Mitrovica e veriut

Moska e thotë hapur: Mitrovica e Veriut është si Krimeja! - Aktualitet
Aktualitet 8 Nëntor 2022, 11:01

Moska e thotë hapur: Mitrovica e Veriut është si Krimeja!

Shkruar nga Pamfleti
Moska e thotë hapur: Mitrovica e Veriut është si Krimeja!

Moska e thotë hapur: Mitrovica e Veriut është si Krimeja!

Pas publikimit vjedhurazi të posterit për veriun e Kosovës, Moska zyrtare ka dalë me zë e figurë për të treguar se mbështet kantonizimin e Kosovës…

Një flamur i shpalosur në veri të Kosovës është bërë ‘headline’ nga ambasada e Rusisë në Shkup, si për të treguar qartë se kush është prapa trazirave që kanë shpërthyer ditët e fundit.

Sllogani është tashmë i qartë: “Mitrovica e veriut është Serbi, Krimeja është Rusi!”.

E ky slogan vjen pikërisht pas një sinjali që edhe Uashingtoni e bëri të qartë se tani do të diskutohet për zonat e influencës mes Lindjes dhe Perëndimit. E ku sipas gjasave përveç Krimesë, apo edhe Donabasit që do të shërbejë si zonë tampon, Veriu i Kosovës, konsiderohet si pjesë e influencës ruse. Njësoj si Republika Srbska në Bosnjë.

Ka njerëz publikë në Kosovë e në botën shqiptare, që si pa qeder thonë se hajt mo në Mitrovicën e Veriut s’ka shqiptarë, në Leposaviç jo, e gjithashtu në Zveçan e Zubin Potok, e kështu tja japim Serbisë. Kur në fakt të gjitha pronat e Mitrovicës së veriut kanë tapi shqiptare, kur pak më sipër janë Boletinët, e ngjitur ndodhet Sohdolli, lagja ku lindi e jetoi kryeministri i parë i Kosovës së çliruar, Bajram Rexhepi.

Është e vërtetë që me këmënguljen e europianëve, SHBA e la veriun e Kosovës si një zonë tampon gjatë administrimit ndërkombëtar, por me planin Ahtisari u përcaktua qartë integriteti i kufijve të Kosovës sipas Kushtetutës së Jugosllavisë së vitit 1974 dhe integrimi i serbëve në institucionet e shtetit më të ri.

Ndërkaq, pas publikimit vjedhurazi të posterit për veriun e Kosovës, Moska zyrtare ka dalë me zë e figurë për të treguar se mbështet kantonizimin e Kosovës.

Lavrov ka nxjerrë zëdhënësen e tij, Maria Zakharovën, e cila ka shpërndarë një qëndrim të gjatë, publikuar në mediat serbe.

Siç bën të ditur ‘Tanjug’, Zaharova ka akuzuar Perëndimin dhe SHBA si nxitës të trazirave.

 “Jemi të alarmuar nga përkeqësimi i situatës në Kosovë, ku të ashtuquajturat “autoritete” të Prishtinës e kanë përshkallëzuar lirisht konfliktin”, deklaron Zakharova.

E cila, duke sjellë qëndrimin e Kremlinit e të shefit të saj Vladimir Putin, ka cilësuar si fajtorë “shqiptarët radikalë të Kosovës”, etiketim që e përdorin për Albin Kurtin.

“Lista Serbe”, pas një kthim nga Beogradi, vendosi të shtunën e shkuar që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria të tërheqë vendimin për targat dhe të fillojë themelimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori si dhe nga Policia.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike; Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrative lokal”, deklaroi Rakiç.

Në Veri të Kosovës, përkatësisht në pikën kufitare në Jarinjë, është shtuar numri i pjesëtarëve të misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Policë të EULEX-it nga kontingjenti polak janë vendosur  në Jarinje dhe po monitorojnë situatën nga afër.

Ndërkaq, në mes të Jarinjës dhe Mitrovicës së Veriut, edhe ushtarët e KFOR-it janë të vendosur në rrugën kryesore. Aktualisht, situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.

Duke u prononcuar për ‘Tanjug’, KFOR ka theksuar se nuk e ka ndryshuar dislokimin e forcave të tij. ‘Tanjug’ thekson më tej se, komandanti i KFOR-it, Angelo Ristuca është në kontakt me të gjitha autoritetet në Kosovë dhe KFOR-i mbetet vigjilent dhe monitoron situatën në terren. /Pamfleti

Kryesore #Mitrovica e Veriut është si Krimeja! #Moska e thotë hapur