të njëjta dhe zullume ndaj Shqipërisë e shqiptarëve.

Prandaj të tre, po luajnë me kartën e së “keqes më të vogël” dhe po përdorin njeri-tjetrin si “gogol” përpara shqiptarëve, kur të tre janë e keqja e Shqipërisë, të bashkuar herë hapur e herë skutave, me një qëllim: të ruajnë sundimin e tyre në politikë!/Pamfleti

 

edi rama sali berisha ilir meta trekëndëshi barabrinjës mafia politike