Edi Rama prek fundin, largimi i Musa Ulqinit, i fundmi i socialistëve, PS i dorëzohet përfundimisht krimit - Aktualitet
Aktualitet13 Shtator 2018, 11:00

Edi Rama prek fundin, largimi i Musa Ulqinit, i fundmi i socialistëve, PS i dorëzohet përfundimisht krimit

Shkruar nga Pamfleti
Edi Rama prek fundin, largimi i Musa Ulqinit, i fundmi i socialistëve, PS i

Edi Rama prek fundin, largimi i Masa Ulqinit, i fundmi i socialistëve, PS i dorëzohet përfundimisht krimit

Ish kryetarin socialist të Tiranës dhe ish sekretarin e Burimeve Njerëzore dhe Koalicionet me sa duket e ndjek “mallkimi” i firmëtarit të parë në teserën e anëtarësimit në PS për Edi Ramën dhe Rexhep Meidanin. Si Edi Rama zëvendësoi kolegjialitetin dhe demokracinë në PS me drejtimin në bazë të urdhërit e hierarkinë e “kithët” që s’promovon vlerat. 

Partia Socialiste është shquar gjithnjë si një parti që ka ardhur hap pas hapi në liberalizim dhe demokraci, kuptohet në kohën e Fatos Nanos.

Ishte koha atëherë, kur ndonëse PS e sapokrijuar kishte ende nëpër këmbë “mitrën” e PPSH, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992, gjeti forca për t’u ringritur.

Vetëm një vit më vonë do të shënonte një fitore historike në zgjedhjet për pushtetin vendor, duke patur një gjeografi të mahnitshme dhe duke marrë bashkitë e komunat më të mëdha dhe më të shumta në vend.

Pa llogaritur dominimin e këshilltarëve bashkiakë dhe komunalë, ku gati në të gjitha njësitë vendore kishte shumicën, ndonëse aleatët e mëpastajmë ishin me PD, pasi ishte trend asokohe.

Nuk po hyjmë në historinë e PS, që me kryetarin socialist Fatos Nano në burg arriti të rrëzonte referendumin e Berishës për Kushtetutën, përmes të cilës kërkonte të bëhej mbret, apo zgjedhjet e vitit 1996 që u fituan realisht, por Berisha i vodhi me polici dhe SHIK. Pastaj vitin 1997 dhe fitoret në zgjedhjet parlamentare dhe vendore deri në vitin 2005.

Socialistët, në mënyrë të qartë, bazën e suksesit kishin disiplinën në parti, devotshmërinë për të shërbyer, dhe mbi të gjitha frymën kolegjiale që ekzistonte, ku anëtari i fundit i PS kishte të drejta.

Kjo demokraci e brendshme në PS, me gjithë përplasjet, me gjithë makutërinë e Ilir Metës “Kalit të Trojës” të futur nga Berisha në PS, ia dilte gjithnjë që PS të kishte shumicën e votave në çdo palë zgjedhje.

Mjafton të kujtojmë Tiranën, ku me kryetar të PS Musa Ulqinin, ndonëse nuk synonte tribunat dhe lavdet për vete, fitorja ishte e sigurtë.

Nuk ka qënë rastësi, që ai ka shënuar fitoret më të mëdha sa ka qënë kryetar i PS në Tiranë, duke filluar që me dominimin e jetës parlamentare nga deputetët e PS në kryeqytet e deri tek fitoret e njëpasnjëshme të krerëve të bashkisë, ku më konkretisht Edi Rama ka fituar në vitin 2000 dhe në vitin 2003 vetëm në sajë të Musa Ulqinit.

Jo pa qëllim Musa Ulqini ka qënë njeriu që ka firmosur në teserën e anëtarësisë në PS për herë të parë për ish sekretarin e përgjithshëm të PS dhe ish presidentin Rexhep Meidani por dhe ish Ministrin e Kulturës, ish kreun e bashkisë së Tiranës, kreun aktual të PS dhe kryeministër i vendit Edi Rama.

Ardhja e Edi Ramës në krye të PS në vitin 2005, pasi e la këtë parti dhe aleatët e saj në opozitë për tetë vite me radhë, ndonëse mbështetja për PD ishte në zgrip, thjeshtë dhe vetëm për të garantuar karrigen e kryetarit të bashkisë, solli dhe shkatërrimin e strukturave të PS.

Rama shkatërroi në themel strukturën e partisë, unitetin që ishte ekzistencial dhe zhvendosi nga forumet dhe strukturat njerëzit që përbënin palcën e PS, filloi të degjeneronte forumet e kësaj partie, duke i kthyer në trupa me shifra masive.

Kështu e ktheu Këshillin e Përgjithshëm Drejtues të PS me afër 60 anëtarë në Asmable të Përgjithshme me 200 anëtarë, kryesinë e PS me 17 anëtarë, në kryesi me mbi 70 anëtarë, duke i dhënë masivitet dhe duke e degraduar në cilësi.

Një skenar i tillë nuk ishte thjeshtë dhe vetëm për t’i ulur vlerat forumeve dhe strukturave por nën “petkun” e afrimit të të rinjve në këtë parti, futi gjithë MJAFT-in e transformuar në G99 me në krye Veliajn në strukturat dhe forumet e PS.

Dalëngadalë zhvendosi të gjithë ata që kishin kontribute në këtë parti, duke e lëshuar PS vit pas viti në duart e njerëzve që s’kishin lidhje me PS dhe për më tepër kishin lidhje me shumë me krimin.

PS ra në minimum votash krahasuar me vitet e mëparshme duke lëshuar vota në favor të partive të tjera të majta, pasi votuesit e PS pak e kishin gjetur veten tek lidershipi i ri, i cili kishte kohë që s’afronte njerëz me vlera, por vetëm ata që ishin afër kryetarit, ish- mjaft-istë e G99-tça.

Demokracia në PS u shua, kolegjialiteti u zëvendësua me urdhërin dhe drejtimi piramidal i partisë u bë aq i “kithët” sa nuk dihet ku fillon dhe mbaron kryetari dhe ku fillon e mbaron partia, çka i dha kësaj trupe politike një model më shumë partie-kryetar pa asnjë gram kolegjialiteti.

Në këtë mënyrë, shumë prej figurave të kësaj partie, filluan të mos konsideroheshin më të përshtatshme për “habitatin” e ri partiak dhe një nga një u zhvendosën, u larguan, dhe PS përfundimisht ra në duart e atyre që akuzohen gjithë ditën, dhe jo pa baza, për lidhje me krimin.

Dhe rasti më konkret ka qënë afrim-largimi i njeriut që ka sjellë fitore në të gjitha ballafaqimet elektorale ku është dërguar, në Tiranë, në Cërrik dhe gjetkë, Musa Ulqini.

Pasi u la për disa kohë në “stolin” e rezervave Musa Ulqini u rikthye në listën e kandidatëve për deputetë, por jo në Tiranën që e kishte drejtuar për shumë vite, por në qarkun e Elbasanit. Siguroi një fitore të madhe në zonën që i caktuan, hyri në Kuvend dhe u zgodh në postin e Sekretarit për Burimet Njerëzore dhe Koalicionet.

Post që e mbajti deri para disa ditësh, kur po Rama përmes Asamblesë e la një socialist të thjeshtë dhe të “lirë”.

Me sa duket Musa Ulqinin do ta ndjekë “mallkimi” i firmës që ka hedhur për herë të parë në anëtarësimet e Edi Ramës dhe Rexhep Meidanit, ku kreu i PS ia kthen me largime nga drejtimi.

Njëherësh, Musa Ulqini është “tulla” e fundit që Edi Rama heq nga PS për ta lëshuar përfundimisht në “disk” të njerëzve që nuk kanë lidhje më me këtë parti./Pamfleti

 

Kryesore Edi Rama prek fundin i fundmi i socialistëve largimi i Masa Ulqinit PS i dorëzohet përfundimisht krimit