Skandali me ‘DH Albania’, si u fsheh super vjedhja nga Rama dhe pse hesht oligarku Bashkim Ulaj - Aktualitet
Aktualitet 4 Mars 2019, 20:11

Skandali me ‘DH Albania’, si u fsheh super vjedhja nga Rama dhe pse hesht oligarku Bashkim Ulaj

Shkruar nga Pamfleti
Skandali me ‘DH Albania’, si u fsheh super vjedhja nga Rama dhe pse

Skandali me ‘DH Albania’, si u fsheh super vjedhja nga Rama dhe pse hesht oligarku Bashkim Ulaj

Opinioni publik në Shqipëri është ende pa përgjigje rreth DH Albania, firmës, e cila arriti të marrë nga shteti dy kontrata me vlerë prej rreth 30 milionë euro brenda një kohe të shkurtër.

Firma u krijua vetëm pak përpara tenderave, paraqiti dokumenta të falsifikuar dhe si përfaqësues të saj në regjistrat kombëtarë figuron një 26-vjeçar i quajtur Avdjol Dobi.

Prokuroria po heton si për veprat penale të falsifikimit ashtu dhe për atë të shpërdorimit të detyrës, nga ana e institucioneve të përfshira, por nuk ka mundur ende ta thërrasë Avdjol Dobin, për të cilin ekziston urdhër arresti.

Të paktën zyrtarisht, nuk rezulton të ketë dalë nga Shqipëria.

Kur këto fakte u bënë publike, lindën dyshimet end pa përgjigje se si një firmë pothuajse anonime mundi që me kaq lehtësi dhe falsifikime, të siguronte kontrata të këtyre përmasave.

Sa e përfshirë është administrata Rama?

Në fund të dhjetorit, duke folur për rastin, kryeministri Edi Rama deklaroi se bëhet fjalë thjesht për një mashtrim nga ana e kompanisë që po hetohet.

Por informacionet e mëpasme dëshmuan se institucionet shqiptare në varësi direkte të kryeministrit janë vënë në shërbim të plotë të kompanisë, madje edhe në shkelje të rregullave dhe kërkesave ligjore.

DH-ALBANIA, degë e shoqërisë së huaj, më datë 13.07.2018 ka aplikuar për njehsimin e licencës së huaj, në fushën e zbatimit në ndërtim – referuar faqes zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës.

Por më datë 13 korrik, kur është bërë aplikimi, shoqëria DH Albania ishte ende… inekzistente.

Referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, data e saj e regjistrimit figuron 18 korriku 2018. Është e pakuptueshme se si Sekretariati i Komisionit të Licencave, ka nisur procedurat mbi një entitet, që deri në atë moment nuk ekzistonte.

Komisioni i Licencave drejtohet nga Gerta Lubonja, e emëruar me vendim të kryeministrit Rama.

Shkeljet në favor të DH Albania, bëjnë të mendosh se Komisioni e ka patur të qartë se nuk po ndihmonte thjesht të riun Avdjol Dobi, por njerëzit real që qëndrojnë pas kësaj kompanie.

Heshtja e Bashkim Ulajt dhe drejorët që firmosën

VOA botoi e para se pas kompanisë DH Albania fshihet biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj.

Përfaqësuesi i firmës, i riu Dobi, e kishte adresën në kullën “ABA Business Center”, në pronësi të zotit Ulaj dhe ka lidhje familjare me biznesmenin. Gjithashtu, bilanci i “kompanisë Dunëell Haberman”, i dorëzuar në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve, rezulton të jetë përkthyer nga znj.Shenda Kruja, e cila rezulton specialiste pranë kompanisë GENER 2 të zotit Ulaj.

Ky i fundit nuk ka pranuar të përgjigjet deri tani për asnjë nga akuzat dhe nuk ka kthyer përgjigje për mesazhet ose e-mailet ku pyetet si i komenton këto lidhje.

Në 16 janar, drejtori i Autoritetit Rrugor Afrim Qendro, i cili tani është shkarkuar, u paraqit në Prokurori për të dhënë shpjegime. Z.Qendro konfirmoi, pas daljes nga Prokuroria, pozicionin publik të mbajtur nga institucioni që ai drejton, se nuk ka patur asnjë shkelje në procedurat e ndjekura.

Përveç zotit Qendro, në Prokurori është pyetur edhe Klodian Gradeci, drejtuesi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, institucion pranë të cilit DH Albania kishte fituar një tjetër garë prej 12 milion eurosh për një linjë energjitike.

Por megjithë këto deklarata, Gradeci dha dorëheqje kurse Qendro u shkarkua.

Këto lëvizje nuk shkojnë në linjë me qëndrimin institucional.

Mosndëshkimi, trazirat, e ardhmja

Në datën 28 dhjetor Damian Gjiknuri u shkarkua nga drejtimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pak më herët ai konfirmoi  fillimin e hetimeve penale për rastin: “Hetimet shumë shpejt do të nxjerrin kush janë aksionerët e vërtetë, kush e ka krijuar atë kompani apo lidhjet me persona të tjerë…” tha ministri në një konferencë për shtyp.

Por disa të dhëna të publikuara sugjerojnë se autoritetet shqiptare nuk kanë arsye “të presin hetimet në Shtetet e Bashkuara” për të zbuluar pronarët pas Dunëell Haberman.

Më 3 dhjetor, pas lidhjes së kontratës me Autoritetin Rrugor Shqiptar për lotin e parë të Unazës së Re, DH Albania, dega në Shqipëri e Dunwell Haberman vendosi hapjen e një Nipti Sekondar me vendndodhje në sheshrrotullimin Shqiponja.

Një mandat arkëtimi i depozituar në QKB tregon se aplikimi për hapjen e adresës së re në kantierin e punimeve është bërë nga… Gener 2 e Bashkim Ulajt, përmes një juristeje të kësaj kompanie Leda Hyseni.

Dhe kjo nuk është prova e vetme. Një rreth i ngushtë prej pesë personash, të cilët kanë kryer veprime për llogari të DH Albania janë ose punonjës të Gener 2, ose të lidhur me Ulajn.

Përveç Dobit dhe Hysenit, veprime në emër të kompanisë DH Albania kanë kryer edhe noterja Xhevahire Brahaj, përkthyesja Shenda Kruja dhe juristja Blerina Konçi.

Të dhënat gjyqësore tregojnë se Brahaj ka kryer një sërë noterizimesh për kompaninë Gener 2. Shenda Kruja rezulton punonjëse e Gener 2, ndërkohë që juristja Blerina Konçi ka kryer aplikime në QKB si për DH Albania ashtu edhe për kompaninë Gener 2 të Bashkim Ulajt.

Bashkim Ulaj është një ndër biznesmenët më të lakuar në Shqipëri dhe njihet si sponsor i PD dhe personalisht i Sali Berishës.

Ky i fundit është truri dhe financa e trazirave të fundit në Shqipëri.

Ulaj është parë shpesh në shoqërinë e kryeministrit Edi Rama.

Ai ishte edhe kumbari i Televizionit A2 të hapur pak kohë më parë nga Ulaj.

Madje, megjithëse skandali kishte plasur, në mënyrë të çuditshme, Rama emëroi në krye të Fondit të Zhvillimit, një nga menaxherët kryesorë të Gener 2.

Ende nuk ka asnjë ngarkesë penale për personat të tjerë të përfshirë veç 26 vjeçarit Dobi që rezultojnë punonjës të Ulajt.

Pas tyre do duhej të thirrje vetë Ulaj, dhe pas tij duhen nxjerrë përgjegjësitë e “palës tjëtër”: drejtorëve që kanë firmosur, ministrit përkatës dhe kreut të qeverisë.

Hetimi duket se ka një stopim, ndërkohë që vëmendja publike është mbajtur e mbërthyer fillimisht tek protesta e studentëve në dhjetor e më pas tek trazirat nga protestat e opozitës, të cilat kanë arritur sot një pikë kulmore: Si për të na kujtur të gjithëve edhe njëherë që mosndëshkimi i djeshëm ka sjellë korrupsionin e sotëm dhe trazirat që po e pasojnë.

Kurse mosndëshkimi i sotëm do risjellë korrupsion dhe trazira të reja nesër.

Deri kur? Ndërkohë që 30 vjet janë marrë nga koha dhe jeta e shqiptarëve, të cilët jo rastësisht renditen ndër të parët në botë, për braktisjen e vendit, njëjtë me zona të cilat janë përfshirë nga luftëra dhe konflikte civile.(dita)

Aktualitet si u fsheh super vjedhja nga Rama dhe pse hesht oligarku Bashkim Ulaj skandali me dh albania