Serbia arreston në kufi një shtetas kosovar, Prishtina zyrtare: BE të reagojë - Bota
Bota13 Gusht 2018, 23:19

Serbia arreston në kufi një shtetas kosovar, Prishtina zyrtare: BE të reagojë

Shkruar nga Pamfleti
Serbia arreston në kufi një shtetas kosovar, Prishtina zyrtare: BE

Serbia arreston në kufi një shtetas kosovar, Prishtina zyrtare: BE të reagojë

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nëpërmes Zyrës Ndërlidhëse të saj në Beograd ka konfirmuar sot edhe një rast tjetër të ndalimit dhe arrestimit të një bashkëkombësi, ndërsa ai ka qenë duke kaluar nëpër territorin e Serbisë.

Sipas informacioneve të para të Zyrës Ndërlidhëse së Kosovës në Beograd, personi në fjalë është ndaluar për veprat penale, që janë në kundërshtim me Ligjin penal të ish-RSJ-së Neni 125 i ndërlidhur me Nenin 139 i dyshuar për veprën penale për terrorizëm, aktakuzë kjo e ngjashme si edhe për raste të tjera ndaj shtetasve të Kosovës që nga periudha e luftës.

“Ndalimet dhe arrestimet e vazhdueshme të shtetasve të Republikës së Kosovës nga Serbia mund të vlerësohen si një gjueti shtrigash nga autoritetet e këtij shteti dhe praktika të politikave të Millosheviçit”, thuhet në reagimin e MPJ.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i bën thirrje Serbisë që urgjentisht të ndalë keqtrajtimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj shtetasve kosovarë, që në kohën e pushimeve po e shfrytëzojnë shtetin fqinj si rrugë transite.

MPJ edhe njëherë thërret Bashkimin Evropian, shtetet e Quintit dhe komunitetin ndërkombëtar që urgjentisht t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj ndaj sjelljeve të tilla dhe kërkon me ngulm lirimin e menjëhershëm të tij.  

 

Rajoni Arrestimi BE Reagimi Serbia shtetas i Kosoves