Një udhëtim drejt “ferrit” të Spaçit, aty ku im atë la rininë e jetën - Aktualitet
Aktualitet16 Prill 2018, 11:45

Një udhëtim drejt “ferrit” të Spaçit, aty ku im atë la rininë e jetën

Shkruar nga Pamfleti
Një udhëtim drejt “ferrit” të Spaçit, aty ku

Një udhëtim drejt “ferrit” të Spaçit, aty ku im atë la rininë e jetën

Në mendjen time këto pamje duken kaq absurde, në kufijtë e makabritetit dhe çmendurisë. Kjo përballje ishte një tronditje e dytë për mua…Dukej sikur isha shkëputur tërësisht nga realiteti dhe isha bërë pjesë e asaj kohe të mbrapshtë…

Shkruan Kujtim Xhaja

E diel… mëngjes…

Sot, bashkë me një mikun tim kam vendosur të shkoj në një vend, i cili më lidh fort me historinë time…
Kam vendosur të rrëmoj thellë në plagët e së shkuarës time…
Sot, jam gati ta ndërmarr vetë këtë udhëtim…

Do të shkoj në Spaç!

Shumë prej jush, mbase nuk e dinë ku i bie ky vend dhe keni plotësisht të drejtë! As unë mbase nuk do ta dija, po të mos më kishin vrarë veshin ato tregime, histori të gjyshes dhe nënës time për të.

Do të vizitoj burgun famëkeq të Spaçit, kampin e përqëndrimit të burgosurëve politik, atë vend ku vuajti dënimin për plot dymbëdhjetë vjet im atë…akuza: agjitacion-propagandë…

Nisemi…

Ende nuk ka gdhirë mirë. Është ora pesë e mëngjesit. Fshati ndodhet 100 kilometra nga Tirana.
Kureshtja është e madhe. Për herë të parë do të ballafaqohem me një realitet, të cilin e kam projektuar në mendje që fëmijë…

Vallë do të jetë ashtu siç e kam parashikuar, apo do të jetë edhe më keq?

Rrugës më vijnë ndërmend ca histori të gjyshes time, peripecitë që ajo hiqte për të takuar vetëm tre herë në vit tim atë në kampin famëkeq. Më tregonte për ca rrugë të vështira nëpër male, për një vend të rrethuar nga kodrinat, ku edhe drita e diellit e kish të vështirë të depërtonte…

Lëmë pas kthesat e Rrëshenit, shoh me vëmëndje minierat e këtij qyteti. Ato tashmë kanë mbetur disa rrënoja të së kaluarës…Një qytet gri… pa ngjyra, pa jetë…

Jemi afër… edhe pak kilometra na ndajnë nga fshati ku duam të shkojmë.

Rrugët, një pjesë e mirë e tyre të amortizuara, e bëjnë edhe më të vështirë udhëtimin…

Këto 100 kilometra po më duken si 100 vjet. Gjatë gjithë rrugëtimit solla ndërmend disa copëza tregimesh të gjyshes time. U kojtova se të burgosurit i kishin zhvendosur nga fshati Spaç, në burgun e Qafë-Barit, matanë Fushë Arrëzit, në fshatin Tuç. Shkaku ishte se në atë vend kishte shumë lagështi.

Mbërrijmë…

Nga larg shoh një gërmadhë të vjetër dhe të ftohtë, rreth e përqark maleve dhe kodrinave, i futur si në grope, ky ishte burgu famëkeq i Spacit, (i mbajtur hapur në vitet 1968-1991)i projektuar si një kamp përqëndrimi për të burgosurit politik.

Ajo pamje ish më keq nga ç’e kisha imagjinuar kur isha i vogël. Gjyshja paska patur të drejtë…
Në një pozicion të thepisur, 600 metra mbi nivelin e detit, shtrihej një ndërtesë e stërgjatur me korridore dhe me shumë dhoma… Afër tij, një minierë…

Ja këtu, ka vuajtur dënimin e egër dhe mizor im atë, në këtë minierë ka derdhur djersën ditë dhe natë bashkë me qindra të burgosur të tjerë…

Futem brenda, shoh qelitë, birucat. Ato dhoma aq të vogla, në të cilat dyndeshin 50 veta.
Bashkë me mikun tim bëjmë drejt vendeve të takimit. Aty ndal hapin, vështroj me kujdes dhe ndërmend më vijnë fjalët e gjyshes:

“ Takimi i të burgosurëve me familjarët e tyre bëhej me radhë. Ai nuk zgjaste as gjysmë ore. Përballë tyre ish vendosur një dërrasë e stërmadhe me një vrimë, nga ku mezi shquhej i burgosuri matanë. Nuk lejohej ta takoja tim bir, as t’i jepja dorën, asgjë…na mjaftonte vetëm një shikim dhe disa biseda formale, të cilat i ndërprisnin vrazhdësia e dy rojeve, që të qëndronin mbi krye: “Hajt, hajt, boll, mjaft!”. Kaq zgjaste takimi…”

Radhën tani e kishte menca e të burgosurëve. Një katrahurë e vërtetë. Mbase për të tjerë ajo s’thoshte gjë, por për mua thoshte shume…

Sërish në mendje më vijnë tregimet e gjyshes:

“Sendet e qelqta nuk lejoheshin. Vajin, ujin e lëngje të tjera i hidhnim në shishe plastike, çdo ushqim kontrollohej rreptësisht! Një ditë kisha marrë me vete edhe një shalqi, kontrollorët e morën dhe e prenë copa-copa se mos kish ndonjë send brenda. Edhe bukën, ata e ndanin përgjysmë, e bënin grimca të vogla në miniaturë…”

Lë pas mencën me një shije të keqe…

I hedh një vështrim të heshtur bashkëshoqëruesit tim. Gjatë gjithë rrugës nuk biseduam fare me njëri – tjetrin. Fytyra e tij kish marrë një qasje më serioze, ashtu, i çuditur dhe njëherësh i pështjelluar në mendime, ai kërkonte të dinte çdo gjë nga ai vend. Të dy shkojmë drejt udhës së minierës…

Sërish këto rrugë më sjellin në kujtesë një bisedë me nënoken time:

“Cdo mëngjes, aty, në atë vend, bëhej apeli. Të gjithë të burgosurit rreshtoheshin me të njëjtën uniformë. Ata dukeshin gati njësoj…Ne, familjarët, shihnim nga larg dhe mezi i dallonim kush ishin tanët. Çdo i burgosur bënte një shenjë dalluese, që të kuptohej që ish ai “.

Gjyshja ime e dallonte lehtë tim atë, ai vendoste dorën mbi kokë dhe rregullonte baluken e tij të pabindur…Kjo ishte shenja e tij.

E gjithë kjo skenë mu krijua atypari tek shihja udhën e drejtë, e cila të çonte drejt minierës…Largohem nga ai vend, i hedh edhe një herë një vështrim të fundit…

Në mendjen time këto pamje duken kaq absurde, në kufijtë e makabritetit dhe çmendurisë. Kjo përballje ishte një tronditje e dytë për mua…Dukej sikur isha shkëputur tërësisht nga realiteti dhe isha bërë pjesë e asaj kohe të mbrapshtë…

Iki nga ai vend, nga ai fshat verior, ku çdo hap që bëj më lidh në mënyrë të pashmangshme me vuajtjet, mundimet e tim eti.

Sot, pas 27 viteve, unë mbaj si kujtim vetëm emrin e tij, një fotografi të vjetër dhe këto copëza përjetimesh nga ky fshat, të cilat do më shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Nuk arrita kurrë ta njoh babanë tim. Ky vend i mori atij dymbëdhjetë vitet më të vyera të rinisë dhe ai sistem i mori më të shtrenjtën gjë… jetën e tij!

E unë ndihem sot, kaq i pafuqishëm.

Pas 27- viteve duket sikur gjërat kanë ndryshuar… Është një iluzion i ëmbël… ato kanë mbetur sërish të njëjtat…

Sot pas dy dekadash, ne, fëmijët e tyre kemi nevojë të dëgjojmë të paktën një: “Më fal”, një “ndjesë publike”, nga ata persona, ekzekutorë, zbatues, që deri dje i mbikëqyrnin dhe sot janë ende gjallë, madje të “veshur” me pushtet dhe japin leksione demokracie…/27.al

Dossier aty ku im atë la rininë e jetën Një udhëtim drejt “ferrit” të Spaçit