Mandatin e kanë marrë politikanët, vendin e qeverisin kriminelët e tyre - Anti-Mafia
Anti-Mafia11 Tetor 2018, 08:09

Mandatin e kanë marrë politikanët, vendin e qeverisin kriminelët e tyre

Shkruar nga Pamfleti
Mandatin e kanë marrë politikanët, vendin e qeverisin

Mandatin e kanë marrë politikanët, vendin e qeverisin kriminelët e tyre

Presidenti dhe kryeopozitari, janë peng të dosjeve të zeza të korrupsionit e lobimeve anti-shqiptare, ish-kryeministri është peng i krimeve njerëzore, kryeministri është peng bandave të krimit, drejtësia është prangosur nga politika

Video-përgjimi “Babale-Fredi”, provon përfundimisht, se kupola politike shqiptare, shteti, pushteti, policia, prokuroria, parlamenti, presidenca, gjykata e kushdo, që ka mandat kushtetues për të drejtuar punët e këtij vendi, nuk komandohet nga ligji, por nga bota e krimit.

Prej 27 vitesh, politikanët shqiptarë, para dhe pas marrjes së pushtetit, në pozitë dhe në opozitë, kanë krijuar e mbajnë në gatishmëri dhe aktivitet,  bandat e tyre, me të cilat kryejnë dhe mbrojnë punët e pista, për biznese, ekzistencë dhe sundim politiko-shtetëror brenda e jashtë llojit.

“CV”-të e të gjithë politikanëve shqiptarë, kanë brenda emra konkret banditësh, duke i mbajtur e përorur si hije frike, për të mbrojtur postet, pushtetet dhe pasuritë e vjedhura.

Ky tutorizëm, zgjati, deri kur shërbestarët e krimit, kërkuan pjesën e tyre në politikë e pushtet dhe me dikatin, që kishin mbi politikanët, ua morën një pjesë të pushtetit, duke u pajisur me mandate kryebashkiaku, deputeti, drejtori, ambasadori, kryepolici, prokurori, gjyqtari, tatimori, doganieri e deri këshilltar presidence, diplomacie e kryeministrie.

Jemi futur e kemi ngelur, në kohën e krimit, të veshur me mandate politike e pushtete absolute, që komandojnë gjithçka, siç ka ndodhur me insticionet qendrore, bashkitë, prefekturat, këshillat bashkiakë, policinë, drejtësinë, tregjet, koncesionet, pronat, territoret publike, bizneset, bankat, emërimet dhe kontrollin ligjor mbi krimin.

Nuk i mbylli ligji dosjet e bandave të Durrësit e Elbasanit, të cilat u nxorrën “të bardha”, apo siç pritet, të ndodh dhe me dosjet e bandave të Shkodrës, Fierit, Lushnjës, Korçës, Vlorës, por i pastroi, urdhëri i pushtetit të krimit. .

Pse? Sepse, deputetët, krerët e partive, drejtorët, kryepolicët, prokuroët, gjykatësit, doganierët, tatimorët, janë strukturë e bindur, përlyer e madje,  pjesë drejtuese e botës së krimit.

Të guxojë psh., një qytetar, nëpunës shteti, apo qoftë edhe gazetar lokal, të denoncojë aferat e kryebashkiakëve, kryepolicëve, prokurorëve, gjyqtarëve, kryedoganierëve e kryetatimorëve në Elbasan, Durrës, Lezhë, Laç, Krujë, Kamëz, Vorë, Lushnjë, Vlorë, Tepelenë, Berat, Fier, Sarandë, Korçë, Kavajë, Bulqizë e Himarë…

Brenda sekondës, përballet me të “fortët” e pushtetarëve e politikanëve, të cilët nisin mesazhe kërcënuese, bëjnë sulme fizike në mes të qyteteve e sallave të mbledhjeve, të rrëmbjenë fëmijën, motrën, të afërmin, vendosin dinamit në makinë e shtëpi dhe… nuk i prek askush, ose vemjet e llojit Gentian Osmani, i nxjerrin pa faj!.

Pse? Sepse ata janë shteti real që vendos në këtë vend, ndërsa politikanët, janë “llozha e arenës” së krimit, që shikojnë, argëtohen, vënë baste e zgërdhihen, me xhunglën që i kanë krijuar këtij populli.

Fakti, që megjithëse ata janë në pranga, në kërkim e arrati dhe politika vazhdon t’i ketë pikë referimi e mbështetje për luftë klanesh, trgon se banditët janë pushteti dhe politika e vërtetë komanduese në Shqipëri./Pamfleti

Anti-Mafia Mandatin e kanë marrë politikanët vendin e qeverisin kriminelët e tyre