Tentoi të grabiste bankën me thikë në dorë/ Dëshmia e të riut: Jam i dëshpëruar, më duheshin para - Kronike
Kronike15 Prill 2018, 11:34

Tentoi të grabiste bankën me thikë në dorë/ Dëshmia e të riut: Jam i dëshpëruar, më duheshin para

Shkruar nga Pamfleti
Tentoi të grabiste bankën me thikë në dorë/

Kreshnik Margjoni,  paraditen e së shtunës u fut në një bankë dhe kërcënoi arkëtaren me një thikë që mbante në dorë. Ngjarja ndodhi në një filial që ndodhet në afërsi të stacionit të trenit në Durrës.Pa marrë parasysh faktin që banka survejohej nga kamera sigurie dhe mund të identifikohej shumë lehtë nga punonjësit, 24-vjeçari nuk ishte i maskuar, vetëm në dorë mbante një thikë.

Nën kërcënimin e armës së ftohtë, ai ka shkaktuar terror te personeli, por edhe dhjetëra qytetarë që prisnin për të kryer procedura të ndryshme. Sipas dëshmitarëve, sapo i riu është futur në ambientet e brendshme, ai nxori thikën që fshihte në xhep dhe iu afrua arkëtares duke i kërkuar asaj t’i dorëzonte paratë.

Ai kërcënoi edhe punonjësit e tjerë se nëse do të guxonin të afroheshin për të ndërhyrë, ai do ta qëllonte arkëtaren.

“Futi në qese të gjitha paratë që ke këtu gjendje në arkë dhe m’i jep. Shpejt, të gjitha paratë…”, mësohet ti jetë drejtuar autori, arkëtares.

Por punonjësit e tjerë kishin shtypur butonin e alarmit dhe brenda pak çastesh, në filialin e bankës mbërritën një numër i lartë forcash policie, të cilat rrethuan objektin.

Në momentin që mori qesen me lekë, rreth 100 mijë lekë, dhe po tentonte të dilte përjashta, dy efektivë të Policisë së Rendit e neutralizuan menjëherë.

Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.

“Më datë 13.04.2018, rreth orës 11:10 në lagjen Nr.4 Durrës, në ambientet e një banke të nivelit të dytë, shtetasi K.M., 24 vjeç, banues në Durrës, ka tentuar të vjedhë me dhunë nën kërcënimin e një thike një sasi parash. Menjëherë, në vendngjarje kanë shkuar Efektivët e Policisë, të cilët kanë bërë të mundur kapjen e autorit, sekuestrimin e thikës dhe të parave”, sqaroi Policia nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Margjoni me origjinë nga Rrësheni dhe më banim në zonën e ish-Kënetës në Durrës, akuzohet për tentativë grabitjeje të armatosur e me dhunë.

24-vjeçari mësohet të ketë thënë para uniformave të policisë se grabitjen e bankës kishte tentuar ta kryente në një moment dëshpërimi pasi kishte mbetur pa lekë.

“Nuk kisha planifikuar asgjë. Gjithçka ndodhi në një moment dëshpërimi. Nuk u mendova gjatë dhe hyra në bankë. Madje, nuk isha as i maskuar. Më duheshin paratë, pasi jam në gjendje të vështirë ekonomike dhe i papunë”, ka deklaruar ndër të tjera 24- vjeçari.

Policia po heton për të kaluarën e shtetasit Kreshnik Margjonit, nëse ka kryer apo jo vjedhje apo grabitje të tjera.

Kronike më duheshin para Tentoi të grabiste bankën me thikë në dorë/ Dëshmia e të riut: Jam i dëshpruar