kërkon shpëtimin nga burgu në këmbim të

9 Nëntor 2018, 15:3115:31Anti-Mafia
- Anti-Mafia
Anti-Mafia 9 Nëntor 2018, 15:31

Shkruar nga Pamfleti

Meta e ka me SHBA, sulmon Ramën që të dëgjojë Amerika. Pazari, përtej Lleshit dhe posteve, kërkon shpëtimin nga burgu në këmbim të SPAK e BKH!

Ftesa që SHBA ka formuluar për ministrin e ri të Brendshëm të komanduar Sandër Lleshi ka shtuar frikën e Metës se Uashingtoni do t’i japë “lejekalim” për ta arrestuar. Presidenti u dërgon mesazh partnerëve se është gati për pazar në funksion të ndërtimit të institucioneve të drejtësisë dhe atyre kushtetuese, nëse i japin garanci se dosjet e tij do mbyllen dhe do shpëtojë nga burgu

Ilir Meta ka reaguar ndaj Edi Ramës në lidhje me akuzat e kryeministrit se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me refuzimin e dekretimit të Sandër Lleshajt si Ministër i Brendshëm.

Rama paralajmëroi dhe e realizoi sot ridërgimin në Presidencë të propozimit për emërimin e Sandër Lleshit në këtë post shumë të rëndësishëm, që garanton sigurinë e qytetarëve.

Ndërkohë që menjëherë në pikë të mëngjesit, Meta reagoi ashpër ndaj Ramës, duke i kujtuar se interkonektiviteti duhet të rrezatojë kudo.

“Sa i takon anës ligjore padashur të jap leksione për Kushtetutën… por të gjithë amatorëve, diletantëve, do u thoja që të lexojnë Kushtetutën dhe kompetencat e Presidentit”, tha Meta.

Por Presidenti i vendit deklaratën e tij e kishte me “qitje” më të largët se në adresë të kryeministrit Edi Rama, të cilin e kishte akuzuar ditë më parë se koha e sekretarëve të parë të PPSH kishte përfunduar me kohë e me vakt. Pra, e kishte bërë “adetin” e akuzave ndaj tij.

Meta tërë problemin e ka me partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, por në veçanti me amerikanët të cilët ia kanë kërkuar direkt firmosjen e dekretit për emërimin e Sandër Lleshit ministër të Brendshëm.

Përpos deklaratës se “një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e përpjekjeve e rezultateve të deritanishme”, SHBA kërkoi direkt nga Meta dekretimin e Lleshit në këtë post, me argumentin se duhet një ministër e jo zv.ministër.

SHBA e kërkoi dhe përmes medias që rëndom cilësohet si zëri zyrtar i DASH, “Zëri i Amerikës”, ku Meta akuzohet drejtëpërdrejt si bllokues i pakuptimtë i emërimit të Ministrit të ri të Brendshëm Sandër Lleshi.

Ndaj Meta sulmin në të vërtetë e ka në drejtim të SHBA sidomos, pasi më qëndrimin e tij për të bërë opozitë të fortë ndaj Ramës, qoftë dhe duke mos iu referuar saktësisht Kushtetutës, kërkon të mos ketë palë të treta të përfshira.

Për më tepër që ftesa ndaj Sandër Lleshit për një vizitë së shpejti në SHBA nga ana e qeverisë amerikane, e ka tërbuar Ilir Metën, i cili gjendet në një pozitë shumë të vështirë, nga frika se mos ministri i ri i Brendshëm merr “lejekalim” për t’i bërë gjëmën dhe futur në burg.

Me gjithë ato maskarallëqe, pisllëqe dhe abuzime me pushtetin që ka bërë Ilir Meta për 20 e ca vite me radhë që nuk i është ndarë pushtetit, ngado që ta kapësh dhe me një sistem drejtësie normal, vendin në burg e ka.

Ndaj, lajmet se kërkon të bëjë pazar për KLSH, për institucionet e tjera ligjzbatuese në Shqipëri duke bllokuar dekretimin e Lleshit, tashmë e kanë humbur vlerën, përballë “pazarit” të madh që është shfaqur në horizont, shpëtimin me çdo kusht nga burgu.

Dhe këtë Meta kërkon ta realizojë duke bërë si i fortë në kurriz të institucioneve të shtetit, për të treguar se mund të destabilizojë situatën përmes bllokimit të institucioneve të drejtësisë, duke filluar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përmes propozimit të Tushës në krye të KLSH, Gjykata Kushtetuese, si dhe SPAK-u dhe Byroja Kombëtare të Hetimit.

Ndaj dhe “stekën” e pazarit tashmë e ka ngritur lart dhe me ndërkombëtarët: Zhbllokimin e institucioneve të drejtësisë dhe të pastrimit të politikës shqiptare në këmbim të garancive për të qënë jashtë burgut, si shpërblim për këtë “kontribut”. Pavarësisht se bën detyrën sipas ligjit./Pamfleti

 

Anti-Mafia kërkon shpëtimin nga burgu në këmbim të SPAK e BKH! Meta e ka me SHBA përtej Lleshit dhe posteve sulmon Ramën që të dëgjojë Amerika. Pazari